Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ekuacioni i zgjedhjeve

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Ekuacioni i zgjedhjeve

Pas një periudhe kur u duk se fushata jonë zgjedhore do të përshkallëzohej për sa i përket tensionit, çka e paralajmëruan një numër atentatesh, që nuk dihet  pse nuk përfunduan me vdekje, nga fati apo ngase qenë të  programuara për të mos përfunduar me vdekje, dy javët e fundit u vu re një ulje e tensionit, që duket se po ngrihet pak këto ditët e fundit, por pa arritur nivele që të na bëjnë të frikësohemi. Gjykoj se kjo i dedikohet kryesisht uljes së retorikave armiqësore në të dy kampet që, pa dyshim, kanë qenë dhe mbeten nxitësit kryesorë të rritjes së tensionit.

Por, kjo ulje e retorikave, gjithnjë sipas meje, nuk duhet interpretuar ashtu dhe aq si pjekurim apo ndryshim në mendësi, sesa si një lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve nga të dyja palët. Kjo është diktuar sa nga presioni i ndërkombëtarëve, të cilët u shqetësuan, por edhe u angazhuan seriozisht të ndalonin përshkallëzimin në fjalë (për këtë kemi të dhëna të sigurta), aq edhe (kjo është një hamendje e imja) si rezultat i këshillave të kompanive që drejtojnë fushatat elektorale të dy partive që duket se kanë venë re se lufta për elektoratin e pavendosur nuk bëhet me rritje të tensionit, por, përkundrazi, duke ia lënë tjetrit iniciativën e sulmeve urrejtëse e tension-ndezëse.

Kjo qetësi sikur u ka hequr edhe një lloj sharmi zgjedhjeve tona, që kanë qenë interesante nga pikëpamja gazetareske edhe për shkak të tensionit. Megjithatë, ajo që i bën përsëri shumë tërheqëse dhe interesante është pasiguria e rezultatit. Kjo edhe për shkak të mungesës së sondazheve të vazhdueshme dhe të besueshme, çka gjykoj se është një tregues jo pak i rëndësishëm i gjendjes së demokracisë shqiptare. E megjithatë, njerëzit duan të dinë cili do të jetë rezultati e, në mungesë të sondazheve, bëjnë kalkulimet e tyre. Këtë po rrekem të bëj edhe unë me këtë shkrim.

Nëse do të hartoja një pyetësor, nëpërmjet të cilit të mund të përcaktoja se si do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve, do të nisesha nga ideja se rezultati i tyre do të jetë rezultante e disa variabëlve kryesorë.

Në kërkim të këtyre variabëlve, së pari do të ndaja konstantet e ekuacionit, d.m.th. elektoratin militant, të përhershëm. Pra një nga pyetjet e para të pyetësorit tim do të ishte nëse kanë ndryshuar ndonjëherë votë apo jo. Ka që i mëshojnë idesë se ky është numri më i madh i votuesve. Edhe unë besoj se kështu është, por, megjithatë, ne nuk do të kishim pasur rezultate të ndryshme sikur të mos lëvizte diçka gjatë zgjedhjeve tona. Pra, pasi të përcaktoja ndarjen e militantëve dhe përqindjen e tyre, që ndoshta mund të kapë deri në 85-90 për qind të atyre që do të marrin pjesë në votim, do të më mbetej kërkim i atyre variabëlve që kanë bërë e bëjnë të ndryshojë qëndrim ai 10-15 përqindëshi i mbetur.

Pyetja e parë që do të më jepte një përgjigje për këtë do të ishte ajo që do të më përcaktonte se sa është rritur numri i të pakënaqurve nga qeverisja qendrore që do ta shprehin këtë pakënaqësi me votën e tyre, me fjalë të tjera, që kanë votuar PD dhe nuk do ta votojnë më. Krahas kësaj do të vija edhe pyetjen se sa janë shtuar të pakënaqurit nga qeverisja lokale? Në këtë aspekt gjykoj se ka qenë një strategji e gjetur elektorale ajo e socialistëve që kanë tentuar t’i përçojnë publikut idenë se vota e tyre duhet të jetë një votë kryesisht kundër qeverisë qendrore dhe po ashtu, duke pasur parasysh se qytetet kryesore, me në krye Tiranën, i kanë qeverisur socialistët, gjykoj se është e gjetur edhe strategjia elektorale e PD që t’i bëjë thirrje elektoratit të votojnë për ndryshimin në nivel lokal. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është se cila ka më shumë peshë: pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore, apo ajo ndaj pushteteve lokale? Sipas meje, më e madhe është pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore dhe, duke pasur parasysh vetëm faktorin pakënaqësi, socialistët mund të jenë në avantazh në këtë aspekt.

Fill pas këtij faktori, personalisht do të kërkoja të gjeja një variabël tjetër: atë se sa është konsoliduar pushteti i njërës forcë dhe i tjetrës gjatë këtyre viteve të fundit. Me këtë kam parasysh edhe ato që quhen mundësi manipulimi të votës (jo domosdoshmërisht të dukshëm e të dhunshëm) që sot për sot do t’i artikuloja me pyetje të tilla, si: cila ka fuqi më të madhe financiare nga të dyja partitë? Cila parti ka më shumë mundësi të shpërndajë privilegje e të mira materiale? Cila parti ka më shumë media nën kontroll? Cila parti ngjall më shumë frikë me pushtetin e saj? Në këtë aspekt gjykoj se PD dhe aleatët e saj janë më përpara se PS dhe aleatët e saj.

Raporti i këtyre dy variabëlve, sipas meje, ka luajtur rolin më të rëndësishëm për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në vendin tonë. Në vitin 2005, PD ishte pakrahasimisht më e dobët sesa PS nga fuqia, por fitorja i erdhi pasi variabëli pakënaqësi ka qenë më i madh në 2005-n sesa variabëli fuqi – duke mos harruar se PS u dobësua në këtë drejtim edhe për shkak të shkëputjes së LSI-së. Më 2007-n pushteti qendror ishte forcuar përsa i përket fuqisë, nuk ishte rënduar ashtu dhe aq përsa i përket pakënaqësisë, ndërkaq Rama kishte ende fuqi të madhe në Tiranë dhe pakënaqësinë në rritje ndaj pushtetit të tij e kishte më të vogël sesa sot. Më 2009-n, PD bëhet qartazi më e fuqishme se PS si pushtet politik e financiar, fillon e barazohet si pushtet mediatik, ndërkohë që pakënaqësia ka filluar t’i rëndojë gjithnjë e më shumë, por ndoshta jo edhe aq sa sot. Në prag të këtyre zgjedhjeve gjykoj se pakënaqësia ndaj Berishës është rritur, ashtu sikurse është rritur edhe fuqia e tij më anë tjetër, ndërkohë që pakënaqësia ndaj Ramës dhe PS-së në pushtet lokal është rritur edhe ajo, ndërkohë që fuqia i është ulur si kurrë ndonjëherë.

Një variabël i tretë që do ta formuloja në pyetësorin tim do të kishte të bënte me pyetjen: sa ju ngjallin besim të vërtetë për ndryshim për mirë partitë në këtë fushatë elektorale, që lidhet edhe me pyetjen se sa do të ndikojë vetë fushata elektorale në rezultat? Gjykimi im është se besimi është jashtëzakonisht i ulët. Përsa i përket opozitës, që është kryesorja që duhet ta ngjallë këtë besim, do të thosha se, po t’i referohemi periudhës së zgjedhjeve që nga 2005-a e këtej, besimi për ndryshim për mirë ka ardhur duke u ulur në mënyrë drastike. Berisha i opozitës së vitit 2005 ngjallte shumë më tepër besim për ndryshim të situatës së përgjithshme të vendit nga ç’ngjall Edi Rama i vitit 2011. Mjaft të kujtojmë se së pari, Berisha më 2005-n ndërmori një fushatë të fortë antikorrupsion duke premtuar çmontimin e sistemit të korrupsionit duke pas qenë tetë vjet në opozitë, ndërkohë që Rama, duke pasur Tiranën, asnjëherë nuk është konsideruar krejtësisht në opozitë dhe akuzohet vazhdimisht për korrupsion; së dyti, Berisha ngjalli besim pasi akuzoi me emra dhe mbiemra jo vetëm liderët kryesorë Nano, Rama etj., por edhe krejt oligarkët e lidhur me ta; dhe po ashtu bëri disa reforma në partinë e tij për të eliminuar të ashtuquajturin “konflikt interesi”, si dhe një lloj autokritike, edhe pse indirekte, për të modifikuar imazhin e tij autoritar.

Thuajse asgjë e tillë nuk duket në PS. Premtimi për goditjen e sistemit mungon krejtësisht dhe i gjithë sulmi përqendrohet në një person të vetëm, Sali Berishën dhe ndoshta familjen e tij. As që bëhet fjalë për korrigjime të gabimeve, po ashtu. Përsa i përket besimit për ndryshime për mirë nga ana e maxhorancës, mendoj se një farë shkëndije ka arritur të ndezë sadopak Lulzim Basha në Tiranë, pasi Rama ka konsumuar aty tri mandate dhe dëmet që ka bërë janë bërë të dukshme për të gjithë, por këto janë shumë pak dhe tejet të pambështetura me argumente për të ngjallur besimin se kjo maxhorancë do të mbajë premtimet për mirë.

Sikurse u përpoqa të ve në dukje, tri janë variabilet kryesore që do të ndikojnë në luhatjen e pjesës së pavendosur të elektoratit për të na dhënë zgjidhjen e ekuacionit të këtyre zgjedhjeve: pakënaqësia në rritje ndaj pushteti qendror dhe atij lokal, që i jep epërsi PS, fuqia financiare politike e dy koalicioneve që përkthehet edhe si mundësi manipulimi më shumë të padukshëm sesa të dukshëm, që është në favor të PD, si dhe besueshmëria e premtimeve në këtë fushatë elektorale që në shkallë vendi do ta lija të barabartë për të dyja palët.

Sipas meje, në këto kushte, jemi përpara një loje krejtësisht të hapur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama