Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politikanët si kandidatë për qeverisjen vendore

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Politikanët si kandidatë për qeverisjen vendore

Gjatë ditëve të kësaj fushate, shpesh kam menduar rreth faktit që në të dy kahet e politikës ka ndodhur diçka e njëjtë e përsëritur. Disa deputetë kanë preferuar të ndërpresin mandatin e tyre si parlamentarë, duke iu rikthyer kandidimit, por kësaj here në sfidën e të qenët pretendues të mandateve të kryebashkiakëve të rinj nëpër qytetet e tyre.

 Kjo ka ndodhur me disa deputetë-kandidatë të PD-së dhe të PS-së. Ndërsa aspekti tjetër po kaq tipik për këtë fushatë është se numerikisht janë të shumta rastet kur kryebashkiakë të deritanishëm kanë fituar të drejtën e kandidimit për të tretën herë si kryebashkiakë. Në mënyrën e vet ky triumf i ripërsëritur kandidimi, ka ndodhur me bashkitë kryesore, të cilat deri tani janë kryesuar nga socialistët, përfshi edhe atë të kryeqytetit, ku rikthim për herë të katërt ka bërë kreu i së majtës zyrtare, zoti Edi Rama.

Ky fenomen i dyfishtë përbën një tipologji kuptimplotë të kësaj fushate, por në veçanti të përfaqësimit në garën e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Gjatë ditëve të deritanishme të fushatës elektorale është komentuar shpesh politikisht pozita e kryebashkiakut-kandidat Rama për Bashkinë e Tiranës. Kundërshtarët politikë dhe një pjesë e mirë e shoqërisë apolitike e komentojnë sociologjikisht rikandidimin. Një pjesë tjetër shprehin ripërsëritshëm ankesën e kostos që politika po i shkakton marrëdhënies së qytetarëve kryeqytetas me administrimin qeverisës së metropolit. Pozita dhe komentuesit e djathtë këtë aspekt e theksojnë intensivisht në artikulimin dhe shprehjen e tyre publike.

Mirëpo, rasti i tij është më shumë se fenomen në politikën e sotme shqiptare. Një shembull ku rrethana të shumta dhe faktorë veprues dhe të hamendësuar e kanë bërë edhe më kompleks protagonizmin e tij politik si kryeopozitar dhe si kryebashkiak në mandatin e katërt të kërkuar. Një shembull ku realpolitika dominohet prej politikës dhe ku zhvillimi i sotëm peshohet si rrethanë imponuese për të nesërmen politike jo vetëm të këtij protagonisti, por për krejt korpusin politik që kryeson. Specifika e rastit Rama për Tiranën është pjesë thelbësore e zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të 8 majit në vend. Kemi të bëjmë seriozisht me një formulë komplekse për zhvillimet politike që do të kenë lidhje me protagonistin Rama, por pse jo edhe me forcën dhe kahun e tij politik. Kjo peshë e fortë specifike  e katër-kandidimit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës, përbën thelbin e pamohueshëm të këtyre zgjedhjeve administrative, të cilat janë kaq shumë politike. Këto zgjedhje janë dhe do të bëhen deri në ditën e tyre të fundit, më politike pikërisht edhe për këtë shkak. Rama është politikani i vetëm i këtij tranzicioni që fatin e vet politik e mbështjell dhe ndërthur me krejt fatin e zhvillimeve për subjektin dhe kahun politik të së majtës.

Në garën aktuale, nëse mund të quhet vërtet garë votëkërkuese për qeverisës vendorë, ka më shumë politikëbërës se në turet e mëparshme. Këtë “sindromë” nuk mund ta zhbëjë modeli tjetër, si për shembull përpiqet kandidati aq fort i investuar për Tiranën nga ana e PD-së zoti Lulzim Basha. Në itinerarin e tij konkurrues po formësohet ambicia për një programim dhe imazh projektues të ndryshëm nga ajo që e konstaton si “cikël të mbyllur dhe pengmbajtje” nga kundërshtari i tij, Rama. Basha po përpiqet të fitojë betejën e sjelljes së imazhit të kandidatit që e ka mirëmenduar çdo aspekt të programit dhe projektit madhor të një kandidati ndryshe. Ai po mundohet t’i heqë fushatës shpërgënjtë e “ngërçit” nëpër të cilën u mbërrit në këtë konkurrim, por raporti midis artificit dhe bindjes është më kompleks, kur bëhet fjalë për votën e lidhur tradicionalisht me përkatësinë në Shqipëri. Socialistët kësaj here duket se e kanë marrë më tepër se kurrë parasysh këtë fakt. Në shumicën e qyteteve ku kandidatët e tyre-kryetarë kanë garën e tretë të rikandidimit, konstatohet një fakt shumë domethënës. Tre mandatkërkuesit janë emra që kanë qeverisur pa atë diversitet të brendshëm partiak dhe politik që ka pasur kreu i PS-së, kandidati Rama.

Në Fier, përballë Baftjar Zeqajt, vështirë se koha e dy mandateve të deritanishëm, formatoi imazhin e një rivali brenda llojit, pra imazhin e një socialisti për të qenë jo vetëm potencialisht kërcënues, por as edhe si kundërmodel, apo rast rinovues i modelit të deritanishëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për në Gjirokastër, përballë Flamur Bimes, ku socialistët, po se po, shfaqen prej vitesh më infatilë, por edhe kundërshtarët heterogjenë (LSI-sto-minoritaro-majtistë dhe demokratë), një aleancë më e gjerë se në të gjitha rastet e tjera për konkurrim të tillë lokal, duket se janë në hallin e betejës së vështirë. Imazhi përplasës mes ish-deputetëve të rikthyer si kandidatë dhe ish-kryebashkiakëve që vijojnë të kërkojnë mandatin e tretë, si për shembull në Vlorë përballja e Shpëtim Gjikës me Ardian Kollozin, është modeli më evident i forcës konkurruese që të dy palët PS-PD po ofrojnë për këtë fushatë. Kjo është betejë me semantikë të fortë politike. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që politikanë kaq të shumtë në numër, deri edhe karrierë, nga Parlamenti të zbresin në ambicien për të qenë qeverisës vendorë.

 Kjo nuk është rastësi, por një fenomen evident si për PS-në, ashtu edhe për PD-në. Është një prirje spikatëse, e cila do t’ia vlente të investigohej jo vetëm për arsyen politike pse ngjet, por më së shumti për arsyen reale që synon dhe që po aprovohet pse jo me tinzarllëkun e pafshehur edhe nga lidershipi kryesor i dy formacioneve tona të së majtës dhe të së djathtës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama