Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: – Minimumi jetik thelbësor, lejoni diskutimin, ose mbylleni fare Parlamentin

17 Nentor v2025
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar sot ashpër mazhorancën në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, pasi ka mbyllur dyert e debatit dhe diskutimeve të hapura edhe për çështjet më kryesore që prekin qytetarët shqiptarë.
Mes tyre edhe minimumi jetik, për të cilin ligjvënësja nënvizoi se nëse nuk lejohet debati i hapur, atëherë Parlamenti më mirë të mbyllej fare.
Fjala e saj erdhi si shkak i kërkesës së PD për zhvillimin e një debati në Parlament për përcaktimin e minimumit jetik.
“Parlamenti, jo vetëm që nuk e përfshin minimumin jetik si një masë shumë të rëndësishme në mbështetje të qytetarëve, por as debat nuk lejon. Ky Parlament duhet t’i diskutojë këto çështje. Nuk mund t’i shmangeni dështimit duke mos lejuar debatin”, tha deputetja demokrate.
Në fund ajo i kërkoi kolegëve të mazhorancës që nëse nuk lejojnë diskutimin në Kuvend, më mirë ta mbyllnin edhe atë godinë ligjvënëse.
“Minimumi jetik është çështje thelbësore. Parlamenti duhet t’i diskutojë këto çështje, përndryshe do duhet të mbyllet fare”, u shpreh Tabaku.
