Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Buletini i Luftes - 4

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Buletini i Luftes - 4

Po transmetojmë Buletinin e luftës së shqiptarëve kundër vendit të tyre.

• Në Shkodër vazhdon me ritme gjithnjë e më të larta shkatërrimi i varrezave të vjetra katolike. Varrezat, të krijuara që në fillim të shek. XIX, të përdorura deri në vitet ’70, të ruajtura me roje deri në vitet ’80 dhe të shpallura monument kulture në vitet ‘2000, sot po ripërdoren pa asnjë lloj kontrolli dhe lejeje. Skema është kjo: banorë të zonave përreth qytetit, zgjedhin varre sipas rastit, shkatërrojnë monumentin përsipër, hapin varrin, kockat i hedhin në Kir dhe vendi i liruar shitet për vend varrimi të ri. Them se kjo duhet të jetë buza e humnerës, se përtej kësaj vetëm kanibalizmi mbetet. Një prej priftërinjve shkodranë arriti deri aty sa të thoshte se, në kohë të diktaturës situata nuk ka qenë kaq keq e kaq zi sa sot. Dhe të arrijë ta thotë këtë një prift, duket vërtet që e keqja të ketë shkuar aty ku s’mban më.

• Brenda në qytet të Shkodrës, ndërhyrja në lagjet e vjetra tradicionale duke ndërtuar monstra betonarmeje shumëkatëshe po i shkatërron përfundimisht ato. Vetë hyrja e qytetit tashmë kalon në një tunel të ngushtë midis dy rreshtash pallatesh që nga njëra anë bllokojnë pamjen e kodrës së Kalasë dhe nga ana tjetër nuk lënë asnjë centimetër pamje të Liqenit.

• Në Lezhë vazhdon me intensitet sulmi i shqiptarëve kundër kujtesës së të parëve të vet. Sulmi është i koordinuar nga dy drejtime. Nga njëra anë, ndërtimet pa leje që po veshin kodrën e Kalasë po shkatërrojnë jo vetëm pamjen e saj, por edhe fizikisht atë, pasi po ndërtohen duke përdorur gurët masivë të mureve të periudhës ilire të qytetit. Nga ana tjetër, sulmi po organizohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës që, siç është marrë vesh, ka përgatitur një projekt për ta mbushur kalanë me klube, mejhane e motele.

• Kanceri i radhës në trup të Atdheut, po bëhen guroret, karrierat e inerteve, furrat e gëlqeres dhe fabrikat e çimentos. Ngado, zona nga më të bukurat e vendit, tash ose nuk ekzistojnë më, ose janë në rrugën e zhdukjes. Kodrat e Kakariqit, kodrat buzë Gjadrit, zona shkëmbore rrugës për në Velipojë, kodrat mbi Shëngjin, kodrat pranë Zgërdheshit, kodrat e Fushë-Krujës dhe ato të Krujës, i gjithë ky pellg i stërmadh kodrash shkëmbore po zhduket. Në vend të tyre, pas disa vjetësh do të kemi vetëm një rrafshinë gurësh ku do të jetë e nevojshme të ribëjmë edhe hartat nga e para. Këtë e them pa ekzagjerim, pasi realisht që tani ka kodra që nuk ekzistojnë më përveçse në hartat e vjetra.

• Lufta kundër kodrave shkëmbore, vazhdon njësoj edhe në Shqipërinë Qendrore. Shkalla e Tujanit, guroret përpara Dajtit, guroret e Dajtit dhe guroret përtej Dajtit, punojnë me ritëm të plotë. Tashmë një pjesë e tyre kanë filluar të shihen si njolla të bardha që poshtë nga Tirana, gjë që “fatmirësisht”, për shkak të mjegullës së smogut, bën vaki rrallë.

• Ka mbi dhjetë vjet dhe çdo vit më shumë, që mali i Tomorit po hahet me mina e me dinamit, me matrapik e me kamionë, me fadroma, me qysqi e me çdo mjet tjetër të mundshëm. Janë me dhjetëra gurore me leje dhe qindra të tjera pa leje, që ja kanë bërë benë malit dhe po ja krrejnë binanë. Ajo që po ndodh me këtë mal, është një tragjedi e vërtetë natyrore, mjedisore dhe kulturore, aq sa i ndjeri Baba Reshati në të gjallë të vet, arriti në atë pikë sa u detyrua të bënte një mallkim publik për ata që hapin gurore në Malin e Tomorit.

• Por ka edhe më tej. Rruga e re e hapur përgjatë Bregut të Jonit, e bashkuar me mosekzistencën e shtetit, po bën që i gjithë Bregu t’i nënshtrohet një masakre të paparë. Ngado ndërtohet pa asnjë plan, pa asnjë leje, pa asnjë kufizim, ku të duash, ku të mundesh e sa të mundesh. Dhe për më tepër, e gjitha kjo duke përdorur si lëndë të parë gurore të hapura vend e pavend, mu aty buzë udhës e duke e mbushur gjithë Bregun me gropa e plagë, që duket sikur sapo ka mbaruar ndonjë bombardim. Mu në majë të Llogarasë, aty ku që prej dyqind vjetësh poetët e udhëtarët, duke filluar nga Pukëvili e Bajroni e deri më sot) janë mrekulluar nga pamja, këto ditë po piketohet ndërtimi i një Kishe. Pa leje, pa plan, në tokë publike, në pikën më të ngarkuar me histori. Vërtet besojnë në Zot ata që po e ngrenë?! A bën vaki t’i shpëtojnë një ditë flakëve të ferrit, si dënim për plagët që po i hapin veprës së Zotit mbi tokë?

• Por ka edhe më. Guroret vazhdojnë edhe më tej, në shpatet e Këlcyrës, në shpatet e Malit të Gjerë, në Gjirokastër, në shpatet e Kodrave përreth Sarandës e Lëkurësit. Sa për vetë Sarandën, ka kohë që nuk e beson më njeri atë shakanë e të qenit “Perla e Jugut”. E mbytur në pallate, e ngecur mes kolonave të pallateve që nuk po i përfundojnë dot dhe të zgafellave të apartamenteve që nuk po shiten dot, ajo tashmë shërben për të huajt vetëm si pikë transiti për të ikur tutje që aty.

• Por sëmundja e Sarandës tani ka zënë edhe Vlorën. Vlora e ndërtuar në fushë, edhe nëse disi në mënyrë të tepruar, sidoqoftë ishte një gjë që mund të kontrollohej disi. Por tashmë pallatet dhe ndërtimet absurde, i janë qepur gjithë zonës së Ujit të Ftohtë. Ndërtohet në kodra, në brigje, mbi rrugë e nën rrugë, anash Tunelit e sipër Tunelit, rrëzë detit e deri edhe brenda në det. Edhe për hapësirën midis Vlorës dhe Radhimës, hartat duhen bërë nga fillimi. Të ngjeshur me pallate deri ku rrahin valët e detit në shkëmbinj, tani po gërmohet ngado dhe po mbushet deti me gurë e platforma betoni për të krijuar hapësirë të re, bankina, e valëthyese pa asnjë projekt e plan.

• Në Gjirokastër u shkatërrua me sukses Memoriali i Rilindësve i ndërtuar në vitet ’30 nga Mbreti Zog dhe i plotësuar më pas

• 18 prilli është dita ndërkombëtare e Monumenteve. Ministria e Kulturës me gjithë myteberët e kulturës, organizuan një konferencë me këtë rast. Megjithëse ishte DITA NDERKOMBETARE E MONUMENTEVE, Konferenca në fakt fliste për TRASHEGIMINE SHPIRTERORE dhe, sipas organizatorëve, po mbahej në DITEN BOTERORE TE TRASHEGIMISE!!! Besoj se edhe ky lesh arapi, del e tepron për të treguar se në ç’autobus kanë hipur këta njerëz që ne i paguajmë për ministra drejtorë e ruajtës të trashëgimisë sonë. Ndërsa nëpër Shqipëri ndodhnin ato që ju rreshtova më sipër, mendjet e mykura ishin mbledhur e bënin konferenca për sukseset e papara të tyre në mbrojtje të monumenteve. Në fund të konferencës, kishin organizuar edhe një performancë me nxënëset e shkollës së baletit. Helbete, pleqtë si pleq hesapi, në fund kishin nevojë të eglendiseshin duke parë ca shalka çupash.

• O lexonjës! A e dini pse Zoti i shkatërroi qytetet e Sodomës dhe Gomorrës? Se mendja të thotë që mund të kish shkatërruar vetëm njërin syresh, atë që ishte më i zhytur në fëlliqësi e korrupsion dhe qyteti tjetër të shpëtonte e të ndreqej. Por jo, librat e shenjtë na thonë se Perëndia, pasi i pa mirë e mirë, pasi kërkoi të gjente të paktën 10 njerëz të mirë në këto qytete dhe nuk i gjeti dot, u lëshoi zjarr e squfur dhe i zhduku nga faqja e dheut. Të mos çuditemi nëse një ditë do bëjë të njëjtën gjë edhe me ne, paçka se studionjësit do t’ia vënë emrin tërmet cunam a meteor.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama