Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Qeveria i ikën jugut

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Qeveria i ikën jugut

Duke u rikthyer pak ditë më parë nga qyteti që dua dhe ndjej më shumë, Gjirokastra, në segmentin rrugor Memaliaj-Ballsh, shumë herë përjetova pikëllimin. Në ato çaste shumë mendime u vërtitën në mendjen time. Të çuditshme të gjitha. Disa prej tyre, kam arsye t’i zbardh: Si ikanak i përhershëm në këtë itinerar rrugor gjatë 20 viteve të fundit, duke u zgërlaqur nëpër këtë segment përkohësisht të mallkuar, për një çast ngrita dilemën: Kujt i shërben kjo kohëzgjatje e kësaj rruge që nuk mbaron? Kë lodh e kë mërzit kjo vepër e premtuar dhe e bërë për ibret? Si ka mundësi që “Rruga e Kombit” u mbyll në kohë rekord, ndërsa segmenti Levan-Tepelenë ka gati dhjetë vjet dhe ndoshta do të duhen edhe pesë të tjera për t’u mbaruar? Si ka mundësi që segmentet rrugore në këtë zonë, jo vetëm që nuk lehtësojnë shkëmbimin, por përkundrazi, duket se po e bëjnë edhe më tepër evident izolimin e disa komunave dhe fshatrave jugore? Si ia bën Genc Ruli, deputeti i Gjirokastrës dhe ministër nëpër këtë rrugë? Po Vangjel Tavo, nënkryetari i Parlamentit si ia del çdo javë nëpër këtë rrugë, për të mbërritur në Dropull? Mos vallë kjo zvarritje penguese ka ngjashmëri me atë “bllokimin” e çuditshëm të rrugës së shumëkërkuar Kuc-Himarë, të cilën e kanë rinismuar ditët e fundit, pa asnjë mbështetje zyrtare, deputeti opozitar Fatmir Toçi dhe disa idealistë të Bregdetit dhe Labërisë së Vlorës?

Për shkak të kësaj rruge që të shkallmon në lëvizjen tënde, Gjirokastër-Tiranë është distanca që mund të kryhet normalisht për katër orë. Kaq e kam bërë këtë rrugë në vitin 1994, në vitin 1998, pak më shpejt e kam bërë në vitet 2005-2008. Ndërsa tani ky segment ma ka bërë më të largët jugun tim, pra jugun e vendit tim. Kryeministrat e vendit, sidomos katër të fundit, na kanë premtuar me patos se këtë distancë do ta shkurtonin deri në dy orë e gjysmë. Kjo është gënjeshtra më e padëmshme, në historinë mashtruese të tyre. Për këtë shkak, pikëllimi i atij udhëtimi tim, nuk ka lidhje me premtimin e tyre. Por pikëllimi im ka lidhje me atë distancë që mban në fuqi në mënyrë të çuditshme kryeqytetin e vendit me skajet e rëndësishme jugore të vendit. Në këtë gjendje refleksioni, pa dashur më erdhi në mendje filozofema: “T’i shkasë mendja dikujt, shkakton keqardhje, t’i shkasë një brezi, sjell fatkeqësi”. Në rastin e distancës fizike që Tirana po vendos me zonën jugore të vendit, jemi realisht në pasojën fatkeqe.

Në qytetet jugore të vendit, mijëra qytetarë po tëhuajten me vendin, gjuhën, administratën dhe sidomos vetëndjerjen e tyre kombëtare dhe shtetërore. Po, po është një tëhuajtje e rrezikshme, me një raport gati patologjik dhe diversiv. Dy ditë më parë spazma e saj, u duk shkumueshëm në Himarë, atje ku një grup të vetëndjerësh grekë të Himarës fshat, pasuar nga zyrtarë të rëndësishëm dhe të paekspozuar politikë të Athinës zyrtare, sfiduan përmes një akti dhe nojme të qartë etnike dhe politike shtetin dhe komunitetin e vendasve shqiptarë. Janë shenja të shpeshta të evidentimit të distancës që krijon impotenca ndikuese dhe vepruese e shtetit në gjithë hapësirën administrative të tij. Në atë rast, sërish asnjë prej partive politike nuk pati kurajën të ngrinte zërin ndaj aktit të pastër politik dhe etnik. Të gjitha partitë lokale ridëshmuan mosqenien e tyre. Dhe kjo, jo për faj të tyre, por për shkak të servilizmit pervers dhe provincial që politika e institucioneve kombëtare partiake dëshmon në raport me fqinjin tonë jugor. Ky perversitet nuk është vlerë realpolitike, por parë në thelbin e saj, është pastër një paskrupullsi antikombëtare.

Kjo qeveri po i ikën jugut. Po i ikën në një mënyrë të pakuptimtë. Një paaftësi me përmasa në shtim, po karakterizon strukturat e administratës dhe institucioneve lokale në jug për të manifestuar në përditshmëri profilin e qartë, potent dhe ndikues të shtetit kombëtar. Fjala nuk është te policia, as te strukturat e tjera që të shtyjnë në shijen paragjykuese të shtetit autoritar. Jo! Fjalën e kam për shtetin si kujdestar shumëplanësh i përfaqësimit të interesit, dijes, kulturës, kujdesit dhe interesimit qytetar dhe qenies kombëtare. Një shtet që të shfaqet në çdo ditë dhe çdo kohë, në emër të ambicies për të pasur garë kontrasti me shtetet dhe administratat fqinje.

Qeveria e Kryeministrit Berisha po sendërton një marrëdhënie vetëm propagandistike me territorin administrativ të vendit. Kjo lloj marrëdhënieje është një fshehëse e problemeve të mavijosura, sidomos në disa zona e territore ku shfaqen problematika kruciale komunitetesh, si për shembull në Himarë, Korçë e Gjirokastër. Kjo marrëdhënie e ish-kryebashkiakut të Himarës me Kryeministrin Berisha, mbuloi “qelbin” nacionalist që po shton “Omonia” në Himarë. Madje, në emër të së vërtetës, duhet thënë se marrëdhënia mes administratës shtetërore dhe veprimtarisë së omonistëve abuzantë në Himarë, është shëmbëlltyrë e realitetit të viteve 1920 apo 1940, ku urrejtja dhe sidomos patologjia nacionaliste e kësaj skote njerëzore, shfaqet lehtësisht për këdo që mund të bëhet vizitor në Himarë edhe gjatë këtyre ditëve të gushtit. Nëse ecet edhe më tej me këtë shpërfillje institucionale, atëherë në vatra të tilla, shkarja, merr dimensionin e një fatkeqësie që rrokullis ekuilibra dhe rishfaq cene separatizmi të cilat sjellin fatkeqësi e hall kombëtar e fqinjor.

Për këtë arsye qeveria duhet ta ndalë distancën fizike dhe cilësinë administruese të saj me jugun e vendit, qeveria duhet të shkurtojë me çdo kusht distancën e rrugëve, për të mos u ndierë në ditët e ardhme një minoritare (jo greke) që jeton në Tiranë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama