Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Neoizolimi

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Neoizolimi

Saliu prishi votimet. Evropa merr hak duke na ndërprerë procesin e integrimit, duke na rivendosur vizat dhe duke na futur sërish në spiralen e izolimit. Delegatët do kthehen sot nga vendi i largët i belgëve, ku ishin në një konferencë dhe do bëjnë këtu dy konferenca. Të dy palët do bëjnë sikur hidhërohen nga izolimi i ri, por në fakt të dy palët do gëzohen. Opozita do gëzojë nga kjo gjë, sepse kështu demaskohet Saliu (sikur ka ende nevojë Saliu për demaskim!!!). Duket se kjo vajtje e punëve kështu, do çojë ujë në mullirin e opozitës (natyrisht nëse i ka mbetur mulli e mullixhi). Por mendja më thotë se puna do zënë së prapi, sepse në një vend ku punët venë mbrapsht, vetëm po i zure së prapi kthehen e bëhen mbarë.

Berisha do gëzohet nga një Shqipëri e izoluar, ashtu siç gëzohej Komandanti sa më shumë e izolonte vendin. Diktatorët e vendosin themelin e pushtetit të tyre tek izolimi i popujve që u kanë rënë në dorë dhe prerja e urave me botën. Nuk do shumë mend të kuptohet se Enver Hoxha nuk do kish sunduar as gjysmën e viteve që sundoi, nëse vendi do ishte i hapur, nëse njerëzia do shihte se ç’bëhej jashtë kufijve, nëse idetë dhe fryma e lirisë do depërtonin përkëtej portave të mbyllura. Edhe Bota e Lirë e kish kuptuar këtë punë, ndaj përpiqej ta zbrazte oqeanin e diktaturave thjesht duke i shkatërruar Perden e Hekurt.

Dhe në fakt, diktaturat e Lindjes dhe vetë diktatura jonë, nuk u shemb as nga masa e të shtypurve e as nga fshatarët e shpërndarë arave e pyjeve, por nga ajo pak shtresë intelektualësh dhe njerëzisht të kënduar, e që kishin mundur të depërtonin në perden e izolimit, të shihnin se ç’kishte përtej dhe pastaj këto ide t’ua përçonin popujve të tyre. Shtatoren e Komandantit, grevën e urisë apo marrëzitë komuniste, nuk u shembën as nga kooperativistët e shtypur e të vuajtur të Skraparit apo të Tropojës, por bash nga studentët dhe njerëzit e kënduar të Tiranës, Durrësit e Shkodrës. S’po e zgjas më këtë temë se zor të gjej njeri që të mbrojë të kundërtën, ndaj po kthehem tek neoizolimi që na kanoset.

E vetmja gjë që mund t’ia prishte Berishës gëzimin e izolimit të ri të vendit, është se rivendosja e vizave do i bënte shqiptarët sërish të pakënaqur. Shqiptarët, që nuk do lëviznin nga vendi për teorira si liria e demokracia, do të ishin të gatshëm t’i hynin sërish detit më këmbë, po ju prek një gjë konkrete si puna e vizave. Ashtu sikundër në vitin ’97, kur e përmbysëm Salinë e parë jo se na preku Kushtetutën, por kur na preku xhepat. Tani që të vijmë te halli i ditës. Saliu do dijë që ta shesë këtë punën e izolimit si pasojë të ardhur nga opozita destruktive, që nuk do të mirën e vendit, e plot broçkulla të tjera si këto.

Ndaj, nëse Evropa nga jashtë dhe opozita nga brenda, vërtet duan që t’ia heqin dheun nën këmbë Berishës, kjo nuk bëhet duke u shtuar izolimin shqiptarëve, por duke ua hapur udhët atyre sa më shumë. Sa më shpejt dhe sa më shumë shqiptarë të njohin botën, të integrohen me të, të rriten e shkollohen nëpër shkollat e saj, të njohin e përdorin vlerat e qytetërimit perëndimor, aq më shumë syresh do t’u duket Saliu si një gërxho i zi i së shkuarës. Sa më shumë djem e vajza të kthehen të ndritur nga Evropa, të edukuar me disiplinën e saj dhe me respektin për punën e ndershme, aq më shumë do t’u duken prapa bote baballarët e tyre këtu nëpër Shqipëri, që merren me partira e komisione, me punë fushatash e me blerje votash, me shitje certifikatash e me lloj-lloj kodoshllëqe province. Bëjini shqiptarët evropianë dhe do të shihni se si do u duket atyre Saliu si plaku Mere; izolojini shqiptarët dhe do shihni se si do vazhdojnë t’i ngrenë atij këngë mbi këngë.

E di që kjo rrugë është më e gjatë dhe më e lodhshmja, por është më e sigurta. Punët e mëdha asnjëherë nuk bëhen me revolucione që zgjasin një ditë, por me ndryshime të vogla që bëhen çdo ditë.

EVOLUCIONI I AMBASADORIT

Kam takuar vite më parë një zyrtar të një prej organizmave ndërkombëtare që mbajnë seli në Tiranë. S’ka rëndësi se i cilës syresh, në OSBE, a ODIHR, a BB, a FMN, a KE, a ndonjë tjetër. Këtë zotninë e njihja prej kohësh, por u desh të takoheshim në një mbrëmje të butë korriku, me gotën përpara dhe diellin në të perënduar që, në një shpërthim sinqeriteti, të më hapej pa dorezat e dipllomatit: “Kam ardhur në Shqipëri para 4 vjetësh. Vitin e parë përpiqesha të ndryshoja çdo gjë dhe bëja debate me shqiptarët që nga ngjyra e semaforëve e deri te ndryshimi i kodit të zgjedhjeve.

Vitin e dytë, i dhashë karar të merrem vetëm me gjërat e rëndësishme, se pashë që nuk i ndreqja dot të gjitha.

Vitin e tretë, filloi të më mbushej mendja se Shqipëria mund të funksiononte vetëm ashtu siç ishte.

Ndërsa vitin e katërt, fillova të përpiqem për të mos ndryshuar asgjë në këtë vend”. Kështu më tha aso kohe diplomati i huaj.

Në një vend ku të gjitha vidhat janë të zhvidhosura dhe të gjithë këmbalecët që e mbajnë më këmbë janë të kalbur, rrezikon që po t’i vësh dorë për ta ndryshuar a shëndoshur këdo prej trarëve të sistemit, të të rrëzohet e gjithë ngrehina përsipër. Këtij mikut tim, i qenë dashur 4 vjet për të nxjerrë këtë mësim, po aq sa do t’i jenë dashur paraardhësit të tij katër vjet më parë, e kështu me radhë që nga 1990-a.

Fati i keq i ambasadorit të tanishëm të Amerikës, ishte se e sollën në Shqipëri vetëm fare pak muaj para betejës së radhës të shqiptarëve me veten, që ndryshe quhet “zgjedhje”. U hodh ambasadori me kokë zhyt në punët tona të mbrapshta, duke u përpjekur me vullnetin e të riut që ta ndreqte Shqipërinë në një ditë. Përveshi mëngët dhe ndenji me ne në palestër deri pas mesnate. E brodhi vendin skaj më skaj, dha këshilla e lëshoi sentenca për çdo gjë dhe foli hapur duke na treguar pa dorashka se si duhet bërë kjo e si nuk duhet bërë ajo. Tamam ashtu si ai diplomati që kam njohur unë dikur. Pastaj papritur u zhduk. Po bën muajin që nuk flet më fare. Papritur ai kuptoi se shqiptarët, që ai u përpoq t’ua ndreqte punët me një të rënë, nuk vuajnë se s’dinë po se s’duan. Brenda një nate, ai përjetoi katër vjetët që iu deshën atij mikut tim të dikurshëm diplomat.

Besoj realisht se ambasadori i Amerikës duhet të ketë vuajtur shumë duke kuptuar brenda një nate atë që atij tjetrit iu deshën 4 vjet që ta kuptojë. Edhe do të jetë zhgënjyer shumë. Jo me veten, por me ne. Punë e madhe. Historia jonë është plot me të huaj dashamirë, që kanë ikur që këndej të zhgënjyer, ndërsa ne kemi mbetur këtu shkëmb graniti, në pritje të naivit të radhës që vjen të na ndryshojë e të na ndreqë. Këtë tonën, nëpër librat e historisë, ne e kemi quajtur “qëndresë ndaj asimilimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama