Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kaba zgjedhore

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Kaba zgjedhore

560

20 x 4 = 80, ku “20” janë gazetat ditore dhe “4” janë shkrimet që ka secila prej tyre për punë të zgjedhjeve. 80 x 7 = 560, ku “80” janë shkrimet çdo ditë dhe “7” janë ditët e javës. I bie që, deri tani të jenë shkruar të paktën 560 shkrime për punë të zgjedhjeve, ku të gjithë do thonë se duhet lexuar vota e popullit, por në fakt askush nuk do ta bëjë këtë, e ca më pak partitë pastaj. Më e shumta do përpiqen të interpretojnë këtë votë secili sipas midesë së tij e duke i hequr kërraba nga vetja.

OPERACION FINANCIAR

Zgjedhjet në Shqipëri janë shndërruar në një nga operacionet financiare më të kushtueshme. Të gjithë bëjnë sikur zbatojnë ligjin, por fushata më e lirë për deputetë kushton nja 40 milionë të vjetra, se më e shtrenjta mund të kapë edhe qindin.

Po sikur ky lumë parash e nervash që harxhohen për të gënjyer njerëzit, të harxhoheshin për të bërë punë për njerëzit; dhe kështu, njerëzit të votonin me qejf e vullnet për atë që punonte, a nuk do qe më e thjeshtë!? Sigurisht, natyrisht dhe qartësisht, por kjo kërkon punë dhe jo hile; dhe ne, në ka gjë që urrejmë, është puna.

RRADHA

Në të gjithë botën, njerëzia përpiqen të hyjnë fshehtazi më ndonjë koncert të Placido Domingos, apo në ndeshje futbolli ku luan Lionel Messi. Këtu te ne, përpiqeshin të futeshin fshehtazi tek palestra e numërimit të votave! Jo për të vjedhur a ndërruar vota. Jo, thjesht për argëtim nokturn. Të dy palët u përpoqën të kufizonin numrin e vëzhguesve dhe të atyre që vinin vërdallë kot, më tepër se një herë. Nuk ja dolën. Palestra e votave ishte plot e përplot, në një vend ku sallat e koncerteve janë përherë e më bosh.

JENĺ BIDAT

Kemi njëzet vjet që votojmë në demokraci dhe, çdo herë ia kemi dalë të shpikim nga një bidat të ri (në kohë të Turqisë i thoshim “jení bidat”). Një vit vodhëm votat, një herë tjetër shpikëm Dushkun, një herë tjetër nuk njohim zgjedhjet, kësaj here shpikëm numërimin që vazhdon me javë. Do vazhdojmë të shpikim pa prerë mënyra e bidate, deri ditën që do t’i kemi provuar të gjitha shtigjet e mundshme të të hedhurës dhe, vetëm atëhere do na mbushet mëndja të bëjmë zgjedhje normale.

NIPËRIT E HEROIT

Ettore Sequi, italiani ambasador i Bashkimit Evropës, mbeti gjithë kohën tek palestra e shkollës “Vasil Shanto”, ku numërohej njësia 5. Vasil Shanto ka qenë një antifashist që u ka bërë gjëmën italianëve në kohë të vet, derisa këta ia dolën ta vrasin. Tani, një italian, nip i atyre që na e vranë Heroin, përpiqet të na paqtojë me njëri-tjetrin neve, nipërve të heroit të vrarë, brenda një palestre me emrin e Heroit që na e vrau gjyshi i italianit.

AMBASADORI

Ambasadori amerikan, në të gjithë botën, është një krijesë gati mitike, të cilit nuk i afrohesh dot kollaj. Rri pas ca mureve të trasha, rrethuar me roje, lëviz me makinë të blinduar dhe takohet me krerët e vendit ku është larg syve të publikut. E dinë që egziston, por nuk e sheh dot njeri.

Këtu e katandisëm të shkojë dy herë në ditë te palestra e “Vasil Shantos”, dy herë në ditë them, një herë në sabah e një herë në mes të natës, të heqë kravatën e të pijë ujë me pagure, të bëjë muhabet duke u shtyrë midis njerëzve, të ecë mbi kanoçe të shtypura që bënin krëp krëp nën këmbë dhe të ulet në një shkallare mbi një copë kartoni për të mos ju ftohur të ndenjurat.

PO ATYRE KUSH JAU NUMURON?

U desh të ulet Arvizuja nga Amerika dhe Sequi nga Evropa, të dy me llërët përveshur, që të numërojnë votat tona, që neve t’i zëmë besë rezultatit. Po amerikanëve, italianëve apo hollandezëve, kush jua numëron votat që i zënë besë menjëherë?

NDRYSHIMI I LINJËS

Një lajm që kaloi gati i pa vënë re, ishte shitja e grupit mediatik 24 NEËS, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Por ndërsa kjo kaloi pa u vënë re, ajo që bëri “muuu” ishte ndryshimi i linjës së lajmeve tek 24 NEËS brenda 24 orëve. Duke i ditur pronarët e rinj, që njihen për orientimin e tyre të ndryshëm nga ai i deriatëhershëm, u interesova pranë disa prej gazetarëve të 24 Neës-it, për porositë që ju ishin dhënë. Të gjithë më konfirmuan se askush nga lart nuk u kishte bërë presion apo dhënë porosi për të ndryshuar linjën, poooor linja kishte ndryshuar megjithatë. Gazetarët e kishin kuptuar se nga mund të frynte era e re dhe kishin filluar ta lëviznin gunën asaj ane, se ç’vlerë ka ta kthesh gunën pasi të ka zënë e ftohura toptan. Mediat tona tashmë janë kthyer në institucione shtetërore dhe, njësoj si ato, ndërrojnë linjën vetë me ndryshimin e titullarit.

SHERRI

Në një Komunë të humbur të Vlorës, pasi u mbyllën votimet, e morën kutinë dhe me një shkresë përcjellëse ia dërguan KQZ-së në Tiranë për ta numëruar. KQZ-ja shqyrtoi kërkesën dhe vendosi ta kthejë që të numërohet në Komunë sipas ligjit. Në këtë çast, nga Komuna u përgjigjën pak a shumë kështu: “Amáni, nuk kemi asnjë pretendim, nxirreni si të doni, por aman numërojini në Tiranë, se po u numënuan këtu në fshat, do rrihemi me hunjtë e gardheve”. Ishte një rast absolutisht për të qeshur, por që nuk ndryshon asfare nga Komuna e madhe që i thonë Shqipëri, ku kësaj radhe nuk u rrahëm vetëm se patëm atë fat që nuk e pati ajo komuna e Vlorës: votat na i numëroi Arvizuja me Sequi-n.

MORALI

Midis kandidatëve fitues që u bënë, ku kryetarë bashkie e ku komune, ka të paktën tre që kanë qenë në burg këto vitet e fundit, kush për drogë e kush për trafik femrash. Një tjetër fitues bashkie i sotëm, më ‘97-ën zinte rrugën kombëtare me çorape në kokë. Partia e Kryetarit që ne e quajtëm “me bllok në dorë”, ka shtuar 30 mijë vota në këto zgjedhje. Një ministër tjetër, edhe ai shtoi votat e partisë së vet, kur ka tre vjet që e quajnë për vrasës dhe është edhe në gjyq për këtë punë. Një tjetër kandidat për kryebashkiak, doli fitues me tremijë e ca vota diferencë, vetëm një ditë pasi i publikuan mesazhet ku ia lypte sekretares.

Për të gjitha këto, e për shumë të tjera si këto, është bërë e modës të akuzohet klasa politike që qenka e korruptuar e pa din e pa iman. Do të ishte plotësisht e vërtetë në një diktaturë kjo, por nuk jemi në diktaturë, se nuk mund të jetë diktaturë një vend ku votat na i numëron ambasadori amerikan dhe ai evropian, të dy me llërët përveshur.

Po atëhere si është puna që mund të bëjnë vaki të tilla çudira (çudia është që zgjedhim ata që na vjedhin, e jo që na i numëron votat Amerika)? Ndoshta ka ardhur koha ta kthejmë pasqyrën edhe nga vetja si popull, e të shohim se mos kemi ndonjë problem me moralin dhe me atë se çfarë quajmë gjë të mirë dhe çfarë gjë të keqe.

DY ETTORE-T

Ettore Muti ka qenë ministër në Itali në kohë të fashizmit. Kur italianëve nuk po u shkonte mbarë lufta me Greqinë, Mussolini u dha urdhër të gjithë ministrave të shkonin në Shqipëri për të ngritur moralin e trupave dhe për të kontrolluar situatën me shqiptarët. I erdhi radha edhe Ettore Muti-t për t’u nisur, por nga Shqipëria e këshilluan që ishte më mirë të mos vinte, se mbiemri i tij nuk ishte shumë i përshtatshëm për këtë vend. Dhe në fakt, kur në Gjirokastër u bënë përgatitje për pritjen e personalitetit të lartë, ndër të tjera u porositën kalamajtë e shkollave që të brohorisnin për të. Plakat e Gjirokastrës çirrnin faqet duke rrufisur kafetë: “Pu, pu, pu moj korbani, erdhi fundi i dynjasë. Ka dhënë urdhër qeverria të dalim sokakëve dhe do thërresim rroftë muti, rroftë muti!”. Hajt t’ua shpjegoje plakave që ai ministri e kishte emrin ashtu. Uë, po ki, çe ka këtë mbiemër kështu, u mbaruan llafet a si?!.

Nejse, fundi i historisë. Ettore Muti, për shkak të mbiemrit shpëtoi dhe nuk erdhi në Shqipëri. Italiani tjetër, Ettore Sequi, nuk e pati këtë fat. Erdhi, ka ngecur në çorbën tonë dhe nuk po del dot.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama