Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Paqja për paqe', më e keqe se lufta

Shkruar nga: Preç Zogaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Preç Zogaj
'Paqja për paqe', më e keqe se lufta

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carole Muller-Holtkemper, nuk pati sukses në përpjekjen e saj për të realizuar një shtrëngim duarsh midis zotit Rama dhe zotit Berisha gjatë një aktiviteti të fondacionit gjerman “Fridrich Elbert”. Të gjithë e pamë si doli huq tre herë radhazi në rolin e Irenës krahëhapur të paqes. Berisha nuk lëvizi nga vendi, edhe pse dukej i gatshëm t’i jepte të dyja duart sapo dikush të afrohej për t’ia shtrënguar. Nga ana e tij, Edi Rama u kap për momentin në kurthin e mirësjelljes ndaj një gruaje të respektuar që po i propozonte diçka që nuk e kishte në agjendë. Por instinkti i tij i çastit fitoi mbi keqardhjen që duhej t’ia prishte një zonje te nderuar që kishte referuar pikturën e famshme të Pikasos “Guernika” për të treguar ngjyrën e hirtë të zgjedhjeve të 8 majit. Më thotë mendja se për shpirt vetëm asaj nuk do të kishte dashur t’ia prishte. Qëllimet e saj ishin padyshim vetëm të mira. Pasi ia kishte dalë t’i bashkonte në një veprimtari dhe t’i afronte në një panel dy politikanët më të rëndësishëm të Shqipërisë- dhe kjo nuk ishte pak për këtë periudhë të nderë postzgjedhore – zonja Carole kishte menduar të shkonte më tej. Në këtë pikë, më thotë mendja se i kishte prerë drutë pak shkurt, siç themi ne shqiptarët. Duarshtërngimi me Berishën pas zgjedhjeve të 8 majit dhe pas publikimit të raportit të ODHIR-it, ndërkohë që nuk ka ende asnjë qëndrim dhe asnjë propononcim të kreut të qeverisë për verdiktin e arbitrit ndërkombëtar për Tiranën, do të ishte diçka foshnjore, e padobishme,e padenjë, për të mos thënë edhe turpëruese për shefin e opozitës.

Shqipëria e pa me sy si u tjetërsua fitorja e ngushtë e Edi Ramës në Tiranë dhe si u fabrikua në shkelje flagrante të ligjit, koherencës dhe logjikës elementare mandati i Lulëzim Bashës. Prapa këtij operacioni kompleks, që sakrifikoi integrimin për bashkitë dhe vuri luftën para paqes qëndronte Berisha. Nuk ka në koalicionin qeveritar asnjë autoritet tjetër që të marrë përsipër lojëra kaq të rënda, me kosto të madhe për vendin, përveç zotit Berisha. Raporti i ODHIR-it për Tiranën e ka pasqyruar me imtësi morfologjinë e këtij operacioni duke rrëzuar de fakto, me autoritet e arbitrit ndërkombëtar, KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor. Rrjedhimisht edhe mandatin e Bashës që nuk e di si ia bën zemra të verë fashën e kryebashkiakut të Tiranës pas atij raporti. Arbitri ndërkombëtar është shprehur shumë qartë se ankesa e PS-së për mospërputhjen e numrit të votave me numrin e votuesve ishte në afat, pra zgjedhjet në Tiranë minimalisht duhet të përsëriteshin.

Zgjedhjet në Tiranë përcaktuan vetvetiu raportin e ri midis kryetarit të qeverisë si protagonist dhe përfitues i manipulimeve dhe shefit të opozitës si subjekt politik dhe individual i bastisjes. Berisha mori bashkinë, por humbi në kuptimin politik të fjalës shefin e opozitës. Për mendjet e hapura dhe për shoqëritë e hapura kjo është një humbje fort e madhe. Berisha ka bërë llogarinë e vet. Tani ai, me demek, po e gëzon prenë e fituar me duart e Arben Ristanit dhe Sashenka Jonuzit, duke shpresuar që raporti tepër kritik dhe turpërues i ODHIR-it për sistemin e tij të harrohet. Kurse Rama, ndryshe nga ç’mendohej teksa ODHIR-i ia nxori në shënjestër regjimin votvjedhës, ka vendosur që lavjerrësi i aksionit opozitar të anojë dukshëm nga Kuvendi i Shqipërisë, ku opozita parlamentare do të përpiqet të mbajë në binarë me sa ka mundësi trenin e integrimit të vendit në Europës. Është reagimi befasues, por normal në fakt i një politikani dhe opozite që sheh se e drejta në lidhje me problemin kyç të zgjedhjeve është kthyer e gjitha në favorin e tyre. Kthimi i së drejtës është një objektiv që forcon, por nuk ka përse ashpërson. Të drejtën mund ta humbasësh shpejt, nëse e tepron me të. Deri këtu përballja e opozitës me shumicën në Kuvend, bashkëpunimi për reformën zgjedhore në Komisionin përkatës, përballja e shefit të opozitës me shefin e qeverisë në forume të ndryshme është diçka e natyrshme, e pashmangshme, më saktë e panevojshme për t’u shmangur. Por që shefi i opozitës të shkojë t’i japë dorën tak-fak shefit të qeverisë kur ky as falje nuk ka kërkuar dhe asnjë masë nuk ka marrë në lidhje me raportin e ODHIR-it, kjo do të ishte njëlloj si t’i thuash tjetrit faleminderit që prishe zgjedhjet, faleminderit që më grabitët mandatin, urime që na e vonove edhe ca vite të tjera integrimin në Europë! Kjo sjellje poshtëruese nuk mund t’i kërkohet askujt nga askush. Ca më pak shefit të opozitës.

Miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë i nderojnë politikanët shqiptarë kur u kërkojnë të ngrihen mbi veten për interesat e vendit. Por edhe i fyejnë kur u propozojnë diçka teatrale pa thelb, diçka që nuk është në kohën e duhur apo merr kuptime tjetër për tjetër në kontekstin e problematikës që ka Shqipëria. Ne jemi në rrezen e kulturës perëndimore. Vizionet perëndimore për bashkëjetesën, bashkëpunimin dhe dialogun politik vinë tashmë në vendin tonë të vogël drejtpërsëdrejti nga librat, mendjet, institucionet dhe forumet më të ndritura të botës euroatlantike. Pavarësisht nga këto që kanë ndodhur para dhe pas 8 majit, opozita e Shqipërisë nuk është në luftë antagoniste në kuptimin “o unë, o ti” me qeverinë. Siç do të thoshin grekët e vjetër, opozita është në një luftë agoniste me qeverinë, si shprehje e papajtueshmërisë me shumë veprime dhe vizione të saj, por duke pranuar si të tillë dhe duke ndarë me të përgjegjësitë për vendin e përbashkët. Ajo që ndodhi në veprimtarinë e fondacionit gjerman “Fridrich Elbert” është në një farë mënyrë holograma e politikës se opozitës “luftë antagoniste jo, por as paqe me këtë qeveri”. Shtrëngimi duarve është ende larg. Në mes është një reflektim i gjerë i qeverisë dhe një reformë e tërë për tu bërë. Pastaj shtrëngimi i duarve nuk do të ishte teatral. Përvoja ka treguar se politikanët shqiptarë, rëndom, e kanë bërë keq edhe luftën, edhe paqen. Së paku këtë të dytën ta bëjnë mire tani e tutje, nëse do ta bëjnë. Më mirë përballja civile në Kuvend dhe në forume jashtë Kuvendit, se sa të prodhohen gjeste “të paqes për paqe” që e kalbin edhe me keq vendin me mbështetjen që i japin korrupsionit dhe malavitës në përgjithësi. Më mirë të punohet me grindje në Komisionet Kuvendore se sa të inskenohen skenat e një dialogu të porositur dhe libresk që ka prodhuar me shumë iluzione se rezultate. Në lidhje me dialogun që po kërkohet është shumë aktuale për situatën politike në Shqipëri ajo që ka shkruar Klaudio Magris për humanistin e madh Erazmus në esenë “Panairi i tolerancës”.

Shkruan Magris: “Erazmusi i referohet një ndjenje misterioze, që e nxit të mos besojë te lufta, debatet dhe përballja në të cilën ai ka përfshirë gjithë forcat e veta. Humanisti dhe njeriu i dialogut, Erazmusi, ndjen se dialogu – nëse nuk bazohet mbi një afinitet të mëparshëm vullnetar apo afërsi thelbësore mendimi, e cila e bën dialogun të tepërt megjithatë, – është i padobishëm”. Ky citim i thellë duhet lexuar me vëmendje, pse jo disa herë nga ata që nuk e kuptojnë menjëherë. Duhet kuptuar vetë. Komenti vetëm do ta prishte.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama