19 Gusht 2026

Tri vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Pukës, ndërsa situata mbetet problematike pas gjashtë ditësh përpjekjesh për shuarjen e flakëve.

Zjarri ka përfshirë malin e Tërbunit, në zonën e Kabashit, si dhe Gojanin e Madh e Gjegjanin, ku përhapja është favorizuar nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe terreni i vështirë.

Zv.kryetari i Bashkisë Pukë, Ferit Ringaj tha për Syri TV se vatrat janë riaktivizuar disa herë ku kemi gjithashtu dëme në sipërfaqet pyjore dhe kullosore.

Ai ngriti edhe dyshime për mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme, duke iu referuar mënyrës së përhapjes së flakëve.

Situata paraqitet veçanërisht e vështirë në zonën mes Gojanit dhe Gjegjanit, ndërsa infrastruktura e dobët dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen në vatrat e zjarrit.

Ringaj tha se dëmi prek një prej pasurive kryesore natyrore të zonës, sipërfaqet pyjore të Pukës.

Raportimi në Syri Tv:

Po, në terren, unë jam momentalisht në malin e Tërbunit, në një nga vatrat aktive të zjarrit të rëndë këtu, që po bëhen gjashtë ditë që gjithë personeli i zjarrfikësve, i shërbimit pyjor, i drejtorisë së shërbimeve, punonjësit, pra, të shërbimeve të Bashkisë Pukë, të gjitha njësitë administrative janë të angazhuara në terren.

Njëkohësisht, kemi pasur edhe mbështetjen këto tre ditë nga forcat e ushtrisë, rreth 40 efektivë të ushtrisë, forca ushtarake, dhe një koordinim me gjithë Shtabin Operacional të Emergjencave Civile në rang prefekture, po ashtu edhe me Shtabin Qendror, me ndërhyrjen nga ajri, që për dy ditë vazhdon në territorin e bashkisë.

Tre vatra janë aktive. Është kjo ku jam unë tani, pra në malin e Tërbunit, konkretisht në fshatin Kabash. Po ashtu, edhe në njësinë administrative Gjegjan, kemi dy vatra aktive në Gojan të Madh dhe në Gjegjan.

Momentalisht, aty po vijohet me hedhje nga ajri. Pra, dy helikopterë janë aktivë duke punuar nga ajri, dhe krahas forcave operacionale që janë në terren. Situata vazhdon të jetë problematike, sidomos në zonën e Gojanit dhe të Gjegjanit, pra mes këtyre fshatrave.

Aty po punohet intensivisht, ashtu si dhe nga forcat tona dhe të ushtrisë, por edhe të zjarrfikësve dhe të punonjësve të shërbimeve. Shpresoj që një pjesë e konsiderueshme të jetë nën kontroll sonte, por vazhdon operacioni në dinamikë. Edhe momentalisht që flasim, vazhdon operacioni dhe ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë dhe forcat e ushtrisë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve ka pasur erë të fortë dhe kemi pasur riaktivizime të vatrave të zjarrit, në të gjitha vatrat aktive. Edhe këtu ku jam momentalisht, ku jam i përqendruar tani, kemi riaktivizim të vatrave, ndonëse disa herë është vënë nën kontroll, por terreni i disfavorshëm dhe temperaturat e larta e kanë bërë të pamundur. Erërat janë të forta dhe vazhdojnë të jenë edhe tani, në këto momente që po flasim.

Ngelet, fatkeqësisht, ngelet jetim, vazhdon, ngelet kjo situatë, pasi nuk mund të themi me saktësi se ka pasur vendosje nga persona të papërgjegjshëm, por që vetë dinamika, vetë shtrirja në hapësirë e kësaj vatre të zjarrit e bën të mendosh që këtu vërtet ka pasur zjarrvënie të qëllimshme.

Vetëm pyje dhe bimësi. Aty ka vetëm pyje dhe ka bimësi. Pra, është zona, është një zonë shumë e… domethënë, është zona më e lartë e Pukës, në malin e Tërbunit, pra zona më e lartë, dhe këtu ka ndodhur, domethënë, pikërisht aty ku ishin repartet e vjetra të ushtrisë së dikurshme, në Fushë-Laj, aty ka qenë vatra e parë, domethënë, që ka nisur, dhe pastaj ka bërë një shtrirje të menjëhershme.

Kjo, thashë, e favorizuar dhe nga erërat e forta. Por natyrisht, kjo vështirëson edhe punën e efektivëve dhe të forcave, sepse edhe me mjete është e vështirë të ndërhyhet. Edhe infrastruktura është e dobët dhe është e pamundur të shkohet në çdo vatër me automjetet e domosdoshme zjarrfikëse apo të tjera.

Por efektivët e forcave të ushtrisë dhe efektivët tanë kanë bërë një punë të konsiderueshme dhe të lavdërueshme sa i përket ndërhyrjes në terren, edhe me pompa shpine, me pompa uji, pra, që kanë bërë të pamundurën brenda kushteve që ata kanë.

Shtabi Qendror i Emergjencave na është përgjigjur kërkesës sonë për ndërhyrjen nga ajri me helikopterë.

Këtu dihet që prej vitesh ka pasur dëmtime të konsiderueshme të sipërfaqeve pyjore. Por vitet e fundit ka pasur një rigjallërim të kësaj sipërfaqeje pyjore, por rasti i tillë, siç është rasti i tanishëm, ajo sipërfaqe e madhe, ja sa është sipërfaqja që është e djegur, domethënë, tregon atë dëmin kolosal që është bërë, jo vetëm ekonomik, pyjor, por edhe kullosor e të tjerë me radhë.

Pasi këto janë ato resurse natyrore të Pukës, që Puka shquhet si qyteti i pyjeve, por kur edhe këto digjen, pastaj imagjino çfarë situate krijohet.

Atëherë, pa diskutim që po ndodh edhe ky draft, drafti që është propozuar, që hidhet për diskutim dhe që është përgatitur nga mazhoranca. Natyrisht, ne edhe në reagimet tona publike.

Po e lidh me këtë situatë që ne po përjetojmë, pra, nuk është se zgjidh problemin bashkimi territorial. Zgjidhja e problemit bëhet nga delegimi i kompetencave, kompetencat që u jepen bashkive. Sepse gjithçka do të koordinohet, domethënë, më mirë duke pasur kompetenca reale mbi territorin. Pra, jo të cunguara siç aktualisht i kemi.

Por bashkimi, siç diskutohet, çështja e bashkimit të Bashkisë Pukë me Bashkinë Fushë-Arrëz, pra, se shkrihet Bashkia e Fushë-Arrëzit me Pukën, ne kemi shprehur qëndrimet tona. Jemi dy bashki të varfra, po ta marrësh edhe në letër, pra, dy bashki të varfra. Që të bashkohen dy të varfër, përsëri varfëri do të ketë, pra, nuk është se ai koncepti që do të zgjidhet çështja ekonomike. Nuk e zgjidh problemin ekonomik.

Ne, në rrethin me një sipërfaqe më të shtrirë gjeografike, kjo vlen dhe është shumë e vështirë të menaxhosh vetëm nga një strukturë bashkiake të gjithë territorin. Kështu që, ne i kemi dhënë edhe argumentet tona, përsëri do të vazhdojmë.

Kjo momentalisht drafti parashikon një bashkim të Bashkisë Fushë-Arrëz me Pukën, pra, të jenë një njësi.

Nuk është një draft i mirëpritur, nuk është një draft i mirëpritur nga asnjëra prej bashkive, pasi nuk i zgjidh problemet as të banorëve, as nuk e zgjidh çështjen e shërbimeve që kërkojnë banorët.