26 Shkurt 2024

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket se ka turbulluar ujërat në klasën politike shqiptare.

Goditjet në radhët e socialistëve hodhën në sulm kryeministrin Edi Rama, ndërsa prej vitesh të tëra SPAK po sulmohet si nga Sali Berisha ashtu dhe nga Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua kanë bërë të qartë të gjithëve se nuk kanë punë të ndërhyjnë në punët e drejtësisë, pasi Prokuroria e Posaçme gëzon besimin e tyre, çka do të thotë se Uashingtoni mbështet fuqishëm luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Por pyetja që shtrohet është: Pse janë trembur të gjithë? Në duart e organit të akuzës janë një sërë dosjesh të rëndësishme, që nëse hetohen si duhet mund të shkundin piramidën politike shqiptare, ku goditja më e madhe pritet të jetë për qeverinë “Rama”, teksa disa nga ministra aktualë janë nën ankthin e prangave, për shkak se akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Urdhrat e Ramës

Kjo ka bërë që kreu i qeverisë Edi Rama të japë urdhra dhe të bëjë presione ndaj vartësve të tij gjithë këto javë që të mos lejojnë asnjë agjent nga BKH që të futen në dyert e Kryeministrisë, apo dhe institucione të tjera.

Kjo lëvizje e tij vjen pasi SPAK së fundmi ka kryer me dhjetëra vizita “blic” në zyrat shtetërore, duke mbledhur me mijëra e mijëra faqe e dokumente për të provuar akuzat ndaj zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në hetim për korrupsion, ku janë disa ish-ministra të kabinetit, sekretarë të përgjithshëm të tyre, por edhe zyrtarë të tjerë që janë në funksion apo janë larguar.

Këta zyrtarë ndodhen mes dy zjarresh, pasi nga njëra anë janë në presion nga kreu i qeverisë, nga ana tjetër janë në panik nga hetimet e drejtësisë së re. Me ligj ata nuk kanë të drejtë të bllokojnë hetimet. Këta zyrtarë rrezikojnë edhe burgun pasi kryejnë veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga Neni 301 i Kodit Penal, i cili të çon deri në 5 vjet burg.

Skema e SPAK

Ky qëndrim i Ramës nuk do ta ndalë SPAK. Natyrisht që drejtësia, është ditur se do të lundrojë në “syrin e ciklonit” e do të sulmohet majtas e djathtas, sepse nuk i kanë zgjedhur në atë institucion për të nusëruar, por për të kapur “Peshqit e Mëdhenj”; të korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë dhe skemat e tyre janë shumë të sofistifikuara.

Agjentët po përdorin gjithashtu metoda të tjera speciale për të hetuar zyrtarët e lartë të korruptuar.

Ata nuk mjaftohen vetëm me sekuestrime dokumentesh. Sipas udhëzimeve që ata kanë marrë nga ndërkombëtarët, SPAK do të kalojë në tjetër fazë, pasi ata do të shkojnë deri tek vilat e tyre luksoze, te kuzhinierët dhe deri te pastruesit e të pasurve me metoda speciale për të zbuluar të korruptuarit.

Madje jo vetëm kaq, tani ata kanë futur metodat e avancuara dhe përdorimin e teknologjisë për të analizuar të dhënat përmes programeve të specializuara, monitorime të aktiviteteve në rrjetet sociale dhe mediat digjitale, të personave, kompanive apo edhe institucioneve ku dyshohen aktivitete korruptive. Janë future dhe përgjime mjedisore përmes programeve të specializuara, si dhe përdorimi i mikrodronëve, njohur ndryshe edhe si ‘mizat përgjuese’ për përgjime të fshehta. Gjithashtu po përdoret infiltrimi, apo sigurimi i bashkëpunëtorëve konfidencialë që të mund të sigurojnë të dhëna shtesë për hetimet, si dhe përdorimi i dronëve, apo teknologjisë satelitore për mbledhjen e informacioneve.

Nga Elmas BOGDANI