Zbulohet vatër e re e Gripit te shpendeve në Shkodër. – Ja sa janë në gjithë vendin dhe apeli që bëjnë autoritetet

8 Mars 2022

Atëherë kur mendonim se gripi i shpendëve ishte izoluar, ndodh ajo që nuk pritej. Pas dhjetë ditësh qetësi, zbulohet një vatër e re, duke zgjuar dyshimet se H5N8 jo vetëm që nuk është shuar, por po zgjerohet.

Rasti i fundit është konfirmuar në pulat e oborrit në zonën e Dajçit në Shkodër.

Me zbulimin e rastit është asgjësuar e groposur tufa me 70 pulat që rriste familja, ndërkohë që e gjithë zona përreth, 10 km, është vendosur në karantinë. Sakaq, prefektja Majlinda Angoni ka mbledhur menjëherë strukturat për marrjen e masave parandaluese.

“Takimi kishte si qëllim marrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e gripit të shpendëve. Virusi ka arritur edhe këtu, duhet të analizojmë urdhrin e ministrisë për të eliminuar dhe parandaluar shfaqjen e këtij virusi. Të gjithë shpendërritësit në momentin që shohin sjellje të dyshimtë të shpendëve, të informojnë veterinarin përkatës. 0800 33 66 që çdo shpendërritës të marrë në telefon. Është një rast sporadik, shpend oborri, janë groposur 70 krerë, janë marrë të gjitha masat”, deklaroi prefektja. Rastet e para me gripin e shpendëve në vend janë regjistruar më 19 mars, ku më së shumti janë prekur pulat e fermave, por ka pasur edhe raste të regjistruara në pulat e oborrit. Janë katër vatra aktive të konfirmuara në Durrës, Korçë, Dibër dhe në Divjakë. Pavarësisht shqetësimeve te qytetarët dhe panikut të shkaktuar nga kjo sëmundje, autoritetet kanë theksuar më shumë se një herë se nuk paraqitet asnjë rrezik nga konsumimi i mishit të shpendëve apo vezëve.

PRONONCIMI

Zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi, e vetmja zyrtare që është prononcuar mbi gripin e shpendëve, thotë se situata është nën kontroll.

“Situata është nën kontroll. E gjithë trupa e veterinerëve është në terren. E rëndësishme është që trupa e veterinerëve janë në terren për të monitoruar dhe për të mos lejuar përhapjen e gripit të shpendëve. 589 mijë shpendë të ngordhur deri tani. Kemi 12 vatra në rang vendi. E fundit është në Xhafzotaj. Dhe ka një përhapje në disa qarqe në Shqipëri”. Lidhur me prekjen e shpendëve të egër në Liqenin e Prespës, zv.ministrja tha se sinjalet e para kanë ardhur nga autoritetet greke.

“Ne patëm një njoftim nga autoritete përkatëse që në zonën e Prespës në Greqi ishin gjetur 600 pelikanë të ngordhur dhe u njoftua për prezencën e gripit. Ne njoftuam trupat tona të inspektimit. Masat e para paraprake është monitorimi, për të parë nëse ka shpendë të ngordhur. Ky virus përhapet nëpërmjet shpendëve të egër, qoftë edhe atyre migratorë”, deklaroi zv.ministrja në një dalje publike.

Gazeta Panoram