Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi WikiLeaks dhe Temën

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Mbi WikiLeaks dhe Temën

Në një prononcim për shtyp mbi dokumentet e WikiLeaks-it, Berisha tha se nuk ka asgjë të re, janë gjëra që i ka parë në shtypin e përditshëm shqiptar. Ky është një pohim që duket i pakundërshtueshëm, por që paradoksalisht askush  s’e beson. Vërtet shumicën e atyre gjërave që thuhen në kabllot i kemi lexuar apo dëgjuar , por ato, megjithatë kanë një rëndësi të veçantë – me gjithë përpjekjen e Berishës për të na thënë se asgjë e re s’ka ndodhur. Po pse kështu? Së pari, sepse ato, ndryshe nga ç’thotë Berisha, nuk janë thjesht grumbullim faktesh. Nga dokumentet del qartë se Ambasada e SHBA, për t’u informuar mbi çfarë ndodh në emër të interesave të veta më së pari, por edhe të vendit që konsiderohet aleat në NATO, mban kontakte me politikanë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndjek shtypin. Kuptohet se s’ka se si të mos ndodhë që shumëçka nga ato që këta thonë në publik, ta thonë edhe në Ambasadë. Por kabllot, megjithatë, nuk janë thjesht një renditje e informacioneve që ata vjelin. As një bashkim mekanik i atyre që thonë politikanë e gazetarë të maxhorancës dhe të opozitës.

Ato janë më shumë se kaq, sepse janë edhe shqyrtim e seleksionim i tyre mbi bazë kredibiliteti, janë edhe të shoqëruara me konkluzione e komente si sintezë logjike e informacionit të mbledhur. Në një farë mënyre, pra, ato çka thuhen aty identifikohen me të vërtetën që nxjerrin amerikanët për këtë vend, veçanërisht do ta thosha këtë duke iu referuar komenteve dhe konkluzioneve. Së dyti, ato janë të rëndësishme nga fakti se këtë punë e bën një aktor i huaj që nuk është i përfshirë në luftën politike shqiptare, pra që s’ka interesa të lidhur me partitë që merren në shqyrtim. Së treti, se ky aktor nuk është dosido, por ambasada e shtetit më të fuqishëm në botë që, pa dyshim, ka pushtet e ndikim të madh mbi politikën shqiptare. Së katërti, sepse shqiptarët vetë i mbajnë shumë sytë nga SHBA e të huajt në përgjithësi me shpresën se do t’i nxjerrin këta nga balta ku kanë ngecur.

Cili është konkluzioni që del duke lexuar raportimet e ambasadorit Withers dhe jo vetëm? Sipas çfarë kam lexuar, konkluzioni kryesor del në një kabllo dramatike, ku thuhet se “ligjin në Parlamentin shqiptar e bëjnë kriminelët”, i cili përfundon me këtë vërejtje: “Ky është një fenomen shumë shqetësues, me të cilin ne (kupto SHBA) dhe komuniteti ndërkombëtar do të duhet të merremi në një të ardhme”. Në konkluzionet bie po ashtu në sy se nuk bëhet dallim midis maxhorancës dhe opozitës në këtë drejtim. E njëjta gjë kur flitet edhe për ngjashmërinë midis Berishës dhe Ramës përsa i përket prirjes për të kontrolluar gjithçka në emër të pushtetit të tyre e të klientelës së tyre.

“Një pikë dritë” vjen, sipas Ambasadës, nga fakti se ka disa pak deputetë që kanë filluar të bëhen të vetëdijshëm se Shqipëria nuk duhet të ketë kriminelë në Parlamentin e vet. Por, Ambasada, gjithsesi, është e shqetësuar kur shtron pyetjen  “se sa kohë do të na duhet për t’i hequr këta rufjanë nga pushteti?” – sepse Shqipëria e njerëzve të ndershëm është e varfër, sepse mungon transparenca, se ka një Gjyqësor dhe Prokurori që kuptohet qartazi se janë të pafuqishëm për të vepruar kundër “peshqve të mëdhenj” edhe për shkak se janë të infektuar rëndë nga korrupsioni. Pesimizmi shtohet kur sheh se të njëjtat  konkluzione të errëta hidhen edhe mbi rolin e gjendjen e mediave shqiptare, të cilat cilësohen si medie ku “pavarësia është përjashtim dhe jo normë” dhe ku “politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.

Me fjalë të tjera, sikur amerikanët të mos kishin thjesht e vetëm autoritetin moral, por të kishin në komandën e tyre edhe Prokurorinë e Gjyqësorin, në Shqipëri do të ishin hapur një numër i madh procesesh të bujshme që do të çonin në shkrirjen e dy partive të mëdha e të disave më të vogla dhe pluralizmi shqiptar, e shumëçka rreth tij do të fillonte nga e para. Në fakt, kjo është ajo që kërkojnë shqiptarët e thjeshtë në mënyrë naive nga amerikanët. Mirëpo kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse, sikurse e provon edhe përvoja e vendeve arabe, ndryshimi nuk mund të vijë dot nga amerikanët nëse nuk lëvizin shqiptarët. Ata mund të japin vetëm një dorë dhe, për më tepër, ne jemi në një sistem tjetër nga ai i vendeve arabe, sepse jemi në një demokraci, paçka se në kuptimin më të keq që i japin disa autorë kësaj fjale: si sistemi më i sofistikuar për të fshehur e zbutur shfrytëzimin dhe grabitjen e njerëzve dhe jo si pushteti i këtyre njerëzve, siç e do fjala. Duke qenë kështu ne kemi ende iluzionin se, edhe me ndihmën e amerikanëve, dy bandat që kemi në drejtim të vendit tash njëzet vjet, do të mund të shndërrohen në parti normale e se Gjyqësori, mediat dhe bizneset do të çlirohen nga kthetrat reciproke që i lidhin me këto banda. Dokumentet e WikiLeaks-it tregojnë jo vetëm se “e vërteta hollohet, por nuk këputet”, por edhe se edhe ashtu “e holluar” ajo punon në këtë drejtim.

Në këtë pikë përfitoj nga rasti të sqaroj disa lexues që më kanë kërkuar të vërtetën mbi përfshirjen e emrit tim në një kabllo të Ambasadës lidhur me gazetën “Tema”. Sipas kësaj kablloje, në një eveniment në Ambasadë i kam thënë njërit prej funksionarëve se “pronari i Temës (i kujtoj lexuesit se bëhet fjalë për Beson e Tajvanit, jo për Mero Bazen), ka interesa të rëndësishme financiare”. Më tej thuhet se “Lubonja dhe gazetarë të tjerë e kritikuan rrahjen e Bazes, por janë të kujdesshëm të vënë në dukje se Tema, që dikur ka qenë pro-Berisha, është kthyer në anti-Berisha kur marrëdhënia e tyre reshti së qeni fitimprurëse materialisht”.

Personalisht nuk e kujtoj këtë bisedë, por konfirmoj se si gazetar dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kam pasur kontakte me Ambasadën Amerikane prej kohësh dhe se i gjej ato që thuhen në këtë kabllo, për mediat në përgjithësi dhe Temën në veçanti, në përputhje të plotë me mendimet e mia. Gjej, po ashtu, se dy pohimet që më atribuohen janë shumë pak në krahasim me çfarë kam shkruar e thelluar në artikuj, si: “Pse u shit/ble gazeta Tema”, “Gazetarë llogoresh”, “Mbi mizerabilitetin e mediave”, “Punë batakçinjsh” etj. (Të gjitha të botuara në gazetën “Korrieri”, që nuk ka pasur pronar Frangajn e Klanit, por të njëjtët pronarë për të cilët punonte asokohe Mero Baze, ata të Vizion +). Madje, në shkrimin “Punë batakçinjsh” (Korrieri 28 dhjetor 2009,  http://perpjekja.blogspot.com/search?updated-min=2009-01-01T00%3A00%3A00%2B01% 3A00&updated-max=2010-01-01T00%3A00%3A00%2B01%3A00&max-results=50…), kam shtjelluar qartë se pretendimi i Bazes se Berisha në 2005-n ka qenë i ndershëm, por u korruptua nga familja, është një gënjeshtër që e provon pikërisht rasti i Bazes dhe i atij që u bë më pas pronari i Temës.

Pasi kam komentuar shitblerjet spekulative të ndërtesës së ish-”Tajvanit” si grabitje të pronës publike (shoqëria e PD Shqiponja në 1997-n ia shiti një biznesmeni për një shifër të ulët, i cili, ia shiti një greku për 750 000 dollarë, i cili, vetëm pas gjashtë muajsh ia shiti Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë) kam shtjelluar edhe se si pronarit të ri i duheshin edhe 1300 e ca metra katrorë pronë publike përreth; se si për ta blerë këtë me një çmim qesharak i duheshin, përveç votave të këshilltarëve të mikut Rama, edhe votat e të paktën dy këshilltarëve të PD (që na kishte premtuar se do ta hiqte kazinonë e Besos nga Tajvani dhe e kishte akuzuar këtë si simbol të korrupsionit të socialistëve) dhe se si, për këtë, i erdhi në ndihmë kush: vetë këshilltari i PD, Mero Baze, që shkoi në zyrën e Berishës një ditë para votimit, i mori dorën këtij … dhe votimi e pastaj shitja “u kryn”. Dhe pastaj, gazeta “Tema”, megjithëse me humbje, u shit nga Merua tek Besua për 500 000 euro – histori kjo që vërteton se Berisha ka bërë korrupsion me njerëz si Merua shumë më herët nga koha kur ky filloi t’i sulmojë familjen si shkak i korrupsionit të tij e se, madje, e ka bërë edhe me njerëz të PS, duke konsoliduar kësisoj të njëjtin sistem.

Siç shihet, pra, mendimin se Merua, i cili njihet si gazetari që për 15 vjet i ka shërbyer Berishës si tub i jashtëqitjes së pjesës së tij më të keqe (po të perifrazojmë një shprehje të Edi Ramës mbi gazetën ku ky punonte asokohe), nuk është prishur me Berishën dhe bashkuar me Ramën për çështje ndershmërie, por me logjikën e banditit që, po s’u pagua si duhet, kalon në bandën tjetër, e kam shprehur shumë më detajuar në shtypin shqiptar. Këtë mendim e kam konsoliduar edhe më fort kur kam parë se Merua, që s’ka lënë gjë pa thënë për korrupsionin dhe klientelën socialiste në përgjithësi e të Ramës në veçanti, jo vetëm reshti së kritikuari këta, por filloi të punojë si “tub” i bosit të ri me të njëjtin gjuhë e stil. Duke qenë se kam menduar e shkruar kështu, s’kam pasur se si t’i them të tjera gjëra kujt më ka pyetur në Ambasadë.

Dhe komenti i Ambasadës, pasi ka shoshitur tërë burimet, duke përfshirë edhe versionin e Bazes, është ky: “Historia e Temës është historia e gazetarisë shqiptare në mikrokozmos. Baze ka përdorur lidhjet e tij të afërta me Berishën për të ngritur gazetën dhe për të tërhequr mbështetës financiarë për Temën dhe, sipas disave, për të pasuruar veten”. “Shkurt, mbyllja e Temës na hedh dritë të keqe mbi klimën e pashëndetshme të mediave shqiptare, ku politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.

Ky realitet shqiptar është i dukshëm për të gjithë, me gjithë shoshën që përdorin gazetarët e bandave për ta mbuluar atë. Si pjesë e vrimave të kësaj shoshe ishte edhe gjuha e Hoxhës që përdorën disa duke na cilësuar ne që ftohemi në Ambasadë (në fakt edhe ata janë ftuar) si “spiunë” të Ambasadës, a thua se paskam pirë ndonjë kupë gjak me padrinot e tyre që më detyron të ruaj sekretet e krimeve të bandës, apo se i paskam shërbyer Berishës, ndërkohë që Mero e di mirë se në shkrimin që përmenda e kam cilësuar edhe Berishën si atë: batakçi.

Për hir të së vërtetës, presioni i asaj që e kam quajtur gazetari e llogores, e gjysmë të vërtetave e larjes së mëkateve vetjake duke denoncuar mëkatet e kundërshtarit, e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin, që, tek e fundit, kërkon të përjetësojë sistemin e dy bandave që zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet, është i madh. Në “Liri e mediave apo liri e shprehjes” (Korrieri, 12 nëntor 2009), kam shkruar se “mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë (dhe jo vetëm) t’i paraqesin ato (…). Në Shqipëri, viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër (…). Sepse mediat tek ne janë, fatkeqësisht, një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri”. Megjithatë, gazetarët nuk janë të gjithë njëlloj.

Ka nga ata që e kritikojnë këtë gazetari në emër të pavarësisë së pushtetit të katërt, ka nga ata që e vuajnë pasivisht, edhe pse nuk e thonë dot një fjalë kundër tij, ka nga ata që kërkojnë ta mbajnë më këmbë si mënyrë mbijetese e pasurimi; ka edhe nga ata që këtij shërbimi të keq i mbivendosin edhe ligësitë personale, injorancën dhe moralin e shprishur thellë. Besoj që shkrimet dhe prononcimet e mia të shumta lidhur me këtë temë vërtetojnë se unë bëj pjesë ndër të parët. Dhe ndjehem mirë kur shoh se edhe përfundimet e Ambasadës përkojnë me idetë dhe të vërtetat e mia.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama