Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi racizmin e Kadaresë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Mbi racizmin e Kadaresë

Zoti Kryeredaktor, lexova para disa ditësh një dyfaqësh të botuar në gazetën “Panorama”, ku spikat letra që shkrimtari Ismail Kadare ju ka dërguar kundër meje, shoqëruar me një intervistë të tijën,  si dhe me një dokument, të nxjerrë nga arkiva, rreth romanit “Koncerti”. E gjitha kjo si përgjigje ndaj një artikullit tim, ku, mes të tjerash, duke kritikuar gjuhën fyese, deri raciste, të përdorur në një shkrim të Ilir Yzeirit ndaj ambasadorit amerikan, përmendet, shkarazi, edhe ky roman, meqenëse përdoret nga autori për ta theksuar gjuhën e tij fyese.

Më duhet t’ju them që në fillim se, pas leximit të atij dyfaqëshi, mendimi i parë që më erdhi nëpër mend ishte: si ka mundësi që “Panorama” i ka bërë një shërbim kaq të padenjë gënjeshtrës, urrejtjes dhe intrigave!? Ju do të thoni se është e drejta e shkrimtarit të bëjë replikë dhe s’mbani përgjegjësi për ato që ai thotë. Keni dhe s’keni të drejtë. Megjithatë, përpara se të shpreh se pse nuk keni të drejtë, le t’ju sqaroj më së pari për gënjeshtrat.

E pra, më vjen keq, por nuk kam parë ndonjëherë në faqet e Panoramës një koncentrat të pavërtetash si ato që përmban ai dykolonësh që keni botuar në faqen 16 të së premtes së shkuar kundër meje. Shkrimtari fillon e gënjen që në paragrafin e parë kur më akuzon se në shkrimin tim them se frymëzuesi i racizmit të shqiptarëve është Kadare. Në shkrim, duke dënuar fyerjet deri në racizëm të Shekullit ndaj ambasadorit Arvizu, ku autori e fton me tallje atë të lexojë librin “Koncerti”, them tekstualisht: “Na duket normale t’i themi dikujt ‘kinez’, ‘evgjit’, ‘çam’, ‘çifut’, ‘çoban’, ‘grek’, ‘shkjah’ etj., për ta sharë e ofenduar ngase kemi bindjen se këta janë racë inferiore ndaj sonës. Na duket normale t’i referohemi edhe Kadaresë – librit ‘Koncerti’, të cilit i referohet autori i shkrimit kur e akuzon ambasadorin për ‘kinezëri’ – duke mos qenë në gjendje as të vëmë re se shkrimtari ka qëndrime raciste të shumta në librat e tij e jo vetëm ndaj kinezëve, siç ka libri në fjalë. Këto janë harxhet e izolimit nacional-komunist. Kjo është kultura jonë e trashëguar”. Kaq them unë e këtu s’ka asgjë që të lërë të kuptojë se frymëzuesi i racizmit tonë na qenka Kadareja. Me duket se Kadareja pretendon ca si tepër edhe në të keq. Si për të provuar këtë humbje të kontaktit me realitetin, ca më poshtë ai vazhdon e thotë se na qenka akuzuar si shkaktar i ftohjes me kinezët dhe se tani po u akuzuaka se po nxitka ftohjen me amerikanët. Kush e di pak historinë, e di se si ka ardhur prishja me Kinën dhe nuk i ka shkuar ndër mend t’ia veshë këtë përgjegjësi Kadaresë, kurse që ai po na ftohka me “partnerin strategjik”, siç i quan SHBA në letrën e tij, mos o Zot, s’i ka shuar ndër mend njeriu ta akuzojë.

Pasi pozicionohet kësisoj në të akuzuarin e madh që me një libër të tijin na prishka ekuilibrat e Shqipërisë me botën, “shkrimtari i madh” më akuzon se, i shtyrë nga ambicia e shkrimtarit të vogël, kam njëzet vjet që e akuzoj, së bashku me një “klan” rimohuesish, si racist, çka, sipas tij, është njëlloj si t’i thuash tjetrit terrorist, fashist, të kërkosh dënimin e tij me burg, paçka se ndaj meje këtë akuzë e bën që në titull e pastaj gjatë gjithë shkrimit. Edhe këtu, zoti Kryeredaktor, kemi të bëjmë me një manipulim, pasi në shkrimet e mia nuk jam marrë me racizmin e Kadaresë. Jam marrë, po, me nacional-komunizmin që racizmin e ka si një nga ushqyesit e tij më të shëmtuar; dhe jo i shtyrë nga ambiciet personale dhe as për t’u marrë me Kadarenë, por për një arsye shumë më të rëndësishme: pasi ideologjinë nacional-komuniste, për propagandimin e së cilës akuzoj edhe Kadarenë se ka luajtur një rol të dorës së parë me veprën e tij, e kam konsideruar dhe e konsideroj ideologjinë e pushtetit të Enver Hoxhës që, bashkë me shqiptarët, i izoloi shkencat shqiptare të tilla si historia apo gjuhësia, ashtu sikurse edhe letërsinë dhe mendimin shqiptar në përgjithësi për dyzetepesë vjet dhe që, me pseudoshkencën që ka prodhuar e me metodat e të studiuarit e të menduarit, po vazhdon t’i mbajë edhe sot të izoluar nga mendimi dhe studimi bashkëkohor. Është ky njeri, në fakt, që ndaj këtij debati që përfshin edhe veprën e tij, e që ka të bëjë me destalinizimin e vendit, nuk ka pasur asnjëherë kurajën intelektuale të përgjigjet me argumente, por duke përdorur ndaj meje dhe kolegëve që ndajnë mendime të ngjashme, fyerje e shpifje të tilla, si: antishqiptarë, ziliqarë, spiunë të perëndimorëve, agjentë të serbëve e të tilla broçkulla që në shtypin shqiptar i gjen vetëm në basifondet e gazetarisë.

Si për ta ilustruar këtë kulturë, më poshtë, në letrën e tij ai e quan kritikun letrar të Gazeta Wiborsha, Kaczorowski, “fundërrinë” e Polonisë, “nga ata që dorëzonin hebrenjtë gjatë luftës”, pasi në recensionin e librit “Pallati i ëndrrave”, përveçse paska shprehur mendimin e tij se ky është një shkrimtar mediokër, paska shfrytëzuar edhe ca “raportime” të Lubonjës mbi Kadarenë, sipas të cilave, ky e ka biografinë në komunizëm “mos më keq”. Në fakt, e vërteta është përsëri tjetër: kritiku polak, të cilin personalisht as që e njoh, e akuzon Kadarenë për manipulimin e biografisë së tij ku, nga shërbëtor i regjimit, është përpjekur t’i paraqitet Perëndimit si disident i regjimit dhe, për këtë, sjell shembullin e manipulimit me historinë e poemës “Pashallarët e Kuq”, të cilën, nga një poemë që glorifikon Enver Hoxhën dhe bën thirrje të pushkatohen armiqtë e klasës në bulevard – aq sa diktatori e ka ndaluar botimin e saj për zell të tepruar – Kadareja ka tentuar t’ia shesë Perëndimit si poemë kundër regjimit. Dhe polaku nuk e ka mësuar këtë histori nga ndonjë spiunllëk prapa shpine i Lubonjës, por nga libri i tij me artikuj dhe ese “Liri e kërcënuar”, botuar në Poloni, pasi i ka bërë edhe recension këtij libri në Gazeta Wiborsha. Dhe, sikurse e dini, zoti Kryeredaktor, polemika për atë poemë ka qenë krejt publike dhe, kur u gjet poema, e vërteta doli ashtu siç thosha unë e jo ashtu siç manipulonte Kadareja me shokë.

Më tej, i verbuar nga urrejtja për shkak të qëndrimeve të mia kundër nacional-komunizmit në veprën e tij e më gjerë, që burojnë nga bindjet dhe vizioni im për botën, shkrimtari i etiketon ato si “racizëm antishqiptar” dhe, për t’i sulmuar ato, përdor një intrigë sa të ulët, aq dhe të rëndomtë: i referohet ndonjë burimi që nuk e citon (unë, që i njoh më mirë se ai reagimet ndaj shkrimeve të mia, nuk e kam gjetur kund në shtypin serioz shqiptar), që i shpjeguaka ato me qenien time jo shqiptar, por vllah. Dhe pastaj na thotë se puna paska arritur deri aty sa me “pabesinë vllahe” ndaj shqiptarëve unë paskam provokuar në Shqipëri racizmin antivllah (!!!) që ai na e dënuaka me demek, e, për këtë, na citon një fragment nga libri i tij “Mosmarrëveshja”, i cili, sipas tij, na qenka manifest i mbrojtjes së shqiptarëve nga racizmi kundër tyre i ushtruar nga “të huajt” si Lubonja me klanin e tij. Në fakt, ky shkrimtar nuk e fsheh dot racizmin e tij antivllah, e jo vetëm. Mjaft të kesh parasysh se në “Nga një dhjetor në tjetrin” ai kërkon ta shpjegojë egërsinë e regjimit komunist me “shulet” (siç i quan maqedonasit) dhe vllahët: “Zakonisht, në Byronë Politike, një e katërta e ndoshta një e treta ishin ‘shule’ ose vllahë. Të zgjedhur nga Kominterni ose Enver Hoxha, ‘shulet’ dhe vllahët ishin tepër të përshtatshëm për udhëheqjen komuniste për arsyen e vetme se ata, duke mos pasur lidhje me kombin shqiptar, nuk kishin kurrfarë dhimbsurie për të. Atyre mund t’u thoshe: goditini pa mëshirë! Dhe ata do të goditnin pa iu dridhur dora gjithçka: themelet e kombit, historinë, njerëzit. Ata do ta gjymtonin racën krenare të shqiptarëve me shumë zell, ngaqë në këtë zell kishte pjesën e vet revanshi për fyerjet e dikurshme, hakmarrja dhe kompleksi i tyre i inferioritetit”. (Fayard, 1991, f. 65- 66). Shikoni se si gjuha e këtij “ultrasi”, siç do ta quante Adam Michniku, ngjason si dy pika uji me diskurset e Hitlerit për t’ua hedhur fajin hebrenjve për të këqijat e Gjermanisë e për të kërkuar pastaj shfarosjen e tyre si trup i huaj?

Sa për kuriozitet të lexuesit, zoti Kryeredaktor, unë gjyshin dhe gjyshen nga im atë nuk i mbaj mend të kenë folur ndonjëherë vllahisht në shtëpi, por vetëm shqip, e po ashtu gjyshi im bën pjesë ndër ata fanolistë që kanë ardhur në 1920-n me Vatrën nga SHBA për të luftuar për Shqipërinë, por, çfarëdo origjine etnike që të kenë pasur, shqiptare, greke, vllahe, serbe, maqedonase, malazeze, evgjite, rome, turke, çifute të përzierë apo të stërpërzierë gjatë shekujve në perandori, kjo për mua s’është as objekt krenarie dhe as poshtërimi, sepse bëj pjesë ndër ata që njohin vetëm një racë: racën njerëzore dhe që njeriun e konsiderojnë produkt të kulturës dhe jo të racës. Ndërsa përsa i përket kulturës sime, për këtë mund të them se jam krenar që krahas gjuhës shqipe e kulturës së shoqërisë ku jam rritur, jam përpjekur e përpiqem të hap sytë e veshët edhe ndaj kulturave të tjera, çka më bën sot të ndjehem një qenie që vlerëson më shumë individualitetin dhe personalitetin te tjetri, sesa përkatësinë e tij etnike e që e përbuz me neveri punën e atyre që tentojnë ta reduktojnë njeriun në identitetin e grupit etnik apo fetar, pasi një punë të tillë e konsideroj punë injorantësh e manipulatorësh të rrezikshëm. Sikurse thotë edhe Amarty Sen, në “Identiteti dhe dhuna”, shpesh ky reduktim synon linçimin e tjetrit.

Sipas meje, këtë synon edhe Kadareja me paçavuret nacionaliste e raciste që shkruan, apo me intrigat në letra si kjo ku guxon deri edhe të na kërcënojë, në emër, me demek, të mbrojtjes së shqiptarëve, kur thotë se “patologjisë antishqiptare” (të joshqiptarëve si unë) nuk ka ndër mend t’i gjejë një emër më të butë (se racizëm): “Ajo është gjithashtu murtajë, dhe sjellësit e murtajës, nga çdo drejtim që vijnë, nuk do të përkëdhelen prej askujt”. Me fjalë të tjera, kush guxon të sjellë mendime të ndryshme nga Kadareja apo kundër tij në kulturën shqiptare, të ketë kujdes se mund të akuzohet si racist antishqiptar, si sjellës i murtajës. Ky njeri ka harruar se nuk jeton më në kohën e totalitarizmit kur kërcënonte: “Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj/ Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit/ Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh”.

Kadareja thotë se unë kam manipuluar kontekstin e cilësimit nga ana e tij të gjuhës serbe “jevgë”. E vërteta është se këtë shprehje unë e kam lexuar për herë të parë në burg në gazetën “Drita”, dhe jo në ndonjë fiksion të autorit, por në fragmente të librit “Ftesë në studio” (“Drita”, 30 shtatorit 1990) dhe e kam komentuar më së pari në librin tim ditar i burgut “Në vitin e 17-të”. Ai është një tekst ku për gjuhën shqipe flitet me tonet e një nacional-romantiku të shekullit XIX, ku ekzaltohet shqipja si gjuhë eprore, ku turqishtja krahasohet nga autori me një mamuth të ngathët që lufton me bisht përballë një luani që përdor dhëmbët e kthetrat e del fitues (shqipja) e ku, në përgjithësi, ajo trajtohet si e sulmuar nga ata që, sipas autorit, kanë një qytetërim, gjuhë e kulturë inferiore, prandaj vuajnë nga një “zili e zezë, që s’ka shërim”.

 Dhe për autorin këta janë fqinjët, veçanërisht serbët. Në këtë kontekst, duke folur për shqiptarët e ekzaltuar, ai vë në gojën e tyre krahasimin e shqipes me serbishten “si një zonjë e rëndë përbri së cilës serbishtja s’qe veç një shërbëtore jevgë”. (Vini re racizmin e dyfishtë, atë ndaj shtresës dhe atë ndaj evgjitëve). Po të kesh parasysh kontekstin e krejt tekstit, aty nuk gjen dënim të racizmit të shqiptarëve, aty gjen pak a shumë të njëjtin stil “hidh gurin e fshih dorën” (që mos të të quajnë europianët racist se shqiptarët e kuptojnë mirë çfarë do të thuash), që përdor në letrën që ju ka dërguar kundër meje. Aq më tepër po të kesh parasysh se nuk citon se nga ku e ka burimin e këtyre shprehjeve për të provuar se nuk janë produkt i mendjes së tij raciste.

Zoti Kryeredaktor, unë jam një ndër ata që mendojnë se ne shqiptarët kemi një prapambetje kulturore nga e cila nuk dalim dot me vetëmburrjet nacionaliste dhe qëndrimet raciste, që veçse na bëjnë groteskë, por edhe të rrezikshëm për veten e për të tjerët. Shkaqet e saj nuk janë racore, siç mund të na akuzojnë racistë të tjerë që kemi edhe rreth e rrotull. Ato janë kulturore e historike, por, mbi të gjitha, lidhen me izolimin, injorancën dhe shpëlarjen e trurit nga ana e regjimit nacional-komunist të Enver Hoxhës.

Ajo që kam bërë unë, duke filluar që me ato rreshta që janë shkruar në një ditar burgu në një kohë kur nuk dinim nëse do të dilnim gjallë prej andej, edhe ato që kam bërë më pas me revistën “Përpjekja”, edhe me çfarë kam shkruar së bashku me kolegë që Kadareja i stigmatizon duke i quajtur “klan rimohuesish”, është një përpjekje për të dalë nga kjo kulturë e për të zhvilluar frymën kritike në kulturën shqiptare në emër të diturisë e të lirisë. Prandaj dhe moton Përpjekjes ia kam vënë: “Bëhu i ditur të jesh i lirë”. Në funksion të kësaj diturie jam përpjekur edhe për dekonstruktimin, që do të thotë zbërthimin, analizimin, e miteve të nacional-komunizmit, si histori e ndërtimit të tyre, por edhe si instrumente sundimi e trushpëlarjeje. Kadareja, dhe jo vetëm ai, më akuzojnë për këtë si “çmitizues i egër”.

Për mua e egër dhe barbare ka qenë dhe mbetet gjuha e atyre që i kanë keqpërdorur këto mite dhe ky debat për mua s’është ndeshje personash, por një ndeshje kulturore. Sipas meje, shoqëria shqiptare vazhdon të mbisundohet nga një elitë e përbërë nga njerëz të tillë që kanë ndërruar vetëm lëkurën e sipërme të asaj ideologjie, atë komuniste, por që kanë ruajtur, madje edhe zhvilluar, nacionalizmin megaloman, izolues e vetëshkatërrues që kultivoi ai regjim, veçanërisht pas viteve ‘60, kur e paraqiste Shqipërinë si kështjellë graniti që i rezistonte edhe Lindjes, edhe Perëndimit (lexoni për këtë edhe “Kështjella” e Kadaresë në variantin shqip të asaj kohe).

Për arsye të ruajtjes së pushtetit të tyre intelektual e politik këta vazhdojnë të kultivojnë të njëjtën kulturë që shfaqet sheshit edhe në letrën që ju ka dërguar Kadareja, por edhe në mjaft diskurse e forume intelektuale shqiptare. Mjaft të kujtoj frymën me të cilën u trajtua në Shqipëri, me në krye Kadarenë, monografia e Skënderbeut e profesor Schmitt, gjë që ka çmeritur çdo studiues të huaj të kohës sonë. Si rezultat i kësaj pune të mbrapshtë, ajme, ajo që vihet re është se edhe njëzet vjet pas hapjes së Shqipërisë ndaj kulturave të tjera e ndaj mundësisë për të zhvilluar frymën kritike, për shumicën e shqiptarëve është më e lehtë të mbushen me mburrje megalomane e urrejtje për të tjerët e ta kërkojnë identitetin e tyre në përkatësinë etnike, sesa të kërkojnë të ndërtojnë, me frymë kritike, individualitetin dhe personalitetin e tyre në një shoqëri të hapur e demokratike.

Dhe ja ku mbërrita tek pakënaqësia ime ndaj Panoramës. Për fat të keq edhe mënyra se si e parqaqiti gazeta reagimin e Kadaresë ndaj meje reflektoi këtë kulturë. Nuk e kam fjalën për letrën e autorit, i cili ka të drejtën e padiskutueshme, tek e fundit, të bëjë replikën e tij, sipas kulturës së tij. Por është e pafalshme për gazetarin që inteviston të mos ketë as minimumin e dijeve të veta, të frymës kritike e të etikës profesionale kur interviston. Gazetari që interviston Kadarenë dhe ka përgatitur dyfaqëshin nuk di (ose bën sikur nuk di) se librit Gjakftohtësia, i titulluar kështu sipas titullit të një kapitulli të rëndësishëm të atij që u bë më vonë romani Koncerti, i është dhënë Çmimi i Republikës më 1981, atëhere kur ky pretendon se persekutohej. Gazetari nuk e di (ose bën sikur nuk di)  se libri nuk është shkruar për të demaskuar regjimet socialiste, por ishte një libër që glorifikonte prishjen e Shqipërisë staliniste me Kinën që kishte marrë rrugën revizioniste dhe se Kadare, ashtu siç glorifikonte tek Dimri i madh Enver Hoxhën e tallte e përqeshte sovjetikët e “tradhëtarët” shqiptarë, në këtë libër ka glorifikuar Enver Hoxhën e ka talluar e përqeshur kinezët dhe “tradhëtarët” e rinj shqiptarë (gjeneralët e pushkatuar me në krye Beqir Ballukun).

Gazetari duket sikur të mos ketë lexuar asnjë resht nga debati mbi Pashallarët për të cilin s’pati gazetë që nuk shkroi. Ai nuk di (apo bën sikur nuk di) se megjithëse e vërteta e asaj poeme doli ashtu si doli kjo nuk e ndaloi Kadarenë ta botojë Librin e Maks Velos në Perëndim, e gënjeshtra e fabrikuar të citohet edhe në vlerësimet ndërkombëtare, si shenjë disidence. Gazetari, sikur nuk ka asnjë shqetësim profesional e njerëzor për të kërkuar të vërtetën përtej autoritetit të atij që i servir të vërteta. Ai nuk shfaq asnjë ndjeshmëri etike dhe morale ndaj ndrrimlëkurësisë së intelektualëve shqiptarë të komunizmit. Ai vetëm emocionohet nga suksesi i Kadaresë në Perëndim dhe nuk di se Balzaku ka thënë se në letërsi historia e mashtrimeve është më e madhe se në politikë. Po ashtu, më vjen keq ta them, gazetarit nuk i pipëtin asnjë fije ndërgjegje kur sheh se, në shkrimin në fjalë, transmetohet një urrejtje e pakufi dhe krejtësisht e padrejtë ndaj një bashkëpunëtori të gazetës së tij, sepse, megjithëse prita një numër pyetjesh për sqarim, nga ana juaj, ato nuk erdhën.

Ky aspekt, që ka të bëjë me të rinjtë, zoti kryeredaktor, është për mua shumë më shqetësues sesa Kadareja, i cili duket sheshit se zor se do të mund të heqë dorë nga kultura që përfaqëson. Kjo gjë më bën të mendoj se ajo dituria që do t’i bëjë shqiptarët vërtet të lirë do të vonojë, por megjithatë, shpresoj se një ditë do të bëhet pjesë e kulturës sonë. Në fakt nuk do të kisha marrë kurrsesi mundimin t’jua shkruaja këtë letër  sikur të mos mendoja se ajo mund të jetë e dobishme për të rinjtë që kërkojnë një kulturë tjetër në këtë vend.

Duke e mbyllur letrën me këtë shpresë,
ju uroj shendet e gjithë të mirat,
Fatos Lubonja

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama