Zbardhet drafti anti-KÇK: – Autorizohen veprime pa vendim Gjykate

25, nentor 2019

Ligji special për KÇK, krijon një njësi të re hetimi në Policinë e Shtetit, e cila varet nga drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, dhe ka dy nëndrejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar.

Këto dy nëndrejtori do të kenë ambiente të veçanta dhe njësia do të shpërndahet në 12 qarqe.

Drafti i paketës Anti-KÇK që u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama, ka tagër mbi “individë për të cilët ka dyshime se standarti i tyre i jetës nuk justifikohet nga të ardhurat”.

Sipas draftit “njësia do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit brenda një territori të caktuar”.

Ky urdhër do të vlerësohet nga Prokuroria dhe jo nga Gjykata, duke shmangur kështu Gjykatën.

Ndërkohë policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit, duke shmangur sërish Gjykatën dhe Prokurorinë që kanë qenë organet që merrnin vendimet për këtë çështje. Ajo vetëm do ti njoftojë ata.

Drafti përmend “personazhet e krimit dhe të dashurat e tyre”.

Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore.

Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës.

Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetem me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.

Gjithashtu Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo gjë e dhënë tjetër nga subjekte private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.

Rama e ka justifikuar këtë draft me luftën sipas tij “kundër prokurorëve dhe gjykatësve të grupit KÇK” dhe ato që në draft përcaktohen si kushte apo rrethana “të emergjencës”.

d,a, / dita