12 Mars 2026

Ndërhyrja selektive e politikës

Ish-deputeti i PS, Petro Koçi ka kritikuar sërish mazhorancën për qëndrimin e saj në raport me Belinda Ballukun, ku sot me 82 vota pro u rrëzua kërkesa për arrestimin e saj. Për Koçin, refuzimi i kërkesës së SPAK përbën një hap prapa për procesin politik dhe sundimin e ligjit.

“Nuk është fundi i botës dhe as kohë e dielltë për opozitën berishiane, por vendimi i sotëm i refuzimit të kërkesës së SPAK për lejen e Kuvendit për masë sigurimi ndaj një deputeteje nën ndjekje penale përben një hap prapa për procesin politik dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Unë e vlerësoj shqetësimin e përhapur lidhur me zgjerimin e aplikimit të vendimeve me arrest paraprak si masë sigurimi ndaj disa figurave politike nën ndjekje penale, por trajtimi i këtij shqetësimi nuk mund të administrohet nëpërmjet një rasti individual, por vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve të konsultuara me praktikat ndërkombëtare në legjislacion apo nëpërmjet vendimeve normuese të shkallëve të larta të gjyqësorit, edhe këto të konsultuara paraprakisht me Komisionin e Venecias.

Ndërhyrja selektive e politikës së ditës në mbrojtje të individëve të caktuar të saj ndaj ndjekjes penale, opozita në rastin Berisha apo maxhoranca në rastin Balluku, e kompromenton angazhimin publik dhe parimor të klasës politike për të respektuar drejtësinë e re në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Petro Koçi.