Arben Ahmetaj

9 Shkurt 2023

Ahmetajt i hapet dera në qeverinë Nano për tu bërë Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare post që e mbajti deri në vitin 1998. Më pas, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Ai qëndroi për një vit në detyrë. Kjo periudhë, konsiderohet si një ndër më problematiket e administratës tatimore. Inside Story ka mësuar nga burime të ndryshme nga pjesëtarë të kabinetit të kohës dhe prokurorë lidhur me ekzistencën e një dosjeje të madhe korrupsioni për të cilën nuk është folur kurrë më parë.

Dosja në fjalë kishte prova për një ministër, drejtorin e përgjithshëm të tatimeve, drejtorin e doganave, dhe të tjerë zyrtarë të lartë. Provat ishin grumbulluar dhe bënin fjalë për afera pikërisht kur në krye të Tatimeve ishte Arben Ahmetaj.

Por, ai nuk u vu kurrë nën akuzë. Dosja e korrupsionit u dorëzua aso kohe nga një zyrtare evropiane e quajtur Natalia Ceha . Ajo ishte Kryetare e Divizionit të VI –Antikorrupsion pranë Bashkimit Evropian. Materiali iu dorëzua qeverisë dhe prokurorisë por kurrë nuk doli në dritë. Me dorëzimin e dosjes, zyrtarja evropiane mësohet se u largua pas presioneve të shumta.

“Di që është bërë hetim për të përcaktuar nga kush ka ardhur kërcënimi dhe për cilat arsye ka ardhur” u shpreh ish prokurori, Eugen Beçi.