Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mungesa e Greves

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Mungesa e Greves

Jemi në shekullin XXI. Le të thonë gjithë fillozofët e kafeneve të Tiranës, se konflikti i vjetër midis klasave nuk egzistuaka më në botën e sotme; le të tjerrin teorira fillozofët e majtë, të qendrës dhe të djathtët, se sot po u shojtkan dallimet ideollogjike; le të mbajnë konferenca master-xhinjtë e Harvardit, të Jail-it e të Sorbonës, se shekulli i ri na qenkësh shekulli i shuarjes së klasave; le të përtypen programonjësit e majtë e të djathtë, se e paskan të vështirë të gjejnë çështje sociale tashmë që, me integrimin evropian, këto janë çështje të së shkuarës historike. Le t’i bëjnë të gjitha këto diskure sallave të freskëta të Parlamentit e të partive, salloneve komode të Hotel Tiranës e të “Rogner”-it, studiove me poltrona të TCH-së a “Klan”-it, të “Vizion”-it a “Ora News”-it. Le të vazhdojnë kësaj udhe pa mundime, duke rufisur kafe me biskota në pushimet e seancave.

Në anën tjetër, ajo që po ndodh në Bulqizë or ti shoq, është ajo që ndodhte anekënd Evropës 100 a 70 a 50 vjet të shkuara. Është GREVË URIE me të gjitha rregullat “kllasore” të filmave sovjetikë të viteve ‘20. Me duar të ashpra pune të mbledhura grusht, me proletarë të shfrytëzuar në palcë, me shirita të lidhur në ballë, me përpjekje për grevëthyes, me ministra jakëngrirë që u dridhet zëri nga frika, me fëmijë që lotojnë të uritur për baballarët e mbyllur në grevë, me burra të punës të ngujuar thellë nëpër zorrët e tokës, me të gjitha.

Me një ndryshim. Me ndryshimin që ajo çka po ndodh këto ditë në Bulqizë, nuk është film i para një shekulli, por jetë buzëplasur e pas një shekulli. Dhe me një mungesë. Me mungesën e një partie. Të asaj partie që në jetë të jetëve duhet të mbrojë të varfrit para të pasurve, të shfrytëzuarit para shfrytëzuesve, të pafatët para të lindurve me këmishë. Kjo parti mungon se, sipas teorive të politikëbërësve të Tiranës, të BB-së të EU-së, të OSBE-së, të FMN-së, të KE-së, të dreqit e të birit, nuk duhet të egzistojnë më as partia e as proletarët. Po ja që për fatin e tyre të zi ata, proletarët, egzistokan ende këtu, të vetmuar mes politikës me mastera së jashtmi dhe indiferencë së brendshmi.
FEMINIZMI MASKILIST

Feminizmi i fillesave, ai i dikurshmi i shekullit XIX, ka qenë një prej lëvizjeve më fisnike të civilizimit njerëzor, pikërisht se i shërbente dy prej ideve më të rëndësishme të njeriut: barazisë dhe lirisë. Natyrshëm si më të shumtat e gjërave të këtij lloji, nuk mund të lindëte në truall tjetër veçse në Britani, prej nga u përhap anekënd Perëndimit. Përpjekja e grave për barazi me burrat, për të drejtën e votës, për pagë të barabartë, për pjesëmarrje në jetën publike, për të drejtën e trashëgimisë, të mbiemrit, e kështu me rradhë, hodhën themelet e shpërthimit intelektual të dy shekujve të fundit.

Mirëpo tani jemi në shekullin e tretë të kësaj pune. Ndërsa të drejtat u arritën, feminizmi duhej t’i gjente punë vetes në kohët e reja kur çështje të mëdha nuk kishte më. Një sektor i paguar mirë, me mijëra OJQ të strukturuara e të rrjetëzuara në territor anekënd kontinentit, përpiqen thjesht të zbatojnë parimin shkodran “me u gjet Kola në punë”. Tani që edhe çështje që deri diku janë të diskutueshme, si pjesëmarrja e grave në ushtri, në profesione të vështira, apo kuotat e detyrueshme të punësimit, janë arritur, feminizmi po ndjek kurbën e çdo strukture njerëzore, që fillon si përmbajtje dhe përfundon si fasadë.

Më mirë se kushdo, këtë fasadë e kanë kuptuar vendet jo-demokratike, të prapambetura, ekstremiste e të tjera të llojit. Ndërsa femrat në ushtri nuk ishin futur ende në shumicën e vendeve perëndimore, kolonel Gedafi vinte të marshonin para kamerave të Evropës batalione të grave ushtare. Një shfaqje tragji-groteske kjo, po ta mendosh se bëhet fjalë për një vend ku dinjiteti i femrave është vetëm diçka mbi nivelin e kafshës. Apo Ahmedinexhati që, në ekstremizmin më gjaksor fetar të kthyer në ideologji, vendos përpara perëndimorëve interlokutore femra, spikere apo funksionare. Së fundmi, Irani emëroi edhe një ministre femër, të cilën vërtet shërbimet e inteligjencës e përcaktojnë edhe më ekstremiste se ekstremistët, por përpara statistikave për fasadë ama, Irani rezulton me situatë të përmirësuar. Ca ditë më parë, edhe një tjetër karagjoz në pushtet si Çavesi, u shfaq i shoqëruar me një grup femrash veprimtare. Me ç’duket edhe ai në statistikat e OKB-së do dalë në rrugën e përmirësimit. Pak a shumë i njëjti proces po ndodh ngado në këtë kategori vendesh që, pa marrë feminizmin si koncept, morën vetëm fasadën e tij dhe po ja shesin Perëndimit si përmirësim dhe zbutje.

Edhe burrat e mykur të Kosovës (të mykur jo nga mosha por nga mëntë) e kuptuan kaq gjë, duke i mbyllur gojën botës, kur vunë për presidente një femër. Se cili është niveli real i femrës kosovare, nuk do shumë llafe për t’u kuptuar, por burrat me një barrë mënt të Kosovës, ia hodhën Evropës plakë dhe me një gur vranë dy zoq, edhe botës ju treguan në avangardë, edhe rrijnë të qetë se kur të duan e heqin me një gisht atë që vunë.

Sa për ne, as ia vlen të japim shembuj sesa shumë është kthyer në fasadë majmunësh kopjimi i përqindjeve të barazisë gjinore. Sa më shumë partitë flasin e përbetohen për përqindje gjinore, aq më pak gra përfshijnë në listat e tyre; ndaj dhe zgjedhjet e fundit besoj se arritën dyshemenë e kësaj pune, e më poshtë s’ka ku të vejë. Mua më thotë mëndja se këto janë punë që nuk ndreqen me përqindje fallco, por me ndryshim thelbësor, por meqenëse Evropës i interesojnë përqindjet edhe politika që ia ka marrë dorën kësaj pune dhe përqindje i tregon.

S’ka nja dy javë që na u servir një tjetër studim i modës alla-evropiançe, ku mes grafikëve e përqindjeve, rrihej të na mbushte mendjen se gratë punojnë e burrat rrijnë dhe Shqipëria do ndreqet po të përmbyset kjo punë. Ka edhe një argument të sheqerosur që përdoret në këto raste, duke thënë se pjesëmarrja e femrës në politikë e zbut politikën. Mirëpo them se mjafton shembulli i Kryeparlamentares sonë për t’i hequr kujtdo dëshirën që ta përdorë këtë argument.

Deri tani folëm për përqindjet që u dashkan arritur gjallë a vdekur, nën yshtjen e tamburëve të feminizmit me çdo kusht, sepse sot është çelur edhe një diskutim serioz në krah të kundërt që rreh të na mbajë në normalitet; pra se deri ku është limiti i natyrshëm i barazisë dhe nëse ja vlen t’i bëjmë gratë burra me zor, kur vetë natyra me urtinë e saj ka një kufi të sajin, tej të cilit na ka bërë të ndryshëm në pamje e në funksione.

E kam zakon që para se të ulem të shkruaj, sillem vërdallë nëpër dhomë e korridore ndonjë gjysmë ore, duke sjellë ndër mend çdo hedh në letër. Pastaj ulem para tastierës dhe zë e shkruaj. Kështu bëra edhe për të shkruar këto rradhë. E ndërsa vija vërdallë nëpër korridor e rrija ulur në kolltuk, duke rreshtuar e përzgjedhur mejtimet, veshët mi zukaste zhurma e butë e gatimit që ime shoqe përgatiste në kuzhinë. Unë i zhytur në mendime me kënaqësinë e krijimit, ajo e zhytur në punën e vet, edhe ajo e sigurt në skemën plotësimit të funksioneve familjare. Mirëpo sipas këtij studimit që thashë më sipër dhe gjithë feministeve e OJQ-istëve, i bie që e gjitha kjo që po ndodhte në shtëpinë time qënkësh e gabuar. Në fakt ne ishim të lumtur, pa na vajtur ndër mënt se në bazë të grafikëve qënkemi gabim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama