Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mos mu perdridh!

Shkruar nga: Grid Rroji  
Botuar më: 13 vite më parë

Grid Rroji
Mos mu perdridh!

Fushata zgjedhore vendore që po përjetojmë është në shumë aspekte një fushatë që pritej. Ka patur një acarim të dukshëm mes palëve i cili e ka origjinën tek mosmarrëveshjet paszgjedhore të vitit 2009 të cilat krijuan ngërçin politik i cili u parapriu këtyre zgjedhjeve. Por në një plan më të gjerë analize, konflikti politik nuk është produkt i rastësisë apo i një mekanizmi që nuk funksionon, por i një sistemi të ndërtuar për të funksionuar nëpërmjet ngërçeve. Në këtë sistem, pushteti është i ndryrë midis dyluftuesve kryesorë, të cilët edhe i bëjnë rregullat edhe vendosin të mos i respektojnë kur nuk u volit.

Është tashmë lehtësisht e dallueshme se përplasja mes palëve politike nuk mund të krijojë hapësira për zgjidhje racionale të problemeve, për të cilat ka nevojë urgjente shoqëria shqiptare. Sistemet e konsoliduara demokratike si ai i SHBA i ofrojnë qytetarëve hapësirën demokratike për të ngritur zërin e tyre dhe për të shprehur pakënaqësinë me realitetin. Partia e Çajit është një lëvizje politike me karakter dhe organizim jo partiak në Shtetet e Bashkuara deviza e së cilës ndaj politikës së status kuosë është “don’t tread on me”, apo shqip “mos mu përdridh”.  Në mjedisin politik shqiptar ende nuk duket se ka hapësira të tilla për shkak se palët i kanë mbyllur rrugët hyrëse në lojë, sistemi favorizon status kuonë dhe ndërgjegja qytetare nuk ka arritur pikën e vlimit të nevojshme për këto lloj lëvizjesh gjenuine.

Ka tre aspekte ku kristalizohet rruga pa krye ku ka hyrë politika shqiptare: 1) mungesa e një kompromisi politik të qëndrueshëm i cili të garantojë vazhdimësinë e sistemit dhe konsolidimin e shtetit; 2) amullia ekonomike e cila rrezikon të kthehet në një krizë afatgjatë politike e cila do të kishte pasoja të prekshme në zhvillimin demokratik të shoqërisë; dhe 3) mangësitë e dukshme të kulturës demokratike të cilat karakterizojnë mjedisin politik shqiptar.

Në aspektin politik është tashmë e qartë se opozita po përgatitet për manifestimin e madh, pra për betejën finale me qeverinë. Përshkallëzimi i incidenteve parazgjedhore, episodet e dhunës në fushatë dhe paralajmërimet jo fort nën zë të kreut të opozitës Edi Rama se 8 Maji është dita e betejës fundore  nuk lenë vend për shume interpretime. Pra, opozita nuk i ka lënë vetes zgjedhje tjetër përveçse përfundimin e proçesit bojkotues të nisur pas zgjedhjeve të Qershorit 2009. Ky proçes sipas Edi Ramës çon drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe ndërrimit të pushtetit. Çdo zgjidhje tjetër është deklaruar nga Rama si e papranueshme.

Nga ana tjetër, zhvillimi i zgjedhjeve lokale brenda standarteve shqiptare, edhe nëse  do rezultonte me fitore të thellë të socialistëve, vetëm se do ti garantonte Berishës pushtetin qendror deri në 2013. Legjitimimi që do i vinte qeverisë nga zhvillimi pa incidente i zgjedhjeve dhe fitorja e socialistëve nuk do ti lejonte Ramës tezën e “vjedhjes së votave”  për përdorim të brendshëm e të jashtëm, si dhe nuk do e ndryshonte raportin e numrave në parlament, i cili është qartësisht në favor të Berishës. Si pasojë, edhe fitorja e thellë në zgjedhjet vendore nuk do i siguronte dot pushtetin dhe do e kthente Ramën në vendnisje, i.e. në rrugën e shesheve ose mënjanimin politik.

Nga ana e vet, Berisha po e tregon përditë e më tepër pafuqinë e tij dhe të qeverisë për të parandaluar këto proçese dhe për tu bërë ballë atyre me anë të institucioneve. Arsyet për këtë janë të shumta, por më e prekshmja është dobësia e strukturave shtetërore dhe kapja e tyre nga interesat ekonomike të grupeve të caktuar. Ndonëse e ka vendosur veten me shumë finokëri në anën e ligjit dhe ka mbështetje të gjerë të ndërkombëtarëve, pozita e ka të pamundur të mohojë përgjegjësinë për ndërtimin e një sistemi i cili çon me doemos në pikë përplasje. Megjithë thirrjet për qetësi, paralajmërimin e trazirave zgjedhore, thirrjet për vëzhgues ndërkombëtarë dhe tentativën për të krijuar në dukje një atmosferë normale zgjedhore, qeveria po dëshmon se nuk e ka kapacitetin e nevojshëm për të përballuar  përgjegjësinë e zhvillimit normal të zgjedhjeve.

Gjithashtu, legjitimimi i jashtëm i zgjedhjeve nga faktori ndërkombëtar, i cili është përvijuar qartazi me daljet publike të trupit diplomatik në favor të stabilitetit të vendit dhe zhvillimit të zgjedhjeve pa probleme, nuk ja garanton Berishës legjitimitetin e brendshëm. Me fjalë të tjera, nëse socialistët perceptojnë se nuk ka rrugë tjetër për në pushtet përveç turit të forcës, gjë për të cilën po lufton me të gjitha forcat Rama me devizën “fajin e ka Berisha”, mbështetja e ndërkombëtarëve nuk garanton një mjedis politik të qetë. Duke marrë parasysh se sa tërheqëse është Berishofobia për militantët socialistë,kjo do e kthente Berishën në pikënisje, i.e. përballjen me turmat nëpër sheshe.

Në fakt, Berisha gjindet para përvetësimit nga Rama të teknikave politike të përdorura me sukses nga ai gjatë peridhës së PD-së në opozitë . Ndërsa stilet  dhe rrethanat ndryshojnë, thelbi i këtyre teknikave është tashmë i njohur për publikun dhe përqafimi i tyre nga Rama tregon se ai e ka kuptuar mënyrën e funksionimit të marrjes së pushtetit brenda kodeve të sistemit aktual.

Së dyti, nga e gjithë kjo zallamahi politike e cila nuk duket se ka fund, prodhohet një klimë ekonomike e paqëndrueshme e cila rrezikon ta çojë ekonominë drejt kolapsit. Ekspertë vendas e të huaj shprehen se  arsyet kryesore të dobësisë strukturore të ekonomisë janë mungesa e një vizioni të qëndrueshëm ekonomik , vendosja e interesave makro ekonomike të vendit në funksion të atyre të klasës politike, dhe korrupsioni masiv që përfshin çdo qelizë të qeverisjes. Nga ana tjetër, PS-ja përveç përgjegjësisë që mban në nivel lokal për gjendjen, nuk ofron asnjë zgjidhje ideologjike apo konkrete përtej idesë se tejkonsumuar “ne e bejmë më mirë se ata”.

Së treti,  kultura politike që mbizotëron skenën shqiptare është kultura e unit, kultit të individit dhe mungesës së tërësishme të ndjenjës së shërbimit publik. Partitë nuk janë organizma demokratike dhe me përjashtime të vogla nuk prodhojnë ide, nuk propozojnë politika por vetëm udhëheqës dhe ndjekës të tyre të cilët i gëzohen privilegjeve që u siguron pushteti. Politika është shndërruar në një biznes më fitimprurës se sa çdo biznes tjetër . Funksionimi i saj nuk bëhet në bazë të rregullave të respektuara as brenda partisë e as në nivel ndërpartiak, po në bazë të një kodi mospërkitjeje i cili u lejon të gjitha palëve të mbijetojnë. Nuk përbën risi  konstatimi se politika shqiptare nuk përshkohet nga norma të shëndosha etike e demokratike.

Një shembull tipik është ngulmimi i partive politike  gjatë kësaj fushate për të transmetuar kaseta të prodhuara nga ato vetë. Një teknikë mediatike e nisur nga Rama në 2009, ky tashmë është shndërruar në standartin e politikës si e vetmja mënyrë për të evituar daljen në dritë të hipokrizisë që e ka kapluar.

Si përfundim, zhvillimet e fundit të fushatës nuk japin shpresë për ndonjë zgjidhje racionale ku të mbizotërojë interesi kombëtar dhe zhvillimi demokratik i vendit. Qytetarit racional shqiptar në këto zgjedhje i duhet të zgjedhë midis dy përdredhjeve të radhës, të cilat nuk përballen mbi mënyrat e  konsolidimit të shtetit apo perspektivën ekonomiko-shoqërore të vendit, por për pushtetin e drejtuesve dhe grupeve që i pasojnë. Megjithë përpjekjet deridiku qesharake të disa individëve gjatë kësaj fushate për të krijuar imazhin e një shoqërie civile aktive, qytetarët e kanë të qartë që edhe shoqëria civile është në masë të gjerë e kooptuar nga politika dhe i shërben drejtpërdrejt apo tërthorazi interesave të grupeve që përfaqësohen në të. 

 Derisa edhe në Shqipëri të ngrihet organikisht një lëvizje shoqërore e ngjashme me Partinë e Çajit në SHBA, është e vështirë të imagjinohet një ndryshim thelbësor i politikëbërjes. Por që të arrijmë aty, qytetari racional duhet që së pari të ndërgjegjësohet se problemet aktuale nuk janë vetëm çështje individësh në pushtet a në kërkim të pushtetit. Zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet rizgjimit të vetëdijes se përtej preferencave meskine politike të secilit prej nesh, i kemi borxh të ardhmes një Shqipëri të begatë, me një sistem politik të qëndrueshëm i cili të garantojë zhvillim ekonomik dhe shoqëror për të realizuar integrimin europian. Vetëm ateherë do të dalë e natyrshme  dhe e fuqishme thirrja ndaj politikës “mos mu përdridh”.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama