SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”, mes tyre shefja e kabinetit Sindi Dushku

27 Dhjetor 2025
Janë të paktën 54 kontrolle nëpër banesa zyra dhe biznese që po kryen nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të prokuroreve të SPAK.
Kontrollet po bëhen si pjesë të hetimit për dosjen me akuzat ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorëve të saj, një pjesë e të cilëve janë në masë arresti.
Janë të paktën 34 kontrolle të urdhëruara nga SPAK që janë kryer deri më tani dhe shumica ndaj stafit të ministrisë së infrastrukturës autoritetit të rrugëve dhe korporatës elektroenergjite shqiptare. Po ashtu është ushtruar kontroll ndaj shefes së kabinetit Sindi Dushku.
Top Channel mëson se me vendim të gjyqtarit Erjon Çela do të procesohen në ditët në vijim edhe 20 kontrolle të tjera, ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve. Pothuajse i gjithë aksioni deri më tani është kryer nga agjentët e byrosë kombëtare të hetimit duke u kujdesur që Policia e Shtetit të mos marrë pjesë gjatë kontrolleve të ambienteve të brendshme dhe mbledhjes së provave.
Më herët mësohet se u kontrollua banesa e Sajmir Kuçi, ish-punonjës i Autoritetit të rrugëve, Erald Elezit ish-drejtor i KESH, i pandehur dhe në ‘arrest shtëpie’ për dosjen e tunelit të Llogarasë, Gentian Gjylit, ish-kreu i ARRSH i pandehur dhe në ‘arrest shtëpie’, Marsel Hoxhës, Jonida Çeços, Viola Haxhihademit, ish-sekretare e përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtuese e KESH.
Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku për të cilën SPAK ka kërkuar nga kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë.
Top Channel
