Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kreu i opozites si vetepengues

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kreu i opozites si vetepengues

Zgjedhjet vendore si zgjedhje politike. Kjo sintagmë vërtitet këto ditë shpesh në gojën e krerëve politikë të dy kampeve. Është pohimi që synon të formësojë një brendi politike, e cila eklipson mungesën reale të konkurrimit dhe garës partiake përmes projekteve. Në këtë fushatë, e cila për nga ardhja e saj është e pazakontë, dhe pse jo, ndoshta një ndër më të politizuarat e këtij shtatëvjeçari të fundit, këtë verdikt politologjik e ka hedhur i pari në publik kreu i opozitës. Më pas, zëra të tjerë opozitarë të artikuluar me aprovimin e tij, vijojnë ta ripërsërisin, duke ia dalë të shpërndajnë perceptimin se vërtet këto janë zgjedhje politike.

Në këtë mënyrë po përgatitet imazhi real se këto zgjedhje do të jenë pashmangshmërisht politike. Koha paraprirëse e 8 majit ka qenë vetëm një kohë e përballjes dhe atraksionit të fortë politik mes pozitës dhe opozitës. Pas ngjarjeve të 21 janarit, shumëkujt në publikun shqiptar iu ngulit ideja se po rrezikohej situata në rënien e qeverisë dhe krijimin e skemave për një qeveri të re, për një koalicion teknik qeverisës etj., etj. U investua një ndërhyrje diplomatike nga BE-ja dhe SHBA-ja, e ngjashme me ndërhyrjet në periudhat e shkuara të krizave të thella politike. Ndarja e qëndrimeve mes pozitës dhe opozitës, përballja e deklaratave të ashpra mes Kryeministrit Berisha dhe kryeopozitarit Rama, ishin të vetëmjaftueshme për ta ndërkombëtarizuar krizën mosmarrëveshëse politike. Në këtë mënyrë, efektet e vlerësimit ndërkombëtar janë paralajmëruar dhe në muajt pasardhës, kanë për t’u dëshmuar edhe përmes dokumenteve zyrtare.

Me këtë “introduktë” politike, palët po hyjnë në kapitullin me mjaft tërthorllëqe të zgjedhjeve vendore. Koha e ngushtuar së tepërmi, është koha më e paplotë për një matje dhe konkurrim programor e projektesh mes dy korpuseve kryesore, dhe në veçanti, mes kandidatëve konkurrues.

Kryekonkuruesi i opozitës për bashkinë e kryeqytetit nuk është zyrtarizuar, ndonëse pashmangshmërisht atë e ka shpallur rrethana dhe jo vendimi zyrtar politik. Në pritje të përballjes me të është parashfaqur kandidati i koalicionit qeverisës, ministri i deritanishëm i Brendshëm, Lulëzim Basha. Kryetari i opozitës është “i dënuar” të mos i shmanget rikandidimit. Dhe, për këtë pamundësi shmangieje ai është bërë pjesë integrale e konsiderimit dhe trajtimit të zgjedhjeve vendore si zgjedhje politike. Kjo nuk është një rrethanë ndihmuese për realitetin e dëshirueshëm qytetar. Kjo është një hallkë e kapjes politike të vullnetit për një garë konkurruese mbi principe dhe kritere garimi mes dy kandidatëve për kryetar bashkie në kryeqytet, të cilët ofrojnë modele alternative administrimi dhe qeverisjeje.

Kjo rrethanë, në vetvete është një paradhomë e kapjes së mëtejshme politike të administrimit dhe qeverisjes së bashkisë së metropolit edhe pas zgjedhjeve të 8 majit. Në këtë rrethanë, modeli i ri opozitar ka për brendi pengmbajtjen politike të qeverisjes, por edhe të sjelljes dhe veprimit politik. Ky është një model që e ka drobitur dhe e ka mbarsur me akumulime pakënaqësish udhëheqësinë e opozitës. Kjo fushatë në nisje, është e mbarsur me pakënaqësinë e shfaqur si heshtje. Pra, me atë element i cili nuk gjeneron bashkëpërfshirje dhe energjizëm për fitore, por mendësinë e provës për faturim. Kreu socialist në këto zgjedhje duket se po vihet pikërisht në këtë provë: në provën e rezultatit për faturim dhe për përgjegjësi. Pre e kësaj konjukture ai u shfaq edhe në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku duke dashur të japë optimizëm, vuri në dukje mirëkuptueshmërinë mes konkurruesve si kandidatë brenda partisë për bashkitë kryesore.

Përmes këtij apeli ai dëshmoi se është i ndërgjegjshëm për një diversitet të brendshëm, i cili sjell kosto në rezultatin votues të këtyre zgjedhjeve. Kjo rezervë e tij buron nga fakti se ende nuk ka nisur prova e këtij diversiteti. Ajo do të shfaqet kur në KQZ të mbërrijë lista emërore e kandidatëve zyrtarë të PS-së. Opozita, sipas të gjitha gjasave, është më e kërcënuar se kundërshtarja e saj, pozita, prej këtij diversiteti.

Kuraja për të dalë prej këtij presioni, së pari duhet të nisë prej vetë kryeopozitarit. Ai nuk mund ta vonojë një vendim që është paralexuar. Fjala është për aktin e pashmangshëm të rikandidimit. Në kuptimin politik të fjalës, kryeopozitari i vendit ia doli që t’i japë këtij procesi përmbajtjen e një ballafaqimi të tillë, por matanë kësaj çështja është; a do të jetë procesi dhe konkurrimi që ai do të realizojë më tej, vetëm politik?!

Së pari, nuk ka dalë vetë prej kësaj dileme, së dyti, po nguron të bëhet protagonist i flakjes së këtij ngurimi. Dhe së treti, ai nuk po e dëshmon strategjinë e vet për të vetët. Në kësi rastesh, vonesa e tillë shndërrohet në kosto; ajo frenon energjinë përfshirëse të të vetëve, por edhe kërcënon suksesin politik të forcës që konkurron me një protagonist dhe shumë konkurrues.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama