Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Integrimin e zhbllokon rotacioni

Shkruar nga: Preç Zogaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Preç Zogaj
Integrimin e zhbllokon rotacioni

Berisha dhe qeveria e tij janë përfshirë në një fushatë të përditshme për të hequr nga vetja përgjegjësitë e dështimit me integrimin europian të vendit, duke u përpjekur t’ia lënë fajin opozitës. Madje vetë Europës.

Fushata në fjalë është e shpifur, jo thjesht sepse vjen si një agresion kundër logjikës elementare. Vendi është mësuar tashmë me shkarje të tilla mendore, që janë vetë thelbi i shkollës politike të Berishës. Fushata është e shpifur për një arsye më praktike. Pasi jemi kaluar sërish nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe pasi shohim trenin e radhës të afrohet me shpejtësi bashkë me kohën që shkon, nuk mund të jetë në rendin e ditës debati pa fillim dhe pa fund se kush e ka fajin. Sidomos për qeverinë. Tjetër gjë është në rendin e ditës. Kapja e kohës së humbur është në rendin e ditës.

Por qeveria, paradoksalisht qeveria, kërkon të imponojë një debat të tillë për nxjerrje sysh. Është e vështirë të kuptohen arsyet e plota e të thella të kësaj lajthitjeje. Ma merr mendja se dy prej arsyeve janë këto. E para, sepse kjo qeveri dhe kreu i saj e kanë zakon të sillen si opozitë dhe ndihem mirë vetën në ujërat e një opozite të keqe. E dyta, kjo qeveri ka një qasje krejtësisht elektorale ndaj çështjes së integrimit, duke e parë vetëm në funksion të votave dhe pushtetit e jo si një çështje të standardeve apo si një aspiratë popullore dhe kombëtare europiane. Aq e vërtetë është kjo sa kryeministri, për t’i hapur dritën jeshile aplikimit të tij elektoral të vitit 2009, ka futur në lojën e interesave një pjesë të detit dhe asete të tjera publike. I dha det Greqisë, por kur erdhi puna nuk i dha kutitë e votimit opozitës së tij, një akt që do ta kishte zhbllokuar politikisht dhe demokratikisht çështjen e integrimit.

Qasja elektorale që ka kryeministri për integrimin u shfaq po aq qartë edhe në thirrjen që ai i bëri popullit për ta zgjidhur debatin për fajin me vote. Kjo thirrje do të kishte kuptim sot vetëm nëse qeveria dhe Berisha mbajnë shënim dështimin e rëndë me statusin dhe vendosin të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo është t’ia lësh vërtet në dorë popullit. Por t’ia lësh shpejt ama, pa u vonuar edhe dy vjet të tjera. Mirëpo, me sa dimë, Berisha nuk ka ndërmend as zgjedhje të parakohshme, as ndryshim të formulës së qeverisjes, madje as rregullime në kabinetin e tij për të dhënë përshtypjen e një reflektimi për refuzimin e statusit. Jo, ai nuk do të bëjë asgjë. Do të përpiqet të rrijë aty ku është deri në fund të mandatit, pa barë asgjë, për t’i humbur kohë Shqipërisë duke menduar se po fiton kohë për vete. Përderisa nuk bën zgjedhje të parakohshme, thirrja e kryeministrit të vendit për ta zgjidhur me votë pas dy vjetësh çështjen e dështimit me statusin është e nxituar, e parakohshme. Ajo tradhton tërheqjen e tij nga impenjimet institucionale për zbatimin e 12 kritereve të BE-së. Kjo thirrje, ashtu siç u bë, tradhton gjithashtu mendimin që ai ka për opozitën si institucion i tepërt në regjimin e tij.

Fushata e kryeministrit për të fajësuar opozitën e për të dalë i larë për vete në një dështim që është pikësëpari përgjegjësi e qeverisë nuk ka shembull në Europë. Por duhet të ngushëllohemi, sepse suksesi popullor i kësaj fushate kërkon gjithsesi një kusht “të vogël”: Kërkon njerëz të trashë e të painformuar, që nuk kuptojnë e nuk dinë ç’bëhet rreth e rrotull. Vetë shpjegimet e cekëta, kontradiktore dhe qesharake të kryeministrit destinohen për njerëz të tillë. Që me siguri janë pak në Shqipërinë e sotme. Dëgjova një ditë zotin Berisha që po thoshte se shqiptarët e mençur e dinë vetë kush e pengoi marrjen e ftesës. Nënteksti ishte i qartë: opozita. Deri këtu mund të themi se nuk kishte ndonjë gjë për të qeshur. Por pak radhë me poshtë, duke mos besuar me sa duket në aftësinë e mençurisë popullore për të kapur nëntekstet e tij, ja ku vendosi të vinte gishtin akuzues mbi penguesin kryesor. Ishte shefi i opozitës Edi Rama. Ky kishte bërë telefonata e shkruar letra në Bruksel kundër integrimit të vendit në Europë! Po mirë, pse nuk ka bërë xhaxhi Saliu me shumë telefonata, pse nuk ka shkruar xhaxhi Saliu më shumë letra, replikoi pafajësisht në një show televiziv një vajzë e vogël. Të mëdhenjtë e pranishëm ia plasën gazit, kurse vajza u skuq nga turpi. Çfarë gabimi kishte bërë që të mëdhenjtë po talleshin ashtu?

Nuk mund ta dinte se nuk ishte ajo autorja e gabimit qesharak. Nuk mund ta dinte akoma se nuk ka rënë në këtë nivel banal aspirata e integrimit të Shqipërisë në një anë dhe politika e zgjerimit të BE-së në anën tjetër, sa të pengohen apo përshpejtohen me telefonata dhe letra nga Tirana.

Shembuj të tillë prodhon vazhdimisht përditshmëria e betejës bajate për fajin. Pakkush ka qejf të përfshihet në të. Por vjen një moment kur këmbëngulja e kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij e provokojnë përnjëmend arsyen normale.

Brukseli na thotë ngecet për shkak të ngërçit politik. Pse nuk e zgjidhi Berisha ngërçin kur doli Rezoluta e Parlamentit Europian për hetimin e zgjedhjeve? Pse i ofroi opozitës së tij tymin e fletëve të djegura në vend të hetimit të kutive? Politika mbështetet në akte, jo në fjalë. Mund të thuash tërë jetën se opozita nuk do transparencë. Mund të thuash tërë jetën se opozita nuk do integrim. Këto janë fraza boshe, kur nuk ke bërë asnjë prej detyrave të tua.

Komisioneri Fule tha se nuk kemi plotësuar asnjë kriter. Asnjë. Dymbëdhjetë nota jokaluese mori Shqipëria. E dëgjuan të gjithë shqiptarët. Zoti Berisha duket të llogarisë vetëm ata që nuk kanë sy dhe veshë për të kaluar përrallën e tij.

Pse, për shembull, paska faj opozita që qeveria nuk ka dhënë ende një zgjidhje të plotë për çështjen e pronave?

Pse paska faj opozita që qeveria nuk lufton korrupsionin dhe nuk vendos dot sundimin e ligjit në vend?

Ose të marrim dy kritere më pak të forta: Pse paska faj opozita që qeveria nuk lufton dot diskriminimin dhe nuk zbaton standardet për të burgosurit e të paraburgosurit?

Dhe më kryesorja: Kush e ka fajin që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, kur kavalerinë e institucioneve që merren me zgjedhjet e ka në dorë qeveria dhe kur manipulimet dhe grabitjet e mandateve bëhen gjithnjë në dëm të opozitës dhe në favor të qeverisë?

Opozita ka përgjegjësitë e saj që, duhet t’i marrë, por është naive dhe e ligë të thuash se ajo ka bllokuar integrimin. Opozita e Serbisë është kundër integrimit europian të vendit të vet në princip, në program, në qëndrim. E prapëseprapë, ky fakt nuk e ka penguar dot qeverinë serbe të marrë statusin e vendit kandidat. Pse? Sepse qeveria është ajo që vë vulën e detyrave të integrimit.

Elitës vendimmarrëse të Shqipërisë, në radhë të parë atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin, nuk u lejohet të tallen më me aspiratën popullore për integrimin europian, duke luajtur kukafshehurazi me kriteret. Maqedonia, Mali i Zi apo Serbia nuk e bëjnë diferencën me ne, sepse kanë më pak korrupsion, sepse kanë zgjedhur avokatin e popullit, e tjerë. Korrupsion ka edhe në vendet themeluese të BE-së. Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e përhershme. Vendet fqinje e bëjnë diferencën me ne në tri pika themelore: Bëjnë zgjedhje të lira. Kanë një standard më të lartë të sundimit të ligjit. E luftojnë politikisht dhe ligjërisht korrupsionin. Këto janë tri sfidat tona themelore.

Pa to nuk do të kalojmë edhe pasi ta kemi zgjedhur Avokatin e Popullit, edhe pasi ta kemi votuar Gjykatën Administrative. Treni i tretë është nisur. Nëse do ta humbin edhe atë – dhe gjasat janë se do ta humbin sa kohë që kryeministri dhe qeveria nuk po ofrojnë asnjë një program – bien dakord se këtë problem madhor do ta zgjidhë populli me votë. Por askush të mos mendojë se do ta zgjidhë ashtu siç mejton Berisha me mbështetësit e tij: duke zhdukur opozitën. Populli nuk mund të kryejë kurrë me votë të lirë akte regresi të shkallës së vetëvrasjes. Opozita është kuptimi i demokracisë. Opozita e iluminuar europianiste është një nga pasuritë e mëdha që kemi. Prandaj, populli, kur t’i vijë radha, do të bëjë një zgjidhje më të thjeshtë dhe më të natyrshme për zhbllokimin e integrimit: të çojë opozitën në pushtet dhe pushtetin në opozitë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama