Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Industrializimi i blerjes se votes

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Industrializimi i blerjes se votes

Perëndimi para dy shekujsh kaloi përmes revolucionit industrial për të mbërritur në epokën e sotme moderne. Ne në kohë të Komandantit, provuam industrializimin e plotë të vendit, po s’na doli gjë, se gjithë ç’ka ndërtuam përfundoi e shitur për skrap në Mal të Zi. Tashmë, në epokën post-industriale, shoqëria shqiptare i ka hyrë një rruge të re: industrializimit të blerjes së votës.

Një fushatë deputeti kushton midis 4 dhe 10 milion lekëve të reja. Diç më pak kushton një fushatë për kryetar komune dhe, po aq sa për deputet (apo edhe më shumë) për kryetar bashkie. Për të kuptuar këtë shifër, duhet të kemi parasysh se vetëm operacioni i ditës së votimeve (pagesa e komisionerëve, e vëzhguesve, e numëruesve, e shoqëruesve, e shoferëve, etj., i kushton çdo kandidati midis 2 dhe 3 milion lekë). Kaq është kostoja e mungesës totale të besimit midis njerëzish që, pasi rrijnë 364 ditë të vitit së bashku, pastaj, ditën e votimeve, përpiqen të bëjnë të gjitha truket për t’ia hedhur njëri-tjetrit. Por në fund të fundit, fakti që gjithë këto pará, dalin nga një xhep dhe hyjnë në qindra xhepat e numëruesve, mund të konsiderohet një lloj rishpërndarje pasurie.

Në Minibashkinë ku unë banoj, u identifikuan rreth 1.200 vota të blera nga fituesi i zgjedhjeve. Nuk kam ndër mënd të justifikoj humbjen e të majtës aty, por, që ato vota u blenë këtë e thonë tashmë me natyrshmëri banale. Nga informacionet, rezulton se një votë kushton mesatarisht 5.000 lekë (të reja), që do të thotë se 1.200 vota kanë kushtuar rreth 6 milion lekë. Përgjithësisht votat blihen në zonat e periferive, midis banorëve të ardhur dhe ku preferenca e blerjes së votave ka tendenca familjare, pra, kur shet votën burri, automatikisht këtu përfshihet dhe të paktën vota e gruas, për të mos shtuar edhe ato të prindërve. Por ta lemë tek çifti burrë-grua, që do të thotë se shitësi do të marrë 10.000 lekë në dorë që, në kushtet e varfërisë së periferive, nuk janë gjë e vogël. Po të kemi pastaj parasysh, se tashmë çdo dy vjet ka zgjedhje (një herë vendore e një herë parlamentare), i bie që kryefamiljari të marrë nga ky operacion 20.000 lekë çdo legjislaturë. Në kushtet e një administrate të shpartalluar, ku investimet janë ato që janë, pra gati zero, zor se një banor të priste që në zonën ku ai banon të investoheshin 20.000 lekë nga shteti. Atëherë, kur asgjë nuk do të ndryshojë pavarësisht nga zgjedhja e tij, pse ai nuk duhet të përfitojë nga i vetmi mall që ka në dorë, vota?

Për më tepër që, në zona të tilla, ku ndërgjegjja qytetare është shumë e ulët, vota shihet më tepër si një gjë që nuk shërben për gjë dhe, kur papritur dikush i troket në derë dhe i thotë na ca pará për votën që ai s’di ç’ta bëjë, natyrisht që i duket vetja i fituar. Kjo është pasoja e natyrshme e dhuratës së një të drejte (vota), për të cilën kombet e qytetëruara kanë luftuar apo e kanë fituar përmes revolucioneve.

Një fakt që e bën edhe më të sigurtë këtë sistem shit-blerjeje, është fakti që tregu i votave është institucionalizuar kryesisht në zonat periferike të qyteteve dhe në fshat, ku veprojnë edhe disa faktorë të tjerë ndihmës si fakti që rrethi familjar është ende i fortë, kontrolli i blerësit të votave mbi shitësit është më i lehtë, dhe e fundmja por jo e fundit, fakti që fshatari është racional, por ka edhe shpirtin e “tregëtisë së ndershme”. Ashtu siç tregëton frutat dhe perimet e bahçes së vet, ashtu tregëton edhe votën, me arsyetimin sa racional aq edhe të ndershëm: “më ka dhënë paratë, duhet t’i jap mallin (pra votën)”. E them me siguri se rezulton që, mbi ¾ e atyre që paguhen për votën, e hedhin atë me siguri për kandidatin që ia kanë premtuar, pa qenë nevoja as për masa shtesë kontrolli.

Thirrja e bërë në zgjedhjet e fundit, “merjauni lekët dhe mos jua jepni votën”, është moralisht e turpshme, jo vetëm për moralin e rafinuar të qytetërimit perëndimor (sipas të cilit blerja e votës është e palejueshme), por edhe për moralin e thjeshtë të fshatarit (sipas të cilit mos dhënia e mallit të paguar është turp). Dhe në fakt, zgjedhjet e provuan këtë moral. Pavarësisht nga thirrja e bërë, në shumicën dërmuese, ata që u paguan e dhanë votën për atë që i pagoi.

Përveç moralit, këtu veproi edhe një faktor tjetër, që ka të bëjë me racionalitetin. Ai hallexhiu që shet votën, do që ta bëjë sërisht dhe ta ketë të sigurt këtë të ardhur shtesë në buxhetin e familjes edhe në të ardhmen; dhe kjo gjë realizohet vetëm duke mos e tradhëtuar blerësin. Duke patur parasysh se sa vota blihen për çdo qendër votimi, nuk është e vështirë që blerësi të kontrollojë pak a shumë me saktësi se sa ja kanë respektuar kontratën. Një tjetër element që e provon “ndershmërinë” e shitësit, është edhe fakti që, siç tregojnë vetë kandidatët që bredhin për të blerë vota, në shumë raste u ka ndodhur që, kur kanë trokitur për të blerë votën, t’u kenë thënë se “nuk e bëj dot se ja kam premtuar (pra më ka paguar) palës tjetër). Realisht ky është element ndershmërie i kthyer përmbys por, në një sistem të përmbysur, i bie që të jetë në rregull.

Me ç’duket, në këtë shoqërinë tonë të përçudnuar dhe pa sistem vlerash të qëndrueshme, paraja kthehet në të vetmen vlerë të qëndrueshme dhe të transferueshme. Kështu që, me hir a me pahir, duhet të pranojmë se i gjithë sistemi i shpenzimeve elektorale, është kthyer në një sistem të rishpërndarjes së pasurisë. Në shoqërinë kapitaliste të zhvilluar, rolin e rishpërndarësit të pasurisë e luan shteti. Përmes sistemit të taksave e tatimeve, ai u merr një pjesë të pasurisë të pasurve dhe ia rishpërndan shoqërisë. Këtu tek ne, në mungesë të një sistemi të tillë, këtë rol e luajnë mekanizma të tjerë. Burokracia shtetërore dhe politike, përmes sistemit të licencave, bllokimeve, gjobave, bakshisheve, nepotizmit, i merr prodhuesve dhe biznesit një pjesë të fitimit; dhe pastaj, një pjesë të këtyre parave të mbledhura në rrugë të padrejta, e rishpërndan tek zgjedhësit për t’u blerë votën që kështu të riblejë postin shtetëror apo politik, që i mundëson të vazhdojë sistemin.

Për këtë gjë flet edhe fakti që, në zërat e ndryshëm të buxhetit të një fushate, zëri që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm është zëri “blerje votash”. Pas këtij renditet zëri “pagesa komisionerësh” dhe, vetëm si zë i tretë po mbetet zëri “propagandë elektorale”. Ky zë i fundit, ku përfshihet pagesa për postera, dhurata, fletushka, koncerte, takime, aktivistë, fletëpalosje, programe, etj., po mbetet gjithnjë e më shumë në fund. Është më e sigurtë të blesh një sasi votash, sesa të harxhosh të njëjtën sasi parash për të bërë postera e fletushka, që për më tepër, njerëzve u kanë ardhur në majë të hundës. Më thoshte pronari i një tipografie, se kjo ka qenë fushata më e varfër dhe ku ai kishte prodhuar më pak postera. E bënte këtë analizë, duke u nisur që prej vitit 2001, kur kishte filluar biznesin, e deri më sot dhe, duke më vendosur në pikun më të lartë të prodhimeve elektorale, fushatën e vitit 2005.

I gjithi ky që ju shpjegova, është një sistem i padrejtë, pervers, abuziv ilegal dhe i egër, por që për fat të keq, egziston dhe ca më keq akoma po perfeksionohet nga njëra fushatë tek tjetra. Ndoshta kjo është rruga jonë specifike drejt kapitalizmit, ashtu sikundër provuam për 4 dekada, rrugën tonë specifike drejt komunizmit. Ndoshta nuk do na çojë asgjëkund, ashtu siç nuk na çoi ajo rruga e parë, por kjo për zgjedhësin e varfër nuk ka asnjë rëndësi dhe është shumë e largët. Për të, e rëndësishme është që mundësisht të indeksohet edhe çmimi i votave, pra të rritet me 5-10% në çdo fushatë. Vini dorën në zemër o politikanë, e merrjani parasysh të paktën këtë kërkesë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama