9 Shkurt 2026

Nga: Arben Malaj

Në ndihmë të këtij debati publik ku jane përfshirë sidomos shumë analistë televizive, disa sqarime shpresoj të jenë të dobishme për ruajtjen e integritetit shtet-ndërtues duke filluar nga institucionet kushtetuese.
Së pari: a është kushtetues një vendim me votim 4 me 4 i Gjykatën Kushtetuese ne cdo rast? Nëse përgjigjja është po – dhe unë e vlerësoj se është kushtetues.
Atëherë çdo përpjekje për të përdorur teori probabiliteti apo supozime statistikore mund të ketë vlerë studimore, por nuk ka asnjë peshë juridike apo kushtetuese lidhur me vendimin.
Paragjykimi ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për faktin se nuk kanë votuar 8 me 0, 6 me 2 apo 5 me 3, cenon jo vetëm integritetin e GJK, por edhe të analistëve që pretendojnë të flasin në emër të kushtetutshmërisë.
Në këtë logjikë çdo rezultat tjetër – pavarësishtë kushtetues – shpallet i dyshimtë.
Ndërsa vetëm rezultati që nuk rrëzon ankesën e Kryeministrit quhet “kushtetues”?!!
Sipas Diellës; “Kjo nuk është analizë; është pozicionim politik i maskuar si ekspertizë juridike”.
Me të drejtë, Sokrati, filozofi i Greqisë së Lashtë, na kujton se: “Vetëm pak janë skllevër të vërtetë; shumica janë skllevër vullnetarë.”
Një thënie që u shkon për shtat analistëve zhurmues të ekraneve televizive, që heqin dorë nga arsyeja në këmbim të servilizmi perfitues.
Po ashtu, dërgimi i çështjes në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg nuk ka asnjë atribut anulues ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
GJEDNJ mund të japë rekomandime, të konstatojë shkelje, por nuk mund të anulojë një vendim të GJK-se.
Kjo është e qartë në të drejtën europiane.
Një vendim i tillë nuk është “budallallëk botëror”, për aq kohë sa Kryeministri, Parlamenti dhe Qeveria vazhdojnë të baltosin dhe të kërcënojnë çdo ditë pushtetin gjyqësor, duke përdorur epitete përçmuese dhe gjuhë banale, të padenja për çdo politikan, e aq më tepër për gjykatën Kushtetuese dhe SPAK, por jo vetëm për ta.
Respektoni ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve.
Kjo detyrë bie së pari mbi maxhorancën, sepse ajo ka pushtetin real.
Por edhe opozita ka përgjegjësi: të ndërtojë kredibilitet moral dhe kushtetues, jo vetëm në qëndrime, por edhe në gjuhë dhe veprime.
Pa këtë standard nga të dyja anët, çdo debat për Kushtetutën mbetet thjesht zhurmë politike, jo shtet-ndërtim.
Huazuar nga FB: Arben Malaj