31 Mars 2026

Dorin Xhima – Dita Sport

Sytë e të gjithë shqiptarëve që e duan futbollin sot janë në Prishtinë. Duke filluar nga ora 20:45 “dardanët” do të zbresin në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për finalen “play off” që do vendosë nëse Kosova ose Turqia do shkojnë në Botëror.

Në Prishtinë të gjithë flasin për ndeshjen, ndërsa një ditë më parë trajneri Foda tha se mundësitë janë të barabarta.

“Jemi në finale me plot meritë, gjasat për të kaluar më tej janë 50 me 50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, tha trajneri  Franco Foda.

Në portë për sonte konfirmohet Arijanet Muric, ndërsa mbrojtja me tre lojtarë, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari – synon disiplinë ndaj sulmit të rrezikshëm turk.

Në krahë, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni Hoxha pritet të kenë rol të dyfishtë, në mbrojtje dhe në fazën ofensive. Mesfusha me Elvis Rexhbecajn, Veldin Hoxhën dhe Florent Muslijën pritet të shtojë dinamikë në repartin sulmues.

Në sulm, Foda i beson dyshes Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, me këtë të fundit si pika kryesore referuese e skuadrës.

Para ndeshjes foli edhe Vedat Muriqi, i cili deklaroi se nëse Kosova kualifikohet në Botëror do të jetë gëzimi më i madh  pas shpalljes së Pavarësisë në 2008.

Qeveria Kurti ka miratuar shpërblimin prej 500 mijë eurosh pas eliminimit të Sllovakisë, ndërsa ka premtuar 1 milionë euro për lojtarët në rast se shkojnë në Botëror.

Katër netë më parë futbolli shqiptar na dha dy leksione të ndryshme, të ndara nga 500 kilometra distancë, por të bashkuara nga i njëjti emocion kuqezi. Ndërsa në Varshavë Shqipëria doli me “shije hiri” në gojë pas një përmbysjeje që mund të ishte shmangur, në Bratislavë, Kosova shkroi një histori që do tregohet gjatë.

​Fitorja 4-3 e “Dardanëve” ndaj Sllovakisë nuk ishte vetëm një rezultat sportiv por edhe një triumf i karakterit.

Të shënosh katër gola në transfertë, në një fushë ku pak kush del me pikë, dhe të gjesh forcën për t’u rikthyer pasi përmbysesh, madje të vazhdosh me të njëjtën forcë edhe kur të mohojnë një penallti të pastër, nuk është më çështje taktike, por vetëbesim i fortë shpresëdhënës.

Nëse Shqipëria në Poloni humbi dy raste të arta që mund ta kishin mbyllur ndeshjen, Kosova në Sllovaki nuk priti fatin t’i trokiste në derë. Ajo e shqeu derën. Ata nuk u sollën si “të vegjël” përballë një emri europian, por luajtën si zotërues të fushës.

​Mësimi i madh që vjen nga Bratislava është se në futbollin modern, emri i kundërshtarit vlen vetëm në letër. Në fushë vlen ai që guxon të godasë i pari dhe ai që ka “mushkëri” për të mos u dorëzuar kur rezultati bëhet i rëndë.

Kosova tregoi se nuk ka frikë nga skenari i çmendur, përkundrazi, ushqehet prej tij. Tashmë ky ekip është vetëm 90 minuta larg Amerikës. Është një arritje që thyen çdo parashikim dhe që e vendos këtë përfaqësuese në një tjetër dimension.

Finalja e kësaj nate “play-off”-it do të jetë kulmi i një projekti që bazohet te pasioni dhe te një brez lojtarësh që luajnë për flamurin me një uri që rrallë shihet.

Ndërsa ne në Shqipëri sot numërojmë rastet peng të Varshavës, sytë e të gjithë shqiptarëve sonte janë kthyer nga Prishtina dhe rrugëtimi i radhës dardan.

Shqipëria e mbylli ëndrrën e saj, Kosova na tregoi se ëndrrat nuk fitohen duke pritur gabimin e tjetrit.

Bratislava ishte pasqyra ku duhet të shihemi të gjithë. Kur zemra rreh më fort se emri i kundërshtarit, asnjë përmbysje nuk është e pamundur.

Sonte, e gjithë shqiptaria do të jetë me Kosovën. Ëndrra për Botërorin 2026 flet ende shqip. Këtë herë, ka zërin e Prishtinës!