Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zhvillim apo shvillim i qëndrueshëm

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Zhvillim apo shvillim i qëndrueshëm

Kohët e fundit, kryeministri Berisha është lëshuar në një fushatë propagandistike për të promovuar sloganin “Shqipëria, vend i zhvilluar”, nëpërmjet të cilit synon të deklarojë vullnetin e tij, si vullnet i gjithë shqiptarëve, për një Shqipëri “të zhvilluar”. E dëgjova ta shpaloste programin e tij përpara një grupi bankierësh me rastin e mbledhjes së 46-të vjetore të Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) që u mbajt, kësaj here, në Tiranë. Në fjalën e Kryeministrit më ra në sy mungesa e epitetit “i qëndrueshëm”. Kam parasysh me këtë se ka mjaft kohë tashmë që në botë termi “zhvillim” shoqërohet me këtë epitet, duke na bërë të flasim për “zhvillim të qëndrueshëm”. Dhe ka një diferencë të madhe midis këtyre dy zhvillimeve, për të mos thënë se, në disa aspekte janë bash e kundërta e njëri-tjetrit, pasi përvoja ka treguar se shpesh ai që quhet “zhvillim”, i matur thjesht e vetëm me GDP, jo rrallë ka dëmtuar seriozisht cilësinë e jetës së qytetarëve.

 Kjo kryesisht për dy gjëra: së pari dëmet e mëdha ndaj ambientit, e jo vetëm që ka krijuar i ashtuquajturi zhvillim industrial – mjaft të sjell këtu shembullin e njërit prej vendeve kampionë të zhvillimit, Gjermania, e cila, pasi e ka ndotur lumenjtë e saj si Rhini p.sh. me produktet industriale që ka hedhur në ta, tani i është kthyer pastrimit të tyre dhe kthimit në gjendjen e mëparshme. Së dyti, kam parasysh faktin se i ashtuquajturi zhvillim, jo vetëm që sjell pasoja të tilla ekologjike në terma afatgjatë, por edhe në terma socialë është i dëmshëm, pasi rezulton se kryhet më së shumti për interesat e një pakice që pasurohet në dëm të shumicës. Kam shkruar disa kohë më parë për këtë temë një shkrim me titull “Kurba e rritjes dhe kurba e mirëqenies” (Korrieri, 30 prill 2009; www.perpjekja.blogspot.com/2009_05_01_archive.html).

Tani le t’i kthehemi realiteti shqiptar në kontekstin e fjalës së Kryeministrit. Pyetja që shtrohet, duke parë çfarë ka ndodhur këta njëzet vjet me Shqipërinë dhe duke dëgjuar Kryeministrin, nuk është a jemi, apo jo për zhvillimin e Shqipërisë, por cili është modeli i zhvillimit që ka ndjekur e që duhet të ndjekë Shqipëria?
Ajo që më ka rënë në sy në fjalimet e fundit të Kryeministrit, ku ky me bankierët ishte një si sintezë, është se ndërkohë që pretendon ta fusë vendin në një etapë të re, atij i mungon vetëdija kritike për atë që ka ndodhur; ai sikur nuk është i vetëdijshëm, pra për modelin ekonomik që ka drejtuar Shqipërinë këta njëzet vjet: një ekonomi e tipit “kafsho dhe ik”, që s’ka asgjë të përbashkët me zhvillimin e qëndrueshëm, një ekonomi e bazuar mbi të ardhurat e emigracionit, që në terma afatgjatë po rezulton në një varfërim dramatik të vendit përsa i përket kapitalit njerëzor, ikjes së trurit; një ekonomi e bazuar mbi pastrimin e parave të trafiqeve të drogës e prostitucionit me pasoja katastrofike sociale, kulturore e politike gjithashtu, një ekonomi e bazuar mbi spekulimet dhe shërbimin ndaj kësaj paraje të pisët në vend se mbi prodhimin, një ekonomi e ndërtuar mbi investime publike të orientuara më shumë në interesat korruptive sesa publike.

Një ekonomi që, mu pse është e tillë, është përkthyer në vend në një abuzim skandaloz mbi territorin: në shkatërrime të pakthyeshme të zonave urbane, të tokave të bukës, të bregdetit, të lumenjve, të pyjeve e të cilësisë së jetës në përgjithësi. Po ashtu, Kryeministri sikur nuk është i vetëdijshëm për polarizimin e frikshëm dhe padrejtësitë e mëdha sociale që ka shkaktuar në vend ky model “zhvillimi”, i cili, mu pse Shqipërisë i kanë munguar antikorpet, e ka çuar në ekstremin tjetër të atij që sot quhet “zhvillim i qëndrueshëm”.

Është vështirë ta presësh nga Kryeministri një qëndrim kritik ndaj këtij modeli duke pasur parasysh se ai ka qenë në krye të këtij të ashtuquajturi zhvillim, e të strukturave ekonomike që e kanë orientuar atë, në më shumë se gjysmën e këtyre njëzet vjetëve paskomunizëm. Është më e pritshme që ai të ketë vizionin e një vazhdimësie të punëve, ndonëse diçka më shumë duhej të kishte mësuar nga përvoja e piramidave financiare, filozofia e të cilave, sipas meje, edhe pse e zbutur, mbetet në themel të modelit tonë. Në fakt, fjala e tij ishte një çorbë premtimesh të gjithçkaje dhe të asgjëje që, po ta shohësh me fare pak kujdes, do të konstatosh se s’premtojnë asgjë tjetër përveç thellimit të zhvillimit të paqëndrueshëm e kaotik e tumoral të vendit në dëm të një zhvillimi koherent, të qëndrueshëm e të shëndoshë, pasurimin e një pakice në dëm të shumicës. Sepse nuk mund të flasësh për një Shqipëri turistike, për mbjellje të miliona rrënjëve ullinj, për zhvillim bujqësie e blegtorie kur më anë tjetër planifikon shumëçka që bije ndesh me këto: si investime në Shqipëri të kompanive më të mëdha botërore në parqe industriale, fabrika çimentoje përballë bregdetit, porte gjigante mallrash apo çimentifikimin e lumenjve me diga pafund hidrocentralesh që do të prodhojnë energji për tërë Europën.

Ajo çka unë kuptova në fjalën e Kryeministrit, si nëntekst të saj, edhe kur e quajti Shqipërinë “Zvicër me det” e Europës, ishte vetëm një shqetësim: se si do t’ia bëjë për të mbajtur pushtetin edhe në vitet në vazhdim? E këtu vlen të ndalemi pak në krahasimin me Zvicrën, që jo vetëm do t’i bëjë për të qeshur zviceranët që e njohin Shqipërinë dhe shumicën e shqiptarëve, por më duket se nuk do të bëjë dot optimist as më fanatikun e berishianëve. Shpesh më krijohet përshtypja se jo vetëm Kryeministri, por shumica e udhëheqësve tanë politikë i shkelin vetëm fizikisht, por jo me mendjen për të mësuar diçka, shtetet europiane e jo vetëm ato, por edhe shtete të tjera të botës që vizitojnë, duke filluar që nga ato fqinje. E them këtë pasi, sipas meje, problemi që kemi ne, në krahasim me këto shtete, nuk është ai i pasurive tokësore e nëntokësore më të shumta a më të pakta, por se, në krahasim me ta, ne nuk kemi ndërtuar dot akoma shtetin që t’i miradministrojë këto pasuri.

E kam fjalën për atë se historia e shtetit tonë, qëkur është krijuar para njëqind vjetësh, nuk po tejkalon dot ende një fazë dramatike: atë të të mbeturit ende një shtet që nuk mbahet dot vetë më këmbë ekonomikisht dhe politikisht gjithashtu e që, prandaj i keqadministron ato pasuri. Ose, thënë ndryshe, atë të të mbeturit ende në fazën e një shteti, politikanët e të cilit (si përfaqësues të mendësisë së shumicës së shqiptarëve, por edhe si gjenerues të kësaj mendësie), meqenëse nuk janë në gjendje të ndërtojnë një shtet që të  vetëqeveriset, pasi qëllimi i tyre nuk është ky, por pushteti, paratë dhe përfitimet personale, i kanë shitur interesat e bashkëqytetarëve të tyre në forma të ndryshme te “blerësi” që u ka siguruar pushtetin. Kështu ka qenë Shqipëria e Ahmet Zogut, kështu ka qenë Shqipëria e Enver Hoxhës që e provoi se s’bënte dot ndryshe pasi u prish me Kinën, kështu po është edhe Shqipëria e Sali Berishës së këtyre njëzet vjetëve. Me këta “blerës” nuk kam parasysh shtete që i kanë dashur apo i duan të keqen Shqipërisë, jo, thjesht “blerës”, jo vetëm shtete, por qoftë edhe privatë, që kanë pasur interesat e tyre në këtë vend e që në këtë epokë të globalizmit mund të jenë nga të katër cepat e botës, sigurisht krahas atyre brenda vendit dhe në bashkëpunim me ta.

Në fakt, në thelb, ajo që lexohej midis rreshtave në fjalimin e Kryeministrit ishte vazhdimësia e kësaj politike si shprehje e të njëjtave synime, e të njëjtave interesa ku prapa ullinjve duket madje kërcënimi i kalimit të ekonomisë sonë nga modeli “kafsho dhe ik” i zhvillimit në modelin “shit dhe ik”, që vetëm model zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të jetë.

Problemi që ngrihet në thelb është: a duhet ndryshuar ky model i zhvillimit për të ndryshuar politikën apo duhet që politika të ndryshojë këtë model të zhvillimi? Kjo është si puna e pulës me vezën. Besoj se, nëse do t’i marrim të dyja, si dy faqe të së njëjtës medalje, ndryshimi duhet të jetë i dyanshëm e duhet të fillojë nga të dyja anët njëherësh, mundësisht. E sigurt është se sfida që ka vendi sot nuk është vazhdimi i mëtejshëm i modelit të zhvillimit që kemi, por kalimi në një model tjetër zhvillimi, të qëndrueshëm. Një politikë, që ende s’ka ardhur në shtetin shqiptar pas njëqind vjetësh, në shërbim vërtet të qytetarit dhe jo të pushtetarit, mund të jetë sa pasojë aq edhe promovuese e këtij modeli të ri zhvillimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama