Fushata si screen saver i Ferrit

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Lubonja
Fushata si screen saver i Ferrit

Takova para disa ditësh një të ri, i cili bën pjesë në kategorinë e atyre që kalojnë një kohë jo të vogël para kompjuterit. E pyeta se si e shihte ai fushatën elektorale. M’u përgjigj me një anekdotë që më pëlqeu, prandaj po e ndaj me lexuesin.

- A e di çfarë më kujtojnë ato dy posterat e Ramës dhe Bashës? – më tha.

- Çfarë? – e pyeta.

- A e ke dëgjuar atë barcaletën me Bill Gate në Ferr?

- Jo.

- Kur vdiq Bill Gate, meqë ishte njeri që kishte bërë punë të mëdha, i dhanë mundësi të zgjidhte se ku do të shkonte. Për këtë i shfaqën tre ekrane kompjuterike. Billin e tërhoqi veçanërisht Ferri: me një breg deti të kaltër, me shezlongë e palma e me femra të bukura rreth e rrotull. E zgjodhi menjëherë. Mirëpo, sapo hyri atje, ç’të shihte: shtëllunga flake, gropa vullkanike, vende torture, d.m.th. ferr i vërtetë. “Ç’është kështu? – u tha të dërguarve të Zotit. – Unë pashë tjetër gjë në ekran”. “Epo, – i thanë, – ajo që pe ti ishte ‘screen saveri’”.

“Mua, – vazhdoi të më thotë miku im, – ajo buzëqeshja e Bashës para fotos së Tiranës dhe ato dhëmbët e reja rruazë të bardhë të Ramës, shoqëruar me tri-katër femra në rresht, që na dalin çdo dhjetë metra kur ecim nëpër rrugë dhe që i sheh të stampuar edhe nëpër makina që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës, më duken si screen saveri i Ferrit”.

Më kapi e qeshura dhe shyqyr që e kemi ruajtur ende këtë veti, se prapa saplikimit të kësaj barcalete, në kontekstin shqiptar, qëndron një dramë shumë e thellë për të gjithë ne.

Nuk di nëse është më shumë përvoja e hidhur e këtyre njëzet vjetëve që na bën t’i shikojmë këto premtime me aq mosbesim, apo fakti se fushatat tona elektorale po bëhen gjithnjë e më shumë thjesht e vetëm propagandë si ajo e kohës së komunizmit. Ndoshta të dyja janë të vërteta. Mosbesimi ka arritur një pikë kulmore për shkak të premtimeve të pambajtura, kurse premtimet e pambajtura, që gjithsesi janë shpërblyer me votë, e kanë bërë klasën tonë politike gjithnjë e më arrogante e harbute, por njëherësh gjithnjë e më të bindur se në këtë vend gënjeshtra shpërblehet më shumë sesa e vërteta, kurse atyre që s’duan ta hanë, u thuhet: “O ti mangi questa minestra o ti butti dalla finestra!”. A ju kujtohet, o qytetarë të Tiranës, se kur na u vu mbi kokë ajo linja e tensionit të lartë në bulevardin “Zogu i Parë”, pati një valë jo të vogël protestash për rrezikshmërinë e saj, për faktin se një gjë të tillë nuk e sheh gjëkundi në qytetet e botës së qytetëruar e më the e të thashë? Dhe si përgjigje nga ata që e vunë – nuk e mbaj mend fare se kush ishte asokohe – na u tha se ishte një gjë e përkohshme, sa për të stabilizuar për pak kohë tensionin; se shumë shpejt do të vendosej kablloja nëntokësore, si në të tëra qytetet normale të botës. E pra, kanë kaluar ndonja dhjetë vjet, besoj, dhe ende ato shtylla e tensionit të lartë i kemi mbi kokë, mu në mes të Tiranës. Tani i kemi harruar fare që i kemi mbi kokë. Kemi harruar edhe protestat që kemi bërë, madje. E sot, këta mashtrues profesionistë, kanë për borxh që ca shtylla si ato të na i ngrenë mbi krye e të na i shesin edhe për sukses.

Premtimi i Edi Ramës, përveç buzëqeshjes së freskët nëpër postera, është po ai i këtyre njëzet vjetëve, sipas të cilit, votën ta garantojnë zullumet e kundërshtarit: votoni për mua të heqim Saliun, se ai po ju vjedh, kurse unë me të mijtë nuk do t’ju vjedh. A thua se këto qindra mijëra ndërtime që na kanë vjedhur deri edhe ajrin e prej të cilave nuk është vjelë taksë as sa për të bërë ca pak gjëra normale si puna e një thertoreje, të mos jenë ndërtuar në kohën e tij dhe nga njerëzit e tij. Ndërkaq, premtimi i Lulzim Bashës është edhe ai po i vjetri: do t’ju bëj të jetoni në më të mirën e botëve, pa përjashtim: vepra publike, si Unaza e Madhe, ku do të punësohen njerëz, zgjatja e bulevardit të madhe deri te lumi, parqe, shkolla, kopshte, biblioteka (harrova, të dyja palët na premtojnë edhe tramvaj; madje së fundi po hahen se kush ia ka vjedhur këtë ide tjetrit), të cilat do të shoqërohen edhe me ulje taksash për të gjithë, edhe me falje borxhesh. Nuk ka rëndësi se deri tani, edhe me taksa të larta, ne jemi në këtë derexhe.

Në fakt, Basha premton se do të gjejë kredi. Por kjo do të thotë para borxh dhe, a nuk jemi të mbytur me borxhe deri tani? Mirëpo maxhoranca ngulmon “rrugë”, “rrugë”, rrugë”, rrugë” – me borxhe, sigurisht. Edhe në screen saverin që mban Berisha prapa shpine, rrugë ka. Mirëpo, ndërkaq, prapa këtij premtimi Ferri është i paparë. Le ta vizitojmë këtë ferr vetëm në nja dy-tri “lagje”: maxhoranca u ka premtuar ish-të burgosurve politikë dëmshpërblimin, që është një shumë të hollash mjaft më modeste në krahasim me premtimet që bëjnë këta.

Dhe, a e dini se ndërkohë që ish-të burgosurit politikë duket të kishin marrë këstin e katërt – po të llogaritësh atë që thotë ligji i aprovuar – nuk ka mbaruar së dhëni kësti i parë? (Sepse ato lista që dalin nëpër gazeta me shifra lekësh në krah e që shumë nga ata që nuk dinë gjë i bën të pandehin se këta ish-të burgosur po zhdëpen në lekë, në fakt janë thjesht e vetëm vazhdim i listës ende të pambaruar të atyre që u njihet e drejta për t’u dëmshpërblyer, kurse, se kur do t’i marrin, askush nuk e di). Le të vazhdojmë më tej: numri i ish-pronarëve që presin të marrin kompensimin për pronën që u është marrë (edhe atje ku ndërtohen rrugë), është po ashtu tejet i madh. Ka nga ata që kanë nevojë urgjente për këto të holla, pasi nuk mjekohen dot më e nuk blejnë dot më as ilaçe, po kush pyet? E meqë ra fjala, le të shohim pak gjendjen e spitaleve publike: mungojnë ilaçet më elementare, njerëzit detyrohen të lënë qimet e kokës nëpër farmaci, rrogat e mjekëve dhe infermiereve janë mizerabël. Po ashtu, një polic e ka rrogën 33 000 lekë, me të cilat s’paguhet dot as minimumi jetik po të jesh beqar. Në një sondazh të kryer para disa kohësh nga një institut, një e treta e të rinjve do të iknin me qejf të punonin jashtë shtetit, një e treta tjetër, po ashtu, e ka këtë aspiratë të fortë dhe vetëm më pak se një e treta thonë se preferojnë të jetojnë në Shqipëri.

Po të shikosh lajmet nëpër televizionet e shumta, asgjë nga këto thuajse nuk del, përveçse si propagandë elektorale. Edhe vetë lajmet janë kthyer në fushatë elektorale mbi premtimet, edhe debatet po ashtu. Kush e tha i pari idenë e tramvajit? Tram apo tramvaj? Screen saveri mbulon vrimat e Ferrit derisa të mbarojnë zgjedhjet dhe të hapen portat e tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama