Zef Serembe

Zef Serembe

Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundërazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe.

Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme.

Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfontekudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.

Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën "Vrull", kurse në një vjershë kushtuar Dora d'Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.

Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore.

Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.

Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jatën e varfër të mëparshme.

Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bënë shkak që Serembja të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e vet. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqëndroi të gjitha shpresat e mbetura. Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin "Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja". Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare. Natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës. Më 1901 ai e mbylli jetën në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama