Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Skena dhe prapaskenat pas një ngërçi

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Skena dhe prapaskenat pas një ngërçi

Skena apo prapaskena është më e rëndësishme në këtë fushatë elektorale që po zhvillojnë dy kahet politike? Cila është më e frikshme, nëse mendohet se ankesat e opozitës janë baraspeshuese me shpalosjen e programit dhe projekteve të saj konkurruese në ditët e deritanishme?

Çdo fushatë ka dilema, por kjo e tanishmja erdhi si rrallë fushatë tjetër, përmes dilemash në shtim. Qëndrimi politik i opozitës është “mbarsja” me të cilën u rëndua dhe vijon të rëndohet besimi publik dhe sidomos shpresa për rigjetjen e normalitetit politik në vend. Asgjë prej kësaj marrëdhënieje të rrezikshme nuk mund të fshihet. Në këtë fushatë mungon konkurrimi. Kjo mungesë zë fill prej ngjarjeve politike që e paraprinë atë dhe sidomos prej antagonizmit konfliktual që kanë shpalosur deri tani pozita dhe opozita.

Skema e përballjes për votat e 8 majit mes socialistëve dhe demokratëve është e krahasueshme me një kohë të shkuar tranzicioni, prej së cilës pasuan ngjarje që e shëmtuan tranzicionin dhe e penguan ritmin e pretenduar të dekadës postkomuniste. Aktualisht dy kahet, në përbërjen e tyre politike dhe në shpjegimin politologjik, janë korpuse pa tipologji ideologjike dhe programore. Ky heterogjenitet i tyre e bën edhe më të egër përballjen, pasi ai shpërfaqet si përplasje interesash shumëgrupëshe dhe jo interesa korpusesh institucionale. “Kapja” apolitike e përfaqësimit në këtë fushatë ka për të thelluar problematikat në ditët politike të post 8 majit. “Bërthama” e kontestimeve procedurale dhe sidomos e atakimeve të administratës zgjedhore, po “bymehet” çdo ditë në artikulimet dhe paraqitjet publike të protagonistëve partiakë.

Ankesat e shpeshtuara për listat dhe votuesit e paidentifikuar të shfaqur me shumicë në Tiranë, janë një arsye në fuqi për ankesa dhe reagime “të nxehta” në ditët e javës së ardhme, prej opozitës. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të lexuar se ritmi dhe ashpërsia e fushatës kanë për t’u ngritur. Imazhi i premtuar për këto ditë është ai i akuzave dhe fjalimeve me brendi konflikti. Sikundër tensioni është një premisë në vijim të përditshëm.

Kahu politizues i fushatës po bëhet edhe më i mprehtë dhe sigurisht më i rrezikshëm. Administrata po rreshtohet dhe rrafshi politizues është tejet i theksueshëm. Në shumë aspekte standardi i mëvetësisë institucionale në raport me fushatën është rrënuar, sikundër mund të thuhet se deformimi politizues është dominues në shumë marrëdhënie dhe sjellje të shtetit dhe administratave vendore me kandidatët dhe veçimet partiake. Kjo fushatë me skenën dhe prapaskenën e vet, ka rikthyer një normë të ulët standardi elektoral.

Në këtë kuadër, opozita i kërkon me gjithë korpusin dhe forcën e artikulimit të vet publikut të mos ikë prej memories së freskët. Në fjalimet e udhëheqësisë së saj në mitingun e madh çelës të fushatës mbrëmë në Tiranë, u vendos në epiqendër përgjegjësia e pozitës dhe kandidatit kryesor të saj Lulzim Basha, për vrasjet e 21 janarit të këtij viti. Ky është kryeargumenti që jo vetëm ngjyros, por edhe forcon përmbajtjen politike të procesit. Imazhi i zgjedhjeve politike po triumfon mbi ngulmimin pozitar për zgjedhjet administrative. Të dyja palët po i elektrizojnë anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre. Kjo po e përthellon edhe më tej frontin politik të fushatës. Kontrasti programor dhe sidomos ai i projekteve mungon dhe shfaqet si kurrë ndonjëherë i varfër. Anatomia e kësaj fushate në ditët e fundprillit ka për të pasur edhe më tepër deformime, edhe më tepër cene.

Pozita, me gjithë ansamblin e kandidatëve të vet, po ngulmon të ofrojë jo vetëm paketa projektesh dhe imazhe punësh të reja, por edhe një imazh mbulues të kostove reale financiare që mbajnë projektet dhe veprat e infrastrukturës kombëtare. Matanë kësaj, vështirë të fitojë zëri serioz për një situatë ekonomike dhe financiare të vështirë, e cila i rri vendit dhe shoqërisë “si një mjegull reale” e ardhur nga konteksti veprues rajonal dhe global i ekonomisë. Kostoja informale, por sidomos financat me dhe pa origjinë, dyshimet për pastërtinë e financimeve dhe sidomos misioni i monitoruesve pa kapacitete të larta pavarësie dhe besueshmërie janë faktorët e parë paralajmërues për vlerësimin e padëshirueshëm që do të ketë për zgjedhjet. Kamja financiare e fushatës në çdo rast shfaqjeje do të penalizojë subjektet dhe kandidatët. Sytë e monitorimit apo instrumentet e këtij misioni në këtë fushatë, janë shumë herë më të shtuara. Ato jo vetëm që e tradhtojnë pretendimin e Kryeministrit për “fushatën në dietë”, por dimensionin e demagogjisë që karakterizon këtë garë pa skrupuj, kanë për ta bërë edhe më evident. Kjo është fillesa e kësaj fushate përplasjeje. Një kapitull që ka shumë e më shumë besnikëri ndaj ceneve të tranzicionit dhe shumë pak cilësi premtuese për mbylljen apo kapërcimin e tij. Këto janë zgjedhjet vendore në kushtet e një zvarritjeje politike. Kjo është skena e pashmangshme me prapaskenat e pambarimta të kësaj fushate që erdhi nëpër ngërç.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama