Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Renia e qyteterimeve

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Renia e qyteterimeve

I PAFE

Gjoni-Pali II, papa që kish qenë kardinal në kohë të komunizmës dhe që i njihte me dhëmbë e dhëmballë gjithë maskarenjtë e partive komuniste që u shndëruan brenda natës në demokratë, u ul e shkroi në kohë të vet: “Karakteristika e liderve politikë të vendeve post-komuniste, është distanca gjithnjë e më e madhe midis fjalëve dhe veprës; midis asaj ç’ka thonë dhe asaj ç’ka bëjnë”. Të mblidhemi të gjithë bashkë, zor se themi më mirë. Zatén, prandaj e bënë Papë.

Merr të parën gazetë që të zë dora, a dëgjo të parin kanal që të del përpara dhe do të shohësh vërtetësinë e këtij postulati. I vetmi justifikim që përpiqen të përdorin politikanët, është të thonë se kështu është në gjithë botën. Gënjeshtër me bisht. Asnjë politikan që do të kapej duke mashtruar a duke bërë një deklaratë false, nuk mbijeton dot as 24 orë në Perëndim. Asnjë parti nuk guxon të bëjë premtime të pallogaritura nëpër fushata, se e di mirë çfarë ndodh kur të mos i realizojë dot.

Ta kthejmë kokën këtu brënda nesh, as që ia vlen, se të merren mëntë nga marrëzitë e turpet. Numërova javën që shkoi gjithë gënjeshtrat që ka thënë për Piramidën Sali Berisha, jo si doktor i thjeshtë por si Kryeministër i Republikës. E megjithatë, popullit tonë kryelartë arbëror ju zdrugas kurrizi dhe ju trashën veshët sa nuk i bën më përshtypje. Artit të gënjeshtrës, politika vitet e fundit i ka shtuar edhe një element që e bën edhe më efikas: të të gënjejë duke të parë në sy. Është e vështirë ta bësh këtë gjë. Provojeni ta bëni dhe do më jepni të drejtë. Provoni të thoni një gënjeshtër, duke e parë në sy tjetrin dhe, o do skuqeni, o do lëvizni sytë. Mirëpo Kryeministrit tonë nuk i bën më syri dritë. Janë 3 milionë palë sy që e shohin dhe për më të shumtit bën belí që po i gënjen dhe prapë ai vazhdon krenar. Sa i zoti, themi, shiko shiko si gënjen. Shiko, nuk i dridhet qerpiku, as nuk skuqet! Eh, ç’burrë, tamam si ata të legjendave të qëmotit.

Pastaj papritur zbulova që ai nuk beson as në Zot, për të cilin edhe për këtë na gënjen sa herë shkon e i sajdis e u bën adetin kur kanë festa, krerët fetarë. Premtoi sefte faqe të gjithëve se do vendoste bustin e të ndjerit Pjetër Arbnori para Piramidës; pastaj e harroi këtë dhe premtoi se do vendoste Obeliskun e të Përndjekurve që vdiqën në burgjet e Diktaturës; pastaj e haroi edhe këtë dhe premtoi se do vendoste bustin e të ndjerit Azem Hajdari. Në të tri rastet kemi të bëjmë me njerëz që nuk rrojnë më dhe, nëse Kryeministri ynë do kish sadopak besë Perëndie, nuk do gënjente kaq açik për ta. Po të besonte në Zot do kish frikën se, kur të shkonte në atë Dynja, të gjithë ata që u kish premtuar monumentin do t’i venin pranë e do t’i kërkonin llogari: “Ku e ke bustin tim Sali? Pse gënjeje në kurriz tonë, që s’flisnim dot më?”. Por Berisha nuk beson as në Zot, ndaj nuk e ka as këtë frikë.

RËNIA E QYTETËRIMEVE

Po të ecje trotuarit të Ministrisë së Mbrojtjes deri para ca vitesh, do të shihnje se tubat prej bakri të vendosur anëve të godinës për të shkarkuar ujërat e shiut, ishin shkulur e vjedhur deri në lartësinë rreth 3 metra, pra deri në lartësinë që mund të arrihen me dorë apo me të kërcyer. Çudia e parë që të vinte ndër mënt, qe se si mund të flemë të qetë natën me shpresën që të na mbrojë Ushtria e cila nuk ruan dot nga hajdutët as Ministrinë e vet! Po pastaj, kur kujtohesh se këtë vënd nuk e mbron ushtria po NATO, kthehesh nga ana tjetër e vazhdon gjumin.

Ka ca kohë që tubat janë riplotësuar. Tani ata zgjaten sërisht deri poshtë në trotuar. Mirëpo, me pak kujdes, dallohet se tubat e rinj nuk janë prej bakri, si të parët, por prej plasmasi. Plasmas portokallí, si ai i tubave të ujrave të zeza të pallateve.

Një nga librat më të mirë, në mos më i miri, për fundin e Perandorisë Romake, është ai i Michael Grant, me titull “Rënia e Perandorisë Romake”, të cilin kujt s’e ka kënduar ia këshilloj ta bëjë. Aty sillet një shembull nga arkeologjia për të mbështetur faktin e degradimit dhe regresit të shoqërisë antike, si pasojë e invazioneve barbare. Arkeologët sjellin si shembull faktin që, në gërmimet e bëra në rrënojat e shtëpive të qytetarëve të mesëm romakë të shekullit III, rezulton që ato të kenë qenë të mbuluara me tjegulla të pjekura dhe të kenë patur sistem kullimi. Ndërsa në gërmimet e bëra në shtëpitë e banorit të dy shekujve më pas, në ato rreth shekullit V, kur qytetërimi romak ishte shembur në përgjithësi, shihet se është zhdukur mbulimi i çative me tjegulla duke u kthyer tek mbulimi me kashtë si edhe është harruar sistemi i shkarkimit të ujrave. Ky për arkeologët, është një dëshmi e sigurtë e barbarizimit të shoqërisë së kohës, për shkak të zhdukjes së qytetërimit romak.

Po kur të vijnë arkeologët pas 1000 vjetësh në rrënojat tona, a do të thonë të njëjtën gjë? A do shkruajnë të njëjtën gjë, p.sh: “Nga gërmimi rezultoi se, sistemet e vjetra të kullimit të ujrave prej tubacionesh bakri, që është një material i kushtueshëm dhe estetikisht i avancuar, diku rreth fundit të dekadës së parë të shekullit XXI, janë zëvendësuar me tuba plastikë, që kushtojnë lirë dhe estetikisht janë shumë të prapambetur. Kjo dëshmon për një regres të qartë të shoqërisë shqiptare në atë fillim shekulli, gjë që duhet të ketë ndodhur për shkak të barbarizimit të saj”. Mos më akuzoni mua, se nuk po e them unë, po do ta thonë arkeologët dhe mbi bazën e dëshmive arkeologjike.

Një tjetër shembull që sjell Grant në librën e tij për rënien e Perandorisë së Romës, është shkatërrimi i Koloseut. Sipas tij, Koloseu, ashtu siç e tregon edhe emri i tija, ishte një strukturë kolosale dhe shumë komplekse, të cilën barbarët që zunë Romën nuk qenë në gjendje ta mbanin. Kështu filluan ta ndajnë me gardhe e ta përdorin pjesë-pjesë për funksione të tjera, magazina, banesa, depo, dyqane. Më pas, zunë t’i shkulin sefte pllakat e mermerit e më tej edhe gurët e trarët. Fati ynë qe që barbarët u zbutën përpara se ta mbaronin deri në themel Koloseun, kështu që ne sot mund të mahnitemi pas asaj ç’ka ka mbetur prej madhështisë së tij.

Që të hidhemi këtej nga anët tona, një strukturë e tillë qe edhe Piramida. Qytetërimi që e ndërtoi atë nuk ekziston më bashkë me mitet e veta. Barbarët që i zunë vendin, pasi e plaçkitën, zunë ta japin me qera copa-copa. Më pas, i shkulën pllakat e mermerit dhe pajisjet e brendshme dhe tash së fundi duan ta shembin për fare. Në ndryshim nga ata të Romës, barbarët tanë janë të një rrace më jetëgjatë, ndaj zor se do lenë ndonjë gur mbi gur pas vetes.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama