Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ramiz Alia është midis nesh

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Ramiz Alia është midis nesh

Kur shkruajmë për një ngjarje historike apo personazh historik, i vdekur apo i gjallë, në thelbin e vet ne kërkojmë, direkt apo indirekt, ta kuptojmë më mirë vetveten. Në këtë kontekst do ta shikoj edhe figurën e Ramiz Alisë, që vdiq para disa ditësh. Po e filloj duke thënë se nuk pajtohem aspak me një gjykim që u përhap gjithandej nëpër media, që e cilësoi si “diktatori i fundit dhe demokrati i parë” e që, në jo pak raste, varësisht nga filiacioni politik i shkruesve, u ekstremizua duke i mëshuar disa “diktatorit” dhe të tjerë “demokratit”.

Ajo që nuk pranoj në këtë përkufizim, së pari, është ai lloj qëndrimi që një personazh historik e trajton ose si monstër, ose si engjëll, pra sikur të përfaqësojë diçka që s’ka të bëjë me atë çka jemi ne vetë; dhe, së dyti, nuk pranoj vijën ndarëse bardhë e zi që kërkojnë të heqin disa midis periudhës komuniste dhe asaj postkomuniste. Kam mbështetur vazhdimisht idenë se kjo që ka ndodhur në Shqipëri këta njëzet vjet është në shumë aspekte – ndonëse jo tërësisht – vazhdim i kulturës komuniste në një formë të re. E, në këtë kontekst, mendimi im është se tipologjinë e politikanit që përfaqëson Ramiz Alia e gjejmë rëndom në politikën e sotme shqiptare – e jo vetëm në politikë – si trashëgimi të asaj kohe. Me fjalë të tjera, sipas meje, duke qenë se kulturën që pjell diktatorë dhe vegla të tyre të bindura e kemi ende dominante, ai nuk mund të quhet as diktatori i fundit dhe as demokrati i parë.

Cili është thelbi i figurës së Ramiz Alisë në këtë kontekst? Sipas meje, thelbi i tij nuk mund të kuptohet jashtë raportit të tij me Enver Hoxhën si diktatori më pushtetgjatë i vendit (përsëri po e evitoj përcaktimin diktatori i parë që do t’i jepnin disa këtij). Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, ky është raporti i birit me atin në një shoqëri që nuk ka arritur ende të kryejë “atëvrasjen” në kuptimin simbolik, psiko-analitik të termit: si akt çlirimi nga autoriteti i atit. Jeta politike e Ramiz Alisë në thelbin e vet është jeta e një biri që ka jetuar nën hijen e atit, i mbrojtur nga pushteti i atit, që s’ka marrë kurrë ndonjë përgjegjësi, pasi këto i kishte ati, që nuk ia ka bërë kurrë fjalën dhe veprën dysh dhe që, edhe pas vdekjes, ia ruan kujtimin të pacenuar.

Kjo është një strukturë psikologjike ende e pandryshuar në kulturën e shoqërisë sonë. Sipas kësaj strukture, me kalimin e kohës, figura e parë autoritare, ajo e atit biologjik, zëvendësohet me atë të shefit, bosit, diktatorit dhe identifikimi me të arrin deri në pikën e humbjes së vetvetes për të krijuar në vend të saj një tjetër vete, që mendon e ndien si shefi/diktatori. Ky kipc bëhet faktikisht vetvetja, ai të censuron çdo mendim të kundërt apo dyshim ndaj atit që mund të të lindë. Një bir i tillë mund të quhet, sipas këndvështrimit, një besnik, një vegël, një bashkëpunëtor në krim, një viktimë, një servil i nënshtruar i diktatorit. Pas vdekjes së këtij ky bir/kipc është i gatshëm të marrë e të luajë të njëjtin rol. Në këtë kuptim, diktatori i egër dhe biri i bindur ndaj tij janë dy faqe të së njëjtës medalje. Kjo është në thelb ajo çka ka përfaqësuar Ramiz Alia gjatë gjithë kohës që Enver Hoxha ishte diktator i Shqipërisë dhe pastaj kur u bë vetë i pari i vendit.

Dikush do të thotë se shumë nga këta besnikë, vegla, bashkëpunëtorë, servilë, diktatori i eliminoi, kurse këtë e la për trashëgimtar e të shtrojë pyetjen ku ndryshonte ky nga ata. Gjykoj se diferencat janë dytësore në raport me atë që thashë më lart. Fakti që Alia u bë biri i zgjedhur i Hoxhës, sipas mendimit tim, u dedikohet kryesisht aftësive të tij për të hedhur hapa, me sa më pak zhurmë, vetëm në hijen e Enver Hoxhës, pa treguar shenja egoje personale, pjesërisht i dedikohet fatit, pjesërisht asaj se ky ishte afro njëzet vjet më i ri e me një staturë disi më intelektuale se të tjerët dhe, kësisoj, do ta çonte më larg kujtimin e tij pa ndërmjetës, pjesërisht se ishte njeriu që kishte marrëdhëniet më të mira me të shoqen dhe, po ashtu, sepse me të kishte lidhur krushqi, çka në Shqipëri ka një rëndësi jo të vogël.

Po, a ka pasur ai ndryshim nga Enver Hoxha? Siç tregon edhe historia e monarkëve që kanë pasuar njëri-tjetrin edhe si atë e bir biologjik, jo të gjithë kanë pasur të njëjtin karakter, disa kanë qenë më energjikë e të tjerë më apatike, po ashtu edhe kohët që kanë jetuar ata kanë qenë shpesh të ndryshme: disa kanë udhëhequr lulëzimin, të tjerë kanë vuajtur dekadencën e, në këtë kuptim, Ramiz Alia mund të thuhet se ka qenë edhe më apatik se Hoxha e Shehu, edhe se ka jetuar dekadencën e regjimit. Po ashtu, nëse etjen për vrasje të Enver Hoxhës, deri të shokëve më të afërt, do ta konsiderojmë jo thjesht një çështje ideologjike e pushteti, por, siç tregojnë studime për diktatorë të tjerë, edhe një sëmundje personale të lidhur me paranoja e me lloj-lloj devijacionesh të ngjashme me ato të vrasësve serialë, mund të thuhet se Ramiz Alia nuk i ka pasur këto sëmundje, ka qenë, pra, më i shëndoshë mendërisht, prandaj dhe më në kontakt me realitetin.

Gjithsesi, ngulmoj se fakti që pas vdekjes së të atit biri mund të ketë krejt tabiatet e tij apo të shfaqet më i butë, apo më racional, është sekondar në raport me çka thashë në krye. Ramiz Alia, në thelb, e ruajti strukturën e raportit atë i dhunshëm – bir i nënshtruar si dy anë të medaljes së një kulture autoritare, klanore e paternaliste të bazuar mbi besnikërinë dhe nënshtrimin ndaj atit deri në krim. Simpatizantët e tij sot e refuzojnë akuzën se Ramiz Alia ishte kriminel, qoftë edhe pse ka ngritur dorën për të gjitha krimet e Enver Hoxhës. Sipas meje, nuk ka asnjë dyshim se Ramiz Alia është përgjegjës për krime të rënda, ndonëse s’mund të konsiderohet si iniciuesi apo inspiruesi i tyre. Mjafton firma për pushkatimin pa gjyq të 21 intelektualëve më 1951-shin, ndërkohë që krimi i vrasjes, sikurse dihet, ishte kryer tashmë nga kriminelë shumë më të egër si Enver Hoxhe e Mehmet Shehu, për ta mbështetur këtë akuzë. Sikur këta të mos e kishin firmosur atë letër, jo vetëm nuk do të merrnin përgjegjësitë për këtë krim, por me siguri do të kishin evituar krime të tjera që ndodhën edhe më vonë.

Në fakt, kur i atribuohet merita se bëri kalimin “pa gjak”, askush nuk thellohet të bëjë pyetjen: Pse flitet kaq shumë për gjakun, madje ka shumë nga ata që thonë se gjaku duhej? Sepse Ramiz Alia dhe shokët e tij kishin kryer shumë krime të përbindshme si këto, jo vetëm ndaj mijëra burrave e grave të pafajshme, por edhe ndaj foshnjave e fëmijëve që jo vetëm i lanë pa prindër, por edhe i plasën nëpër internime dhe u mohuan ato që sot quhen të drejta themelore të njeriut, si ajo e të qenit i barabartë përpara ligjit, ajo për arsim, për shëndetin etj. Lehtësia me të cilën simpatizantët e nderuesit e tij i hedhin prapa shpine këto krime, edhe tani që kanë dalë në dritë të diellit me krejt shëmtinë e tyre, duke ia veshur “atit” apo “kohës”, apo duke i përmendur vetëm merita, është simptomë e asaj që thashë më sipër, e një shoqërie që nuk ka kryer “atëvrasjen”.

Ja pse ngulmoj se ky lloj qëndrimi nuk është çështje personale e një njeriu, por çështje e një trashëgimie kulturore që Ramiz Alia e gjeti në shoqërinë shqiptare dhe e thelloi, do të thosha, me jetën dhe veprën e tij, duke përfshirë edhe kujtimet e tij. Ulërimat e Sabahet Kasimatit, që e tërhiqnin zvarrë për ta vrarë përfundimisht e për ta hedhur në gropën e përbashkët me 20 të pafajshmit e tjerë, do të duhej të mos e linin të qetë ndërgjegjen e çdo njeriu normal që jeton sot në Shqipëri, dhe jo më Ramiz Alinë që e ka firmosur atë akt. Kurse ai jo vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, por edhe pas vdekjes së regjimit që ndërtoi Enver Hoxha, nuk e mohoi kryekriminelin, ashtu sikurse këta njerëz nuk mohojnë Ramiz Alinë. Sepse, në fakt, kultura autoritare paternaliste nuk vë të vërtetën, principin, idealin, të drejtën mbi çdo gjë, por autoritetin e atit dhe mbijetesën e klanit që ai përfaqëson. Thënia e Brutit “e vrava Cezarin jo pse nuk e desha, por sepse desha Romën më shumë se atë”, sipas kësaj kulture bëhet: “E dogja Romën jo pse nuk e doja, por se doja Neronin më shumë se atë”.

Dikush, si kundërargument, do të më kujtonte se ai lejoi rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, ashtu sikurse lejoi arrestimin e Nexhmije Hoxhës. Kur flas për atëvraje apo mohim të atit në kuptimin psikologjik, apo qoftë edhe fizik, si nevojë për çlirim nga dhuna autoritare e klanit dhe kapos së tij, si dialektikë zhvillimi drejt më shumë lirie, barazie, drejtësie dhe demokracie, si afirmim i personalitetit tënd individual, kam parasysh një veprim të vullnetshëm të motivuar nga bindja e thellë. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, apo arrestimi i Nexhmije Hoxhës, apo edhe ndonjë fjalë aty-këtu që ka shkruar Ramiz Alia në kujtimet e tij lidhur me “gabimet” e regjimit, nuk janë diktuar nga këto bindje të thella, por kanë qenë thjesht instrumente të mbijetesës së tij, shenjë e oportunizmit të tij. Dhe kujtoj se, ndryshe nga ç’mund të mendohet, ky oportunizëm ka qenë edhe karakteristikë e atit të tij Enver Hoxha. Mjaft të kujtosh servilizmin e tij ndaj Titos, atë ndaj Hrushovit apo Kinës dhe pastaj prishjet dhe fjalët e zeza për ta për të kuptuar se në këtë aspekt, Ramiz Alia nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur mësimet e të atit.

Në kontekstin e gjithë sa shtjellova më sipër, ngulmoj se Ramiz Alia është sot midis nesh. Politikanë që sillen e veprojnë, në thelb, njëlloj si ai sot janë raca më e përhapur. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se edhe kur flasin për krimet e Alisë apo të kundërshtarëve në përgjithësi, këta nuk kanë as sy, as veshë, as gojë për të parë e për të folur e protestuar për krimet e kohëve të reja të bosëve të tyre. Në një shtet të së drejtës, Ramiz Alia mund të konsiderohej përgjegjës si bashkëfajtor në krimet e Enver Hoxhës dhe të dënohej, por në një shtet të së drejtës duhet të kishte fajtorë dhe bashkëfajtorë edhe për afro 3000 të vdekurit e ‘97-s, edhe për mbytjet në det të mijëra shqiptarëve, edhe për atë të gjorin që e hodhi në kanal një ish-kryeministër pasi e shkeli me makinë, edhe për Gërdecin, edhe për 21 janarin, edhe për bashkëpunime me mafiozë, edhe për korrupsionin e pafundmë etj.

Por, problemi është se ne nuk ngremë dot një shtet të së drejtës mu për shkak të trashëgimisë që na ka lënë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Sepse përsëri vazhdojmë të vëmë dashurinë apo nënshtrimin ndaj Neronit mbi atë për parimet e së drejtës dhe së vërtetës. Kështu, nesër, nga brezi që po vjen, ka shumë gjasa të flitet për krimet e ndodhura në këta vjet të të ashtuquajturit tranzicion, për korrupsionin, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, lektisjen e Shqipërisë, njëlloj siç flitet sot për komunizmin, duke ia veshur ato ndonjë Hoxhe apo ndonjë Alie tjetër, por duke vazhduar të kryhen krime të tjera në emër të dashurisë ndaj të tjerë bosëve të klaneve, mu pse nuk duam të kuptojmë se e keqja është midis nesh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama