27 Dhjetor 2025

Interviste ne Gazeten Sot

Përfshirja e lahutës shqiptare në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s u përshëndet si një arritje historike. Por për studiuesin dhe koleksionistin Jaho Brahaj, kjo njohje ndërkombëtare nuk mjafton për ta shpëtuar këtë pasuri nga rreziku i zhdukjes. Në intervistën për gazetën “SOT”, studiuesi Jaho Brahaj ngre alarmin për mungesën e institucioneve dhe politikave konkrete, që do të garantonin transmetimin brez pas brezi të lahutës dhe të Ciklit të Kreshnikëve. Ndër të tjera ai paralajmëron se keqpërdorimi i instrumentit, shkëputja nga epika dhe mitologjia, që e kanë mbajtur gjallë ndër shekuj, si dhe presioni i urbanizimit dhe i skenës moderne, po e zbehin thelbin e saj.

Studiuesi Brahaj thotë se UNESCO, si organizatë ndërkombëtare e vlerësoi pasurinë tonë kombëtare, por të gjitha masat dhe veprimet për ta ruajtur këtë pasuri tonën mund dhe duhet t’i bëjmë vetëm ne. Këtë dhjetor arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës u përfshi zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën për nevojë urgjente mbrojtje dhe kjo erdhi si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor i udhëhequr nga një grup studiuesish në fushën e trashëgimisë kulturore.

 – Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën për nevojë urgjente mbrojtje. Çfarë do të thotë konkretisht për kulturën shqiptare përfshirja e lahutës në listën e UNESCO-s?

Ky lajm është vlerësim për traditat dhe vlerat shpirtërore e materiale të kombit tonë. Ky vlerësim nga ne shqiptarët në trojet e lashta në Ballkan kërkon edhe seriozitet dhe punë vullnetmirë, që këtë pasuri të trashëguar ndër mijëvjeçarë të dimë ta ruajmë.

-Sipas jush, pse konsiderohet lahuta një nga thesaret më të rëndësishme të identitetit tonë kulturor?

Lahuta nuk mund të shihet vetëm instrument i lashtë muzikor, sepse ajo ka jetuar si bashkudhëtare, sepse ishte e pandarë me Ciklin e Kreshnikëve dhe baladat, me besimet e lashta të popullit tonë, me baladat, me përrallat dhe legjendat dhe kryesisht me shpirtin iliro-shqiptar të ndjenjës së lirisë.

 -Sipas jush, cilët janë elementet që e bëjnë lahutën unike, në krahasim me instrumente të ngjashme të rajonit?

Shumica e instrumenteve muzikore na vijnë nga lashtësia dhe janë të përhapura në shumë popuj dhe kombe. Lahuta shqiptare dallon nga ajo e popujve të tjerë në pamje, sepse zbukurohej me ato shenja e pamje të atyre elementeve që është e ndërlidhur me mitologjinë dhe besimet tona etnike. Kryesisht ka Kokën e Dhisë, që lidhet me besimet se ajo ishte bartëse e fuqisë së zanave shqiptare; zanat ishin forca hyjnore me fuqi të jashtëzakonshme dhe ishin mbrojtëse dhe ndihmuese të kreshnikëve, që ishin mbrojtës të truallit tonë, e kështu me radhë, të gjitha janë të ndërlidhura. Lahuta shqiptare ka të gdhendur shumë elemente të besimeve dhe qenieve mitologjike, pasqyron kultin e diellit, të hënës, drerin, gjarprin, figura mitike si Nënën e Madhe etj.

-Sa i lashtë është ky instrument dhe cilat janë dëshmitë më të hershme të përdorimit të tij?

Kjo tematikë e lashtësisë është diskutuar shumë. Lahutën e kanë si instrument muzikor shumë popuj. Mjafton të themi që janë gjetur artefakte arkeologjike, që edhe egjiptianët e lashtë e kishin. Populli ynë duhet ta ketë që para erës së re, po të shikojmë që edhe vetë tekstet e Ciklit të Kreshnikëve në disa këngë ruajnë subjekte dhe mitologji të periudhave para krishtërimit dhe më të hershme.

-Sipas jush cilët janë faktorët, që e vunë lahutën në rrezik zhdukjeje?

Filli i gjithë krijimtarisë letrare që shoqëron me muzikën e saj lahutën është me përmbajtje mitike. Zhvillimi shoqëror i viteve të fundit dhe i periudhës së fundit të shekullit të kaluar, ku kishim një regjim që mbivlerësonte vetëm ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, e shmangu artin dhe tematikën e Ciklit tradicional të Kreshnikëve, duke ia ndryshuar rrjedhën. Por nuk është vetëm kjo që e bëri lahutën të sfumohet. Dhe ajo që është thelbësore, edhe ato përpjekje për ta gjallëruar lahutën me këngët e saja po bëhen, duke menduar ta vënë në shërbim të këngëve dhe tematikave që lahuta nuk i kishte të sajat. Po mundohen që lahuta të shoqërojë këngë me tematikë historike. Kjo nuk është në unison dhe e përshtatshme. Lahuta jetoi ndër mijëvjeçarë, dhe ishte instrument me vlerë dhe përmbajtje tradicionale e bashkëngjitur me epikën e gatuar me vlerat e mitologjisë dhe besimeve. Ajo ishte përfshirëse dhe zëdhënëse e idealeve, besimeve, formës së jetesës së komuniteteve me zakonet e lashta dhe legjendave, etj. Sot ato janë tejkaluar nga shoqëria jonë. Prandaj ajo mund të ruhet vetëm me këto elemente të lashta si një vlerë e identitetit tonë historik, dhe nuk mund t’u nënshtrohet subjekteve të aktualitetit dhe as komoditetit skenik të sotëm. Ajo kërkon kushte specifike si vlerë dhe pasuri që ka, kushte ku interpretohen subjektet e saj.

-Sa ka ndikuar urbanizimi, emigracioni dhe mungesa e transmetimit brez pas brezi?

Urbanizimi ia ka prishur çerdhen ku ajo jetonte dhe është trashëguar ndër breza. Por janë edhe faktorë të tjerë, që po e shmangin nga jeta lahutën. Nuk kemi institucione si shoqëri për lahutën. Nuk ka asnjë orë mësimore, që t’i kushtohet pasurisë Lahutë-Cikli i Kreshnikëve. Nuk kemi asnjë metodikë muzikore që të nxisë fëmijët për të luajtur melodi me lahutë. Lahutat e vjetra, që ruhen të gjitha kanë dy pozicione ku vendosej kunji i telit të saj: një për të rriturit me dorën e madhe dhe një për fëmijët me dorën dhe gishtat e tyre të parritur plotësisht. Pra, ndër breza u është kushtuar rëndësi fëmijëve për ta trashëguar këtë instrument. Po përmend që edhe në tekstet mësimore me shumë orë mësimi në shkollat parauniversitare ka “Iliada” dhe “Odisea”, e vetëm kalimthi trajtohet pasuria jonë etnike, Lahuta dhe Cikli i Kreshnikëve. Janë pyetur 100 të rinj nga mosha 18-20 vjeç, çfarë trajton lahuta në këngët që shoqëron, dhe 95 për qind janë përgjigjur që ajo shoqëron këngët e “Lahutës së Malësisë”, vepër e autorit Gjergj Fishta. Pra kemi një boshllëk dhe, po të shtojmë këtu që edhe kur lahutën e riaktivizojmë, i japim këngë me tematikë që ajo nuk i kishte. Lahuta jeton vetëm me elementin letrar me të cilin ka jetuar ndër mijëvjeçarë; kur e detyrojmë t’i shërbejë tematikave me këngë historike, ajo çalon, nuk përshtatet dhe i zihet fryma.

Jaho Brahaj

-Për shumë shqiptarë, lahuta është më shumë se një instrument muzikor. Si e shpjegoni këtë lidhje shpirtërore?

Etnia jonë e ka pasuri dhe element të identitetit tonë kulturor. Mbrojtja e lahutës nuk bëhet me fjalë, por me vlerësimin e këngëtarëve, me krijimin e kushteve që brezi i fëmijëve shqiptarë ta dashurojnë dhe ta njohin shpirtërisht si pasurinë tonë. Presim që ministria të ketë një plan konkret; kemi pak shpresë, por do vazhdojë si me xhubletën e të tjera.

– Përfshirja e lahutës në listën e UNESCO-s, çfarë mesazhi bart për shqiptarët kjo njohje ndërkombëtare?

E para duhet të kuptojmë e vlerësojmë që UNESCO, si organizatë ndërkombëtare, vlerësoi pasurinë tonë kombëtare, por të gjitha masat dhe veprimet për ta ruajtur këtë pasuri tonën mund dhe duhet t’i bëjmë vetëm ne.

-Ju vetë si studiues gjithashtu keni një koleksion të instrumentit të lahutës. Si lindi ideja për krijimin e tij?

Unë jam rritur në një komunitet, ku lahuta dhe Cikli i Kreshnikëve vlerësoheshin si një kult shpirtëror. Lahuta kishte shenjtërimin e saj. Në vitet pas ’90 pashë që lahuta doli në treg e pavlerësuar as si çmim dhe as si vlerë e trashëgimisë sonë, dhe me mundësitë e mia modeste ekonomike kam disa në koleksionin tim. Këto i kam vënë në shërbim dhe njohje të publikut. Jam i pari që në vitin 2012 organizova me lahutat e koleksionit tim dhe disa të miqve të lahutës një ekspozitë në Muzeun Kombëtar në Tiranë, që u prit me shumë interes. Ka disa dashamirës që kanë lahuta tradicionale me shumë vlerë, por edhe këtu ka shmangie, sepse lahuta duhet të ruajë veçoritë etnike siç e trashëguam dhe jo si një vepër arti me elemente artistike të kohëve moderne.

Intervistoi: Juljana Vrapi