Von der Leyen kërkon dialog.  Kurti akuzon Serbinë për militarizim: – Fondet i merr nga BE, armët nga Rusia.

29 SHTATOR 2021

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi sot Prishtinën. Pas takimit me kryeminitrin Albin Kurti të dy së bashku kanë dalë në një konferencë për median.

Në konferencën për median,  presidentja e KE deklaroi se Kosova e Serbia duhet të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe të shtensionojnë situatën në veri të vendit. Sipas saj me rëndësi është që të gjitha palët e përfshira të punojnë së bashku për të ardhmen.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se është e shqetësuar për tensionimin e situatës në veri të Kosovës. Sipas saj, zgjedhja e vetme është dialogu Kosovë-Serbi.

“Jam shumë e shqetësuar me krizën e dy shteteve, dhe mënyra e vetme është dialogu dhe bisedimet. Sepse dua ta shoh progresin e Kosovës, andaj dua ndryshime në këtë situatë”.

“Ndërsa ne po flasim këtu, negociatorët janë në Bruksel duke u negociuar këto dhe shpresoj të kenë mandat të qëndrueshëm për të negociuar sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur tutje. Jam thellësisht e bindur që është me rëndësi të shtensionohet situata e të vazhdohet me dialog konstruktiv. Vij nga BE-ja që të dyja me përvojë mbi 70 vjet se çka nënkupton kapërcimi i mosmarrëveshjeve. Ku Gjermania ishte përgjegjëse për holokaustin”, ka thënë ajo.

Zyrtarja e lartë e KE theksoi se ëndërron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së. Ka ofruar mbështetjen në luftën kundër pandemisë e ringjalljen ekonomike.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti, ka thënë se e ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian me faktin se Serbia ka grumbulluar forcat në kufirin me Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat.

Teksa ka përmendur me rend armatimin serb në veri me Kosovën, Kurti, sipas Koha.net,  deklaroi se ky shtet edhe po merr donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër po militarizohet nga Rusia e Kina.

Vendimin për zbatimin e reciprocitetit Kurti s’e ka cilësuar si “vendim të ri”. “Ne veçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër”, ka thënë ai. Kurti ka përsëritur po ashtu qëndrimin që Kosova është për bashkëpunim më të madh rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kurti: Serbia e ka refuzuar dialogun dhe marrëveshjen e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për refuzimin që ia ka bërë një propozimi të KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri.

Dy ditë më parë KOHA raportoi se KFOR-i ka rekomanduar heqjen e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak si dhe zëvendësimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës me pjesëtarë të KFOR-it. Kjo qe pranuar nga Qeveria e Kosovës, por u refuzua nga pala serbe.

Këto i ka konfirmuar kryeministri Kurti, që ka shtuar se Serbia po refuzon për herë të dytë propozimet për shtensionim të situatës.

“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it dhe i cili pak a shumë dha një propozim që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në qetësim të situatës nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Në parim e kemi pranuar këtë. Sa i përket orareve të tërheqjeve e realizimit teknik e logjistik të dakordimit të tillë kemi mbetur të dakordohemi edhe me Policinë e Kosovës. Në dakordimin në parim që ia kemi dhëne, jemi konsultuar paraprakisht me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, por Serbia e ka refuzuar këtë. Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun në Bruksel duke vënë kushte, e këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i. Ne i kemi pranuar të dyja. Kemi qenë shumë gjenerozë dhe të gatshëm për takim për bisedime në Bruksel e në parim jemi dakorduar për propozimin e komandantit të KFOR-it, që pas takimit me neve ka shkuar në takim me katër kryetarët e komunave në veri dhe ata duket se pas konsultimit me kreun e fqinjit tonë verior, kanë refuzuar. Është për të ardhur keq sepse kjo ka ndodhur pas tankeve e MIG-ut në Jarinjë dhe pas djegies së qendrës në Zubin-Potok e bombave në Zveçan. Ne kemi pranuar, por Serbia ka refuzuar”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq Von der Leyen i është shmangur pyetjeve se sa duhet të pritet që Serbia të mos mbetet “fëmija i lazdruar”. Ajo ka thënë se “diskutimet e fundit janë dëshmi se sa ka rëndësi dialogu për zgjidhjen e çështjes”.

Gazeta Shqip