Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Votim 'i ftohtë', numërim 'i nxehtë'

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Votim 'i ftohtë', numërim 'i nxehtë'

Duke ndjekur gjatë gjithë orëve të ditës së djeshme komentet e shumë prej kolegëve që preferojnë analizën e ngjarjes kryesore të ditës, m’u krijua mendimi fiks se në këtë vend ka mbërritur ora e votimit të qetë. Pra shkurt, shqiptarët në shumicë kanë mësuar ta shporrin zhurmën nga akti votues. Shumica e incidenteve sporadike apo edhe të pjesshme, përplasjeve apo inkorrektesave procedurale të vërejtura në disa qendra votimi, nuk e ekslipsuan dot vijueshmërinë e mëtejshme të procesit normal.

Po a vlen kjo dhe pse duhet t’i largohemi këtij vlerësimi empirik? A nevojitet që vëmendja dhe sidomos analiza vlerësuese për etapën tjetër të procesit të jenë jo vetëm më të larta, por edhe më të fokusuara?

Mendoj se faza e dytë e procesit zgjedhor, ajo e numërimit dhe e nxjerrjes së rezultateve, janë akti më i rëndësishëm për standardin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Aq më tepër kjo fazë është e rëndësishme në procesin e zgjedhjeve të tilla, si këto që u zhvilluan dje në Shqipëri.

Pse kërkohet kjo vëmendshmëri dhe analizë kritike?

Kjo duhet, sepse mes dy etapave, asaj të votimit dhe asaj të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve ka ndryshime serioze. Në të dytën, tinzarllëku ndërhyrës, tendenca agresive e “shërbestarëve me pagesë” apo e “rekrutëve elektoralë” jo vetëm që bëhen më prezentë, por në jo pak raste, janë flagrantë dhe abritrarë. Është ky kapitull, kur në orët e vona të natës, grupet militante vihen në misionin e “rambove” shoqëruese të mjeteve për transportimin e kutive të votimit nga qendrat në komisionet zonale. Në orët e natës shtabet elektorale marrin vlerën e shtabeve guerile, ku presioni dhe shantazhi kapërcen policët dhe është pjesa më e rëndë e ndërgjegjes antidemokratike që manifeston skota e këtyre shërbestarëve. Nga ana tjetër, në këtë diferencë cilësie dhe normaliteti mes dy pjesëve, fshihet realisht deformimi real që mbart procedimi dhe presioni që manifestohet në marrëdhëniet mes komisionerëve të palëve, mes vendimmarrjes së strukturave mikse të qendrave të votimit, komisioneve zonale deri tek institucioni më i lartë zgjedhor, KQZ-ja.

Në ditën e djeshme, kreu i KQZ-së, zoti A. Ristani, duke vlerësuar pjesën e parë të këtij procesi me ture dhe procese të mëparshme zgjedhore në vend u shpreh: “ … të gjitha ankesat që kanë mbërritur janë shumë herë më pak se votimet lokale të vitit 2007 dhe ato parlamentare të vitit 2009. Në të gjithë Shqipërinë nuk u arritën të hapen të paktën 8 qendra votimi, si pasojë e vonesave në marrjen e materialeve zgjedhore, për mosrakordim të punës mes komisionerëve, për zhvendosjen e qendrës së votimit në një mjedis të ri etj.”.

Natyrisht matanë këtij vlerësimi paraprak për prologun e procesit, është pjesa më e rëndësishme e tij në vijim, janë vlerësimet më të rëndësishme të pritshme për cilësinë dhe normalitetin procedurial, numërues dhe rezultatshpallës.

Mbrëmë, pas orës 19:00, kur sipas ligjit u mbyll votimi në të gjithë vendin, mbetën hapur disa të tilla në kryeqytet dhe pas kësaj nga selitë partiake nisën ankesat dhe në ekrane u shfaqën imazhe shtyrjesh, dhe presionesh në qendrat proces-vonuara. Po kështu nga raportimet e ardhura nga zona të skajshme, u theksuan sërish akte presioni dhe pengimi për mediat dhe gazetarët, ndër të cilët më të shpeshta ato që lidheshin me gazetarët e “Top Channel”-it. Në këtë mënyrë filloi shfaqja e kontrastit mes dy fazave të procesit zgjedhor, i cili do të vijojë ta mbajë jo vetëm të ndezur luftën e deklaratave, por sipas gjasave, edhe tensionin mes palëve dhe kandidatëve elektoralë në vend. Ky kapitull, është jo vetëm me pamje të rëndësishme, por është me vlerë specifike për cilësinë e procesit. Avokatura e pamjeve dhe incidenteve që prodhon nata dhe sidomos përplasja agresive mes palëve në qendrat ku ka nisur të administrohet numërimi dhe nxjerrja e rezultateve, është akti më i shëmtuar që ripërsëritet në proceset e shëmtuara zgjedhore të tranzicionit postkomunist shqiptar. Ky moment i procesit meriton shumë e shumë më tepër vëzhgim, monitorim dhe ndjekje profesionale prej gjithë network-ut të vëzhguesve dhe ekspertëve të ardhur në kuadër të misionit të OSBE/ODHIR-it në vend. Gjithashtu ka nevojë për një syçeltësi specifike, pasi aty fshihen duart që ndotën aritmetikën reale të votës, me aktet fletëhedhëse dhe manipulimin provincial që inspirohet dhe honorarizohet prej selive partiake e në veçanti, prej kandidatëve që e promovojnë korrupsionin e tyre të ardhëm përmes korrupsionit të këtillë. Në fazën e “nxehtë” të këtij procesi numërues, qëndron realisht cilësia e ndotur e demokracisë zgjedhore në Shqipëri.

Zakonisht kjo pjesë, sipas përvojës së zgjedhjeve të këtij 20 vjetëshi, mbetet më e tejzgjatura. Është ajo që pason me kontestime dhe sherre, me zënka dhe ankimime, që evidenton dasitë brenda administratës zgjedhore dhe u jep mundësi selive të shigjetojnë patologjikisht jo vetëm njëra-tjetrën, por në veçanti komisionet. Kjo është faza që ripërsërit “nxehtësinë” e saj në skenën post-zgjedhore që ngrenë palët tona, ato palë politike që bëhen parashpallëse të fitores dhe refuzuese kokëforta të humbjes. Në këtë dekor që dimensionohet në fazën e dytë të procesit zgjedhor, pra atë të numërimit dhe rezultatshpalljes, mbarset realisht tranzicioni shqiptar i demokracisë së dhunuar, i institucionalizmit të gjymtuar dhe i ndërgjegjes së munguar të standardit. Në periudhën e numërimeve “të nxehta”, qytetarët vërejnë të brengosur se sa diferencë ka mes ndërgjegjes së tyre për të mos kursyer votën dhe ndërgjegjes së politikanëve për ta deformuar numerikisht atë. Këtë mekanizëm veprues në këtë fazë të përhershme procesi, kjo politikë nuk e prishi e nuk e refuzoi asnjëherë, edhe pse penalizimi për shkak të saj i erdhi kohë pas kohe vendit dhe raporteve të Shqipërisë me BE-në. Ky mekanizëm është thirrur sërish në skenë dhe veprim në orët e mbrëmjes së djeshme, sikundër edhe në ditët e ardhme të këtij procesi. Për ekzistencën dhe veprimin e tij nuk nevojitet vetëm recitali ankimues i opozitës, por nevojitet syçeltësia dhe aftësia investiguese e misionarëve vëzhgues të OSBE/ODIHR-it dhe diplomacisë së akredituar në cilësinë e vëzhguesve. Vetëm përmes kësaj ndërhyrjeje të domosdoshme, në Shqipëri mund të mbyllet përfundimisht historia e proceseve të post-viteve 2000, me votim “të ftohtë” dhe numërim të “nxehtë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama