Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Marifeti i radhes

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Marifeti i radhes

Për tri ditë ka zgjedhje. Atë ditë do vendoset se kush do fitojë e do humbë zgjedhjet, se kush qe i suksesshëm në fushatë e kush dështoi, ndërsa që sot mund të vemë gishtin mbi një të dështuar të madh të kësaj fushate, që është media. Kur them “media” nuk e kam llafin për morinë e gazetarëve, analistëve (përfshirë dhe veten), kameramanëve, reporterëve e intervistuesve, por për median si pushtet të katërt.

Shënjat e këtij dështimi zunë të duken që gjatë fushatës së zgjedhore të vitit 2009, kur ajo ra në pozitën qesharake që të transmetonte të gatshme kasetat që i jepnin partitë për aktivitetet e tyre. Në pamje të parë dukej gjë e mirë, as gazetarët nuk lodheshin lart e poshtë Shqipërisë, as nuk harxhohej naftë e makina, kështu mbrohej edhe mjedisi dhe, në darkë fap u arrinte e gatshme një kasetë e partisë majtas dhe një kasetë e partisë djathtas, që futej direkt në transmetim. Pas ca kohe, nga gazetarët që nuk donin t’i kuptonin të mirat e kësaj pune, filluan të ngrihen zëra proteste, por ishte vonë. Megjithatë, kur u bënë hesapet mediatike të asaj fushate, kjo metoda e servirjes së byrekëve të gatshëm, u quajt e turpshme dhe u tha “kurrë më”. Por ndërkaq, politika kish mbaruar punë, e shtyu edhe një fushatë me të hedhur.

Mirëpo s’kaluan as dy vjet dhe sërish e njëjta gjë, politika fillimisht e nxorri sërish nga sepetja byrekun e mykur të kasetave të gatshme. Sefte u duk se mediat do t’i bënin rezistencë kësaj metode, madje disa syresh e denoncuan publikisht këtë gjë, duke e deklaruar që nuk do të pranonin t’i transmetonin ato. Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Kjo, për dy arsye. Nga njëra anë, jo të gjitha mediat e bënë këtë premtim, pra u përçanë që në nisje dhe, e dyta, politika futi në lojë shtetin (Komisionin Qendror të Zgjedhjeve), që u tha: “Mirë, nuk doni t’i transmetoni me hir, atëhere do t’i transmetoni me pahir”. Vendimi i KQZ-së është vërtet për turp e faqe të zezë, por politika nuk ka as turp e as faqe, kështu që ai vendim punën e bëri.

Kam një mikun tim kryeredaktor, që thosh deri para ca muajsh, ca me të qeshur e ca seriozisht: “E keqja nuk është se mos na mbyllin gazetën, e keqja me turp bashkë, është që të na i lënë hapur dhe të na dërgojnë të gatshme se ç’duhet të botojmë”. Ju thaftë goja, sa shpejt i dolën llafet.

Të shkojmë më tej. Media gjatë kësaj fushate dështoi edhe në një tjetër funksion. Me të gjitha përpjekjet e individëve apo gazetarëve të veçantë, media nuk ia doli të detyronte palët të përballnin alternativat. Përgjatë gjithë fushatës, kishim dy grupe që, siç i quajti një gazetar, ishin tërësisht të kithët me njëri-tjetrin. Njëra palë shkonte në një takim a në një media e fliste vetëm me gazetarin, pala tjetër shkonte te media tjetër, ku fliste edhe ajo vetëm me gazetarin. Funksioni i medias do të kish qënë t’i detyronte të përplaseshin me njëri-tjetrin, që njerëzit të shihnin se çfarë thotë njëri për llafet e tjetrit. Edhe në këtë punë, media nuk ia doli dot.

Është i bukur, goxha i bukur, cilësimi europian për median, si “pushtet i katërt”! Mirëpo si çdo pushtet, ai nuk dhurohet, por fitohet. Fitohet duke u përplasur, duke denoncuar, duke sakrifikuar, duke u organizuar brenda llojit. Përndryshe, më shumë se pushtet, ai katandis në levë në dorë të atij që e paguan.

Në Shqipëri nuk ka më media të pavarura, në rastin më të mirë ka vetëm gazetarë të pavarur, të cilët mund t’i japin gojës si të duan, deri ditën që gazeta apo ekrani ku e bëjnë këtë gjë, të mos ndërrojë kurs për shkak të interesave të Ustait të Madh.

Edhe kësaj radhe, në fund të fushatës, kur të bëhen hesapet, prapë do thonë “kurrë më” për skemat e përdorura gjatë kësaj fushate, por prapë politika ndërkaq mbaroi punë, e shtyu edhe një fushatë. Do presë dy vjet deri zgjedhjet e radhës, për të shpikur ndonjë tjetër marifet.

HISTORI ME SERI

Në shtator të vitit 1924, Noli - kryeministër gjendej në vështirësi. Me një buxhet të zbrazur, me taksa që s’mblidheshin me qeveri gjysmë ilegale, e vetmja shpresë e shpëtim i tij ishte një kredi e madhe prej 100 milionë frangash nga Lidhja e Kombeve. U ngrit e vajti në Gjenevë në sesionin e Lidhjes së Kombeve me shpresën t’ia jepnin ato pará. E, ndërsa duke u sjellë korridoreve të Lidhjes, kuptoi se politikanët e ftohtë të Europës e shihnin me dyshim dhe vështirë t’i jepnin gjë, mëndja e tij rebele e gjeti jo një mënyrë për të dalë nga halli, por për të nxjerrë inatin. Në seancën kur kishte fjalën, mbajti një ligjëratë të jashtëzakonshme, ku i denoncoi të tërë, e ku foli kundër të gjithëve. Të gjithë u çuditën. Të gjithë e lëvduan stilin e tij. Gazetat e Europës e quajtën fjalimi më i shkëlqyer i Sesionit, gazetat e Tiranës e quajtën kollos, ndërsa populli shesheve të qyteteve tona, i nxorri këngë: “Ligjëron peshkopi / çuditet Evropi”. Në fund, ata që e hëngrëm, qemë ne. Europa vazhdoi udhën e saj, gazetat të nesërmen nuk shkruan më, ndërsa shqiptarët mbetën pa kredinë aq të domosdoshme të cilën dijti ta marrë Zogu nga italianët dy vjet më pas duke u lutur.

Enver Hoxha gjithmonë e ka lëvduar Nolin për fjalën që mbajti në Gjenevë dhe, arsyeja ishte e njëjta. Edhe ai bënte të njëjtën gjë: në vitet e para kur dilte vetë, u binte të gjithëve pa dallim ndërsa më pas, kur u rëndua e nuk dilte më vetë, të dërguarit e tij në OKB bënin të njëjtën gjë: luftë me fjalime kundër gjithë botës. Imperializmi është i zi, socialimperializmi edhe më i zi, Hrushovi është tradhëtar, Maoja dredharak, Europa është plakur, Amerika është xhandar i Botës, e plot broçkulla si këto. Bota i fuste një të qeshur e shikonte punën e saj, ndërsa ne këtu i ngrinim këngë “Fol Enver të lumtë goja / fol e mbro të drejtat tona”.

Tani në shekullin e ri nuk ka më këngë, megjithatë krerët tanë vazhdojnë të njëjtën udhë. Capak ditë më parë, Parlamenti Europian u çudit nga një ligjëratë e Kryetares sonë të Kuvendit që, faqe të gjithëve, i tregoi vëndin dhe udhën e drejtë (sipas saj) një deputeti të Europës dhe ku pa, mu në gojë të ujkut, brënda në Bruksel. Sërish, ashtu si 80 vjet më parë, ashtu si 40 vjet më parë, edhe kësaj radhe, Europa u çudit, pastaj i futi një të qeshur me ne dhe shkoi tutje. Kryetarja u kthye mes popullit të vet, krenare për ç’kish bërë, ndërsa ne... Ne vazhduam të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Mahnitemi me trimërinë e bariut tonë dhe hamë dhé me dhëmbë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama