Tensionohet situata, studentët e ngujuar: Civilët s’na lënë të dalim, morën celularët, thyen xhamin dhe…

11 janar 2019. Nga: Gazeta Panorama

 

UPDATE 20:21/Video të tjera kanë ardhur nga studentët e fakultetit të Inxhinierisë së ndërtimit, urbanistikës dhe arkitekturës, të cilët janë duke qëndruar prej disa orësh të ngujuar brenda ambienteve të këtij fakulteti.

 

Në këto video ata shprehet se kanë qenë disa policë civilë të cilët i kanë sulmuar, duke iu hequr celularët, duke prekur femrat me dorë dhe goditur në fytyrë, duke mos i lejuar as të dalin dhe as të hyjnë studentë të tjerë në fakultetet, si dhe nuk kanë lejuar futjen e ushqimit.

Ndërkohë në videon e dytë shihet se xhami i derës kryesore është i thyer, ndërsa studenti i drejtohet efektivit të policisë duke i thënë se xhami është thyer nga brenda, e duke i kërkuar që të nxjerrë dorën nga xhepi pasi e ka të gjakosur, duke akuzuar kështu se kanë qenë efektivët ata të cilët e kanë thyer, shkruan Panorama.

Pasi kanë tentuar t’i nxjerrin studentët jashtë dhe nuk ia kanë dalë, policët privatë kanë mbyllur me zinxhir dyert e fakultetit, duke lënë brenda pa ushqime dhe pa ujë rreth 50 studentë.