Spanjë – VIDHET THESARI 3-MIJËVJEÇAR

28 Gusht 2026

Një prej thesareve më të çmuara arkeologjike të Evropës është zhdukur nga një muze në Spanjë, më shumë se 3 mijë vite pasi ishte krijuar. Persona ende të paidentifikuar kanë grabitur një pjesë ose të gjithë Thesarin e Villenës, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur autorët dhe për të rikthyer objektet e rralla.

Një nga thesaret më të çmuara të Evropës, që i kishte mbijetuar tre mijë viteve histori, është zhdukur brenda pak orësh.

Grabitja spektakolare ka ndodhur në muzeun e qytetit Villena, në provincën e Alikantes në Spanjë, ku persona ende të paidentifikuar kanë marrë një pjesë ose ndoshta të gjithë Thesarin e Villenës.

Alarmi i muzeut u aktivizua në orët e para të mëngjesit, ndërsa  autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur grabitjen.

Thesari i Villenës daton rreth vitit 1000 para erës sonë dhe konsiderohet një nga koleksionet më të rëndësishme arkeologjike të Epokës së Bronzit në Evropë.

Ai përbëhet nga 59 objekte, me një peshë totale prej afro 10 kilogramësh. Në koleksion ndodhen gota, byzylykë dhe vazo, të punuara kryesisht në ar, por edhe objekte prej argjendi, hekuri dhe qelibari.

Vlera e tyre nuk matet vetëm me peshën e arit. Për arkeologët, ky është një thesar i paçmueshëm, një dëshmi e rrallë e qytetërimeve që kanë jetuar në Gadishullin Iberik mijëra vite më parë.

Ironia është se vetë thesari u zbulua rastësisht në vitin 1963. Një nga objektet e para të gjetura u mor fillimisht për një pjesë motori kamioni.

Por pas gërmimeve, arkeologët zbuluan një vazo të fshehur, brenda së cilës ndodhej një nga thesaret më të jashtëzakonshme të Evropës.

Më shumë se gjashtë dekada më vonë, Thesari i Villenës është sërish në qendër të vëmendjes.

Këtë herë jo për zbulimin e tij, por për zhdukjen misterioze. Pasi u gjet pas 3 mijë vitesh dhe u  zhduket brenda një nate e që sërisht është në qendër të një gare policore për ta rikthyer përpara se të zhduket përgjithmonë.