rama vucic

Rama nuk i ndahet Ballkanit të Hapur.  VOA: – Serbia, kundër sanksioneve ndaj Rusisë

7 Prill 2022

Gazeta Dita

Kryeministri Edi Rama komentoi sot mbështetjen që sipas tij mori nga publiku përmes Këshillimit Kombëtar nisma e Ballkanit të Hapur, një proces që ai shprehu sërish vendosmërinë për të ecur përpara.

Open Balkan është një nismë ndaj të cilës ka patur pikëpyetje të shumta. Gjysma e vendeve të rajonit kanë refuzuar deri tani të bëhen pjesë e saj. Kosova e ka kundërshtuar hapur që në fillim, duke vënë theksin te roli i Serbisë në rajon.

Së fundmi sërish presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se “në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ecë përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (Aleksandër) Vuçiçit se i intereson bashkëpunimi rajonal”, – tha presidentja Osmani.

Pikëpyetjet mbi këtë nismë u shtuan më tej pasi Serbia doli kundër qëndrimit të BE-së ndaj Rusisë, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“Ballkani i hapur është një interes shumë i rëndësishëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve, edhe i Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë, nuk jam udhëheqës i Kosovës dhe nuk dua t’i jap as mend dhe as këshilla të pakërkuara udhëheqësve në Kosovë. Është në interesin e madh të Shqipërisë që të zgjerojë hapësirën e vet të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve” – tha zoti Rama.

Marrë nga VOA