Skulptor në vendlindje, artisti Elton Korbeci: – Puna mision për të ruajtur identitetin e historinë

26 Janar 2026
Elton Korbeci, artisti i ri nga Gjirokastra, ka zgjedhur të mos largohet nga vendi, por t’ia kushtojë gjithë pasionin dhe talentin e tij qytetit që e ka frymëzuar.
I diplomuar në skulpturë dhe pikturë monumentale, Korbeci e ka kthyer studion e tij në një hapësirë arti ku çdo punim tregon histori. Në muret e studios gjen portrete të madhësive të ndryshme, kryesisht figura historike, si edhe peizazhe magjepsëse të Gjirokastrës, që janë burimi i përhershëm i frymëzimit të tij. Çdo vepër mbart jo vetëm dorën e artistit, por edhe shpirtin e qytetit të gurtë.
Përveçse krijues, Elton Korbeci është edhe mësues, duke i motivuar të rinjtë të ndjekin pasionet e tyre dhe të besojnë te arti. Ai rrëfen për Top Channel se puna e një skulptori është po aq e bukur sa edhe e vështirë, pasi shumica e veprave të tij vlerësohen më shumë nga të huajt, ndërsa për vendasit shpesh mbeten të paarritshme për shkak të çmimeve.
Megjithatë, për Korbecin, arti mbetet një mision: të ruajë identitetin, historinë dhe bukurinë e Gjirokastrës përmes formës dhe ngjyrës.
