“Trusti” i kompanive farmaceutike/ Skema si ndajnë miliona euro të tenderave në Shëndetësi

21 prill 2020

Nga Boldnews.al

Ekziston një fije, jo shumë e dukshme, që lidh disa kompani farmaceutike, të cilat fitojnë më shpesh tenderat multi-milionë euro të Shëndetësisë.

Të paktën, katër kompani duket se tolerojnë njëra-tjetrën në tendera. Nëse njëra paraqet një ofertë ekonomike, të tjerat përfshihen në procedurë “thjesht për numër”, duke mos dorëzuar asnjë dokumentacion.

Në fokusin e këtij shkrimi janë tenderat me vlerë mbi 100 mijë euro të sektorit të Shëndetësisë, të fituar nga “OES Distrimed”, “Biometrik”, “Euromed” dhe “Montal”, gjatë periudhës 2017-2020.

Deri në gjysmën e parë të vitit 2017, mes tyre ka ekzistuar një lloj rivaliteti në prokurimet publike.

Në periudhën e mëtejme, që përkon me mbajtjen e detyrës së Ministrit të Shëndetësisë nga Ogerta Manastirliu, mes këtyre kompanive është vendosur “paqja”.

Në shumë tendera të marra në analizë nga “Boldnews.al”, rezulton që njëra prej tyre shpallet fituese, ndërsa të tjerat skualifikohen për shkak të mosparaqitjes së ofertës.

Në këtë lloj “konkurence formale”, kompanitë kanë arkëtuar miliona euro nga tenderat publikë.

Natyrisht, ky grupim kompanish, i cili duket se ka formuar një lloj “trusti”, nuk mund të funksionojë pa cedimin e vigjilencës nga institucionet e Shëndetësisë.

Madje, duket se këto të fundit e kanë lejuar me dashjë atë që mund të konsiderohet si “bashkëpunim informal” mes kompanive farmaceutike.

“Boldnews.al” ka kryer verifikime në dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilave janë siguruar të dhëna interesante.

Tenderat pa garë për “OES Distrimed”

– Në Janar 2020, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mbyll tenderin “Loti 1 Materiale për Trajtim Vaskular Kirurgjikal”, me fond limit rreth 500 mijë euro bashkë me TVSH.

Tenderi fitohet nga “OES Distrimed”. Në garë morën pjesë edhe “Euromed” dhe “Biometrik”, të cilat u skualifikuan, pasi nuk kishin paraqitur ofertë ekonomike dhe dokumentacion.

– Në Dhjetor 2019, QSUT shpall kompaninë ‘OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale mjekimi stapler për QSUT”, me fond limit mbi 650 mijë euro bashkë me TVSH.

Në tender merrte pjesë edhe “Biometrik”, e cila u skualifikua, për shkak se nuk kishte paraqitur ofertë.

– Në Gusht 2019, QSUT shpall kompania ‘OES Distrimed” fituese në tenderin “Loti 3-Pacemaker me antibiotik”, me fond limit rreth 100 mijë euro bashkë me TVSH.

Në këtë tender merrnin pjesë edhe “Montal” dhe “Biometrik”, të cilat u skualifikuan për mos-paraqitje oferte.

– Po në Gusht 2019, ‘OES Distrimed” shpallet fituese e tenderit “Loti 7 – Transcatheter aortic valve implantation / Kompleksi i materialeve per stente valvulare aortal (TAVI)”, me fond limit rreth 200 mijë euro bashkë me TVSH.

Në tender merrnin pjesë edhe dy kompani të tjera, njëra prej tyre “Montal” shpk. Kjo kompani u skualifikua, pasi nuk kishte dorëzuar ofertë ekonomike.

– Në Korrik 2019, Ministria e Shëndetësisë shpall kompaninë “OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale konsumi për shërbimin e Hemodinamikës së QSUT, SU “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalit Rajonal Shkodër dhe Spitalin Rajonal Fier”, me fond limit rreth 500 mijë euro bashkë me TVSH.

Në tender merrnin pjesë edhe katër kompani të tjera, mes të cilave edhe “Biometrik” dhe “Montal”. Të gjitha kompanitë u skualifikuan për shkak se nuk kishin dorëzuar ofertë ekonomike.

– Në Gusht 2018, QSUT shpall kompaninë ‘OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale mjekesore Stapler ne QSUT”, me fond limit mbi 300 mijë euro me TVSH.

Në procedurë merrnin pjesë edhe katër konkurentë të tjerë, mes të cilëve “Montal” dhe “Euromed”. Të dyja u skualifikuan, pasi nuk kishin paraqitur ofertë ekonomike.

– Në Qershor 2018, Ministria e Shëndetësisë shpall kompaninë “OES Distrimed” në tenderin Lot. 3 Blerje ballona, kateter guide dhe gida angioplastike”, me fond limit total prej rreth 500 mijë euro me TVSH

Në garë merrnin pjesë edhe dy kompani të tjera, një prej të cilave “Euromed”. Ajo u skualifikua, për shkak se nuk kishte paraqitur ofertë.

– Po në Qershor 2018, Ministria e Shëndetësisë shpall kompaninë “OES Distrimed” fituese në tenderin “Loti 7, Blerje stenta të medikuara”, me fond limit rreth 400 mijë euro me TVSH.

Në garë merrnin pjesë edhe 4 kompani të tjera, mes të cilave “Euromed”. Kjo kompani u skualifikua, për shkak se nuk kishte paraqitur ofertë.