Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk jam Viking

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Nuk jam Viking

Zilja ra dhe një vajzë në të njëzetat me një dosje në dorë u shfaq në derë. Prania e saj fizike më bëri të kuptoj se puna e CENSUS-it nuk qenkësh vetëm muhabet gazetash e debat kamerash, por edhe çështje reale që kërkon që çdo shqiptar ta përballë personalisht. Censusi qenkësh një formular me disa faqe, ku janë rreshtuar nja dyzet e ca pyetje tërësisht normale për një shtet normal; dhe dy pyetje jonormale, qoftë edhe për një shtet jonormal e të deformuar si ky i yni. Frika nga shteti është ndoshta e vetmja frikë që i shton vlerë njeriut të qytetëruar, ndaj edhe respekti për këdo që shfaqet në derë në emër të tij duhet të ngjallë respekt. E them këtë për t’i bërë thirrje kujtdo që ma dëgjon llafin që, përtej atyre që u thanë nëpër televizorë, t’i presë me respekt e t’u hapë derën këtyre vajzave që thjesht po zbatojnë një detyrë për të cilën edhe paguhen. Nuk zgjidhet kjo punë duke mbyllur derën si qëmoti kur mbylleshin nëpër kalara; ose duke iu grisur letrat, si Qazim Mulleti që griste kamunikatat kamuniste, por duke e përballuar problemin dhe duke e parë në sy.

Të vijmë tani tek ato dy pyetjet që e bënë çorap dhe e zhvleftësuan gjithë këtë ndërmarrje. Sefte, kur u hap ky debati i vetëdeklarimit të kombësisë, mendova se ndoshta kish ardhur koha që pas 100 vjetësh që përpiqemi të bëjmë shqiptarët (pasi etërit bënë Shqipërinë) të shohim se sa ia kemi dalë. Pra, e thënë pa pompë e bujë, ndoshta ka ardhur koha që secili ta vetëdeklarojë se çfarë ndihet. Mirëpo pasi u thellova ca, pashë se megjithëse ka kaluar plot një shekull, problemet e shqiptarëve kanë mbetur pak a shumë po ato: identitet me probleme, fqinjë agresivë, rrezik asimilimi, probleme emigracioni, përzierje e fesë në politikë, shtet që shet veten, politikanë që shesin shtetin e tyre. Kështu që po ta bëjmë këtë punë me vetëdeklarim, rrezikon që sërish kushdo që ka një hall me fqinjin dhe ia ka zënë fqinji kokën me derë, nga halli të deklarohej ç’t’i kërkohej e jo ç’është vërtet.

E parë më thellë pastaj, etnia është çështje gjaku, ndërsa besimi është çështje zemre. Njeriu lind ai që është e nuk e ndërron dot edhe sikur të kalojë ylberin, ndërsa besimi fetar është çështje ndërgjegjeje që, përtej asaj që na transmetojnë prindërit, kur rritemi e bëhemi të ndërgjegjshëm, mund ta këmbejmë a mund të mos kemi fare. Këto gjëra janë thënë e stërthënë, por meqenëse nuk ka shurdh më të keq se ai që s’do të dëgjojë, është e kotë që ia themi njëri-tjetrit kur ai që duhet të dëgjoja, pra qeveria jonë, e ka mbledhur mendjen t’i shkojë të keqes deri në fund.

Kështu, pasi hoqa dorë nga thirrja “le të vetëdeklarohemi”, u gjenda përpara pyetjes tjetër, po atëherë si i bëhet që kjo thikë që po i ngul në shpinë shqiptarisë qeveria e shqiptarëve, të dhëmbë sa më pak e të bëjë sa më pak dëm? Në këtë pikë i dhashë karar se ka vetëm një rrugëdalje. Kur gjermanët në pranverë të 1940-s kaluan kufirin e Holandës, ishin një makinë luftarake e tmerrshme dhe asgjësuese që s’kishte zot t’i bënte ballë. Holandezët e butë e të qytetëruar, e kishin të qartë që çdo përpjekje për rezistencë vetëm se do të shkatërronte atdheun e tyre edhe ashtu delikat. Të zënë ngushtë, asokohe ata bënë vetëm një gjë të vockël, por aq mund të bënin. Ndërsa kolonat e blinduara të Wehrmacht-it, zhurmonin udhëve, holandezët hiqnin tabelat e rrugëve për t’ju vonuar marshimin. Diku tjetër nëpër udhëkryqe, u ndërronin kahun shigjetave që tregonin drejtimin e vendbanimeve e kështu me radhë. Gjermanët vinin vërdallë nëpër ultësirat e Vendeve të Ulëta me harta në duar që u ishin bërë lëmsh. Gjë e vogël vërtet, po ç’të bënin tjetër të zeztë holandezë, t’i binin murit me kokë?!

Tani, këtu te ne, jemi rehat se s’ka fare adresa e tabela, kështu që këtë metodën e holandezëve nuk e përdorim dot. E vetmja gjë që mund të bëjë çdo shqiptar, është që dy pyetjeve të turpshme, t’u përgjigjet “roma për toma” ose “kodra pas bregut”, për t’i hequr kështu seriozitetin dhe besueshmërinë çdo rezultanteje që do të dalë prej tyre.

Unë vetë, kur më erdhi radha, pyetjes “Përkatësia etno-kulturore”, u përgjigja: “Viking”. Po, po, nuk bëj shaka. Ca më poshtë, pyetjes “Besimi fetar” iu përgjigja: “Budist”. Se pse zgjodha budizmin do t’ua them në fund të këtyre radhëve. Kështu të paktën, kur të dalin rezultatet e censusit, në to do të rezultojë që në Shqipëri paska edhe Vikingë dhe madje “Viking budist” dhe paskëtaj s’besoj se do të ketë njeri që ta marrë seriozisht atë regjistrim.

Ajo vajza që bënte regjistrimin, nuk hezitoi të shkruante në formular “Viking” dhe “Budist”, dhe kështu u përjetësova si i tillë. Hej dreq o qeveri e dreqit, që na bëre ti themi vetes vikingë kur më shumë se kurrë duam të jemi shqiptarë! Kjo punë mund të kish vetëm një të keqe, fëmijët e mi kur të rriten mund të marrin vesh se babin nuk e paskan bektashi Kolonje, por budist nga Vikingistani, por kjo s’më tremb se ndaj po e sqaroj me këtë shkrim.

Pasi mbylla deklarimin tim, bëra nja dy telefonata poshtë e lart miqve të mi, për të parë se ç’kishin bërë ata. Auron Tare ende nuk i kishte parë në derë regjistruesit, por ideja ime i shkoi pas midesë. Pa një pa dy më tha se “po të jesh ti viking, i bie që unë të jem norman, kështu që si i tillë do të deklarohem”. Ndërsa Tan Shkreli ma hodhi, se përpara meje e kish plotësuar formularin pa zhurmë e bujë dhe ishte deklaruar etnikisht “Kelt”. Keltët kanë qenë ca fise të egjrish që, në kohët e parahistorisë, kanë bredhur poshtë e lart Europës. Dreqi e di sa mund të jetë kelt Europe Shkreli i shkrepave të Shkrelit, ose norman nga ata të Robert Guiskardit Auron Tarja, siç edhe unë mund të kem ndonjë pikë gjaku viking, se edhe këta kanë ardhur për plaçkë deri në anët tona.

Një tjetër mik më tha diçka edhe më të çuditshme. I mëdyshur ç’të deklarohej, i kish kërkuar një mendje vajzës që bënte regjistrimin. Ajo i ish përgjigjur me kurajë se edhe ajo vetë ishte kundër këtyre dy pyetjeve, por s’kam ç’bëj, po bëj detyrën, ndaj kam vendosur të deklarohem çifute. Në këtë pikë, mikut tim i ish ndezur llamba e idesë në kokë. U regjistrua grek etnik me besim mysliman. S’besoj të ketë gjë që të bëjë më nervozë grekomanët, sesa një grek mysliman!!!

Tani në fund, t’ju shpjegoj se pse zgjodha të deklaroj budizmin si besim fetar. Budizmi është një besim shumë i përmbajtur dhe që predikon durimin dhe qetësinë. Ndaj, vetëm me një besim të tillë mund të durojmë një qeveri si kjo e jona që po na zhbën e po na hollon edhe gjakun e gjysh-stërgjyshërve. Këtë shkrim nuk e bëra vetëm për të sqaruar fëmijët e mi, por edhe për t’i bërë thirrje kujtdo që ndihet shqiptar, që të deklarohet viking, kelt, lapon, çinimancin, maor, norman, actek a inkas, e ç’të mundet tjetër. Shqiptar të bën gjaku i të parëve dhe jo letrat e pavlera të kësaj qeverie.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama