Arkivi nuk eshte vetem

Arkivi nuk eshte vetem
“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit - Një thesar në rrezik”, është thirrje për sensibilizim që AQSHF dhe bashkëpunëtorët e tij po përmendin së fundi qartë dhe fortë për të gjetur zgjidhje. Që Arkivi ynë tregon plagët dhe kërkon ndihmë, është shenjë e emancipimit të institucionit që nuk i mbulon problemet për të hequr përgjegjësinë nga vetja, - çka është bërë gjë e rëndomtë për institucionet e kulturës, - por ndjen nevojën e ndërgjegjësimit të publikut mbi situatën. 

AQSHF festoi 65-vjetorin muajin e kaluar. Drita nuk kishte kur drejtoresha Elvira Diamanti mbajti fjalën e rastit në të cilën i drejtohej Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi, bashkëpunëtorëve dhe vendimmarrësve për të ndihmuar Arkivin, për rikonstruksionin e godinës në ato drejtime që sot përbëjnë rrezik për jetëgjatësinë e filmave origjinalë.

Kushtet e ruajtjes së filmave janë përkeqësuar këtë vitin e fundit, sepse nuk funksionon sistemi i klimatizimit. Temperaturat e larta shkaktojnë myshkun si dhe sindromën uthull, dy dukuri që shkatërrojnë shiritat filmikë.

Gjithë koleksioni i AQSHF-së përmban 6422 filma, ndër të cilat 4329 janë fondi i filmit  shqiptar, dhe 2093 filma të huaj të prodhuar në vende të ndryshme të botës. Të gjithë këta shirita filmikë ruhen në 44 000 kuti filmi. Këto janë fole metalike që me kohë duhej të ishin zëvendësuar me kuti plastike. Por nuk ka ndodhur sepse shpesh dhe gabimisht dixhitalizimi është parë si një mënyrë “shpëtimi”. Vonë Arkivi po e kupton se pa  fondin 35 mm, fond i negativave filmikë nuk është më arkiv.

Specialistja e AQSHF-së Eriona Vyshka thotë se me ndihmën e bashkëpunëtorëve, gjatë vitit të fundit është duke bërë lobing në qarqet profesioniste në ShBA dhe Europë. Thomas Logoreci, kineast dhe skenarist amerikan me origjinë shqiptare, dhe Iris Elezi, regjisore shqiptare bënë të mundur vendosjen e lidhjeve me Regina Longon, specialiste me përvojë në ruajtjen e arkivave si dhe studiuese filmi në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. Regina Longo ka punuar për gjashtë vjet në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington DC për restaurimin dhe rindërtimin e xhirimeve të Shoah-s të Claude Lanzmann-it si dhe për koleksionin e Bryan Julien-it. Ajo punon për disa arkiva jofitimprurëse dhe institucione për vlerësimin, dokumentimin dhe ruajtjen e koleksioneve të tyre filmike.

Prej tre muajsh Longo ka asistuar dhe këshilluar në distancë specialistët e AQSHF-së dhe prej ditës së djeshme ajo ndodhet në Tiranë për të parë gjendjen nga afër. Pritet të ketë prej saj një vlerësim të detajuar të gjendjes në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit për: fondin 35 mm, kushtet aktuale të ruajtjes, menaxhimin e fondit, kushtet e ndërtesës dhe të sistemit të ftohjes dhe ventilimit.

“Mbi bazën e një raporti të hollësishëm që Longo do të përgatisë”, thotë Vyshka, “do të ketë një plan veprimi për masat konkrete që duhen marrë në mënyrë që fondi arkival të mos rrezikohet nga faktorët e jashtëm që mund t’i ulin jetëgjatësinë.”

Regina Longo është edhe anëtare aktive e Shoqatës së arkivistëve Association of Moving Image Archivists (AMIA) dhe e madhe është mbështetja që ajo ka dhënë “duke ndarë nevojat e arkivit shqiptar të filmit me një numër arkivash amerikane”. Falë punës së saj të vazhdueshme në këta tre muaj, arkiva dhe profesionistë të industrisë së filmit u treguan të gatshëm të dhurojnë kuti filmash, si dhe ndihmë në forma të tjera për arkivin. Vyshka thotë se janë vendosur tanimë kontakte me Association of Moving Image Archivists dhe Advocacy Committee që përbëhen nga borde me ekspertë ndërkombëtarë, gjithashtu të gatshëm të ndihmojnë. Fondacioni “Martin Scorsese”, aktorja e famshme Tilda Swinton, njëkohësisht aktivistë në fushën e kulturës dhe producentë filmi, Libraria e Kongresit, Mark Cousins nga MUBI, dhe njerëz dhe institucione të tjera janë ofruar të dhurojnë për AQSHF kuti filmi plastike dhe materiale të tjera të nevojshme për kujdesin ndaj filmit si dhe mundësi transporti nga Ambasada Amerikane në Shqipëri.

Libraria e Kongresit (SHBA) dhe KODAK kanë grumbulluar mbi 10 000 kuti plastike për t’ia dërguar arkivit tonë. “Megjithatë, kemi ende shumë punë përpara nëse duam të shpëtojmë këta filma - thesare të çmuara”, shton regjisorja Iris Elezi.

Përfshirja e Shqipërisë në vëmendjen e aktivistëve, ndër ta personalitete dhe yje të kinemasë botërore, në mbrojtje të trashëgimisë filmike shihet në një kuadër më të gjerë. Këta aktivistë kanë parasysh që 90% e filmave të xhiruar përpara 1929 dhe gjysma e filmave amerikanë të prodhuar përpara 1950 kanë humbur përgjithnjë. “Kështu edhe trashëgimia e hershme filmike e Shqipërisë shihet përballë të njëjtës situatë serioze si dhe kinemaja amerikane para njëzet vjetësh”, vazhdon Irisi, një nga nismëtaret e kësaj fushate ndërgjegjësimi. “Ndërkohë që festojmë përvjetorin e kombit tonë ashtu si dhe të Arkivit të Filmit, rritet gjithnjë e më tepër nevoja për të mbrojtur dhe ruajtur imazhet historike shqiptare që datojnë që prej vitit 1911. Nëse nuk marrim masat e duhura sa më shpejt, trashëgimia kinematografike e vendit tonë mund të humbasë përgjithnjë. Kjo është sfida jonë e re: të sigurohemi që këta filma që përfaqësojnë historinë dhe kulturën shqiptare të mbijetojnë për brezat e ardhshëm. Këtë vit do të përpiqemi në çdo formë të rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë kulturore, artistike dhe historike që mbart në vetvete ruajtja e trashëgimisë kinematografike. Ne besojmë që kjo është sprova më e madhe në dekadën e ardhshme.”

Përfaqësues nga AQSHF së bashku me Regina Longon e Thomas Logoreci patën dje një takim me Ministrin e Kulturës Aldo Bumçi i cili garantoi ndërhyrjen zyrtare të MTKRS-së në procesin e transportit dhe zhdoganimit të mallrave që do të vijnë si donacione për AQSHF.

Raporti i detajuar me buxhetin përkatës për një plan veprues për ndërhyrjet në ndërtesë dhe për përmirësimin e kushteve të ruajtjes së filmave origjinalë, AQSHF do ta ketë gati në një javë dhe do të paraqesë në MTKRS.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama