Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

OSBE i kthehet medies, por jo media vetes

Shkruar nga: Ben Andoni  
Botuar më: 13 vite më parë

Ben Andoni
OSBE i kthehet medies, por jo media vetes

Ekspertët ballkanikë folën shumë ditët e fundit për problematikën e medies në Sarajevë, por pakkush realisht dhe pastër u fokusua në çështjet e lëngimit të medies së sotme të vendeve të Europës Juglindore, që paradoksalisht gjeografikisht identifikohet më shumë me atë ballkanike. Folësit, më shumë garonin se kush fliste  më shumë dhe kush bënte heroin. Ani pse, OSBE-ja, të paktën u afroi tryezën gazetarëve ku mund të flitej realisht për shqetësimet

Ka gjithnjë një ngarkesë të veçantë përcaktimi “i pavarur”, që i vishet medies së sotme. Anipse, fatkeqësisht, media ballkanike për herë e më tepër po i largohet këtij përcaktim. Pak ditë më parë, në Sarajevë u mbyll Konferenca e parë e medies për Europën Juglindore. Rreth 100 gazetarë, që u shtoheshin edhe ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë të medies, për dy ditë me radhë folën pafund për problematikën e medies. Falë asistencës së misioneve të OSBE-së të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe zyrës së mikpritësve boshnjakë, takimi mundi të hedhë dritë në një problematikë të madhe të medies, por gjithsesi pa i shkuar asnjëherë në thelb rrezikut, që jo vetëm e kërcënon, por që e ka ngërthyer realisht medien e sotme: blerjen gati totale të saj.

Me sintaksat e gjata që shoqëron të folurën e zakonshme të lektorëve nga vendet ish-Jugosllave, ata i linin vendin njëri-tjetrit me shpresën që të mundeshin t’ia kalonin paraardhësit për patetizëm, ndërsa auditori kuptonte se ishte gjithnjë e më vështirë për t´i kuptuar. Më vështirë ishte akoma për auditorin, sepse të gjithë ishin në dijeni të faktit që gazetari ballkanik, një qenie që nëpërkëmbët rregullisht, e ka gjithnjë e më vështirë të mbrojë të drejtat e tij, përveç vazhdimisht bashkëvendësit të tij. Katër temat dominuese: Media në Ballkanin Perëndimor në të shkuarën dhe të sotmen nga censura në vetë censurën; gjendja e distribuimit; sfidat e mjedisit legal, kufizimet ekonomike të medies dhe kushtet e punësimit të gazetarëve, kishin në panele emra të njohur të medies dhe që artikulonin mirë, por që në fund mezi pritej të mbaronin fjalimet. Në thelb të kuruara mirë nga Dunja Mijatović, përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medies në Sarajevë, temat megjithatë, përmes shumë këtyre diskutimeve arritën dhe nxorën një plagë të vazhdueshme të ballkanasve; të folurën pa sens dhe fokusin e pakët në problematikën reale. Duket se paneli i fundit: mënyra sesi të rregullohet situata, rolet e qeverisë, komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile, ishte dhe më treguesi.

Deri më atëherë dukej që mënyrat e përcjelljes së problemit ishin më shumë klishe dhe sa për të mbyllur gojën. Por, jo deri në fund. Tamam në fund, vërejtja e një gazetari malazez freelance ishte shumë interesante. Dragoljub Vuković tha se, në ditët tona duhej të edukohej një publik “tjetër” dhe edukimi tashmë duhej të fillonte nga shkolla dhe vetë media duhej të luante rolin e saj, që këtu. Sot ka humbur lexuesi dhe ai është gjithnjë e më indiferent dhe më i dhënë pas lajmeve të tabloideve dhe jo gjërave thelbësore, ishte thelbi i diskutimit të tij. Kuptohet se ideja e malazezit dhe hullia ku synonte të fuste kolegu i vjetër s’mund të vazhdonte, pasi organizatorët e përfunduan shpejt…Gjithsesi, deklarata e bërë nën logon e OSBE-së e vuri disi gishtin në plagë.

Ajo përcaktoi theksimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave humane fondamentale; riafirmimin e rëndësisë së lirisë së shprehjes, përfshirë principet e pavarësisë, pluralizmit dhe diversitetit; nënvizoi faktin që vetëm mediet që janë indipendente politikisht, editorialisht dhe ekonomikisht mund të jetojnë dhe të luajnë rol në një shoqëri demokratike; njohjen e faktit se media shtetërore nuk mund të jetojë në një shoqëri demokratike; dhe progresin e medies që pas viteve ’90. Organizatorët nuk harruan që në deklaratën përfundimtare të përfshinin dhe problemet ku implementimi i një legjislacioni liberal të medies mbeteshin ende problematike dhe ku reformat e mëtejshme të legjislacionit të medies ishin; licencimi i broadcast-ave dhe aksesi në informacion; transparenca e medies dhe mbrojtja e të drejtave.

Kuptohet, u identifikuan raste të goditjes së gazetarëve, u ftuan qeveritë të marrin masa ndaj keqbërësve tyre dhe një kërkesë iu bë vetë medies nga përfaqësuesit e saj; që të përsoste në të ardhmen mekanizma të pavarura vetërregullues, bazuar në standardet e larta dhe të kishte penalizime për gazetarët që thyejnë kodin e etikës dhe në fund u theksuan edhe njëherë kushtet e këqija të punonjësve… Por, s’kishte më kohë. Këtu Konferenca e parë e medies së Juglindjes (Paradoksi protokollar apo i vërtetë vazhdon edhe këtu, sepse edhe OSBE-ja në vendet e Juglindjes nuk e përfshin Greqinë dhe Slloveninë), organizuar me shumë sqimë nga OSBE-ja, por që s’i shpëtoi patetizmave ballkanikë, duhet të mbyllte siparin e saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama