S’ka kryeministër në Ballkan të bëjë të njëjtën gjë.

7 mars 2019.

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar vizitën e kryeministri Rama në Itali dhe intervistat që ai dha për disa nga mediat e vendit fqinj.

Në një lidhje me skype për emisionin “Të paekspozuarit”, Lubonja e konsideroi vajtjen e Ramës tek emisioni “Porta a Porta”, të gazetarit italian, Bruno Vespa, si propagandë, ndërsa shtoi se kjo është anomali shqiptare, pasi sipas tij nuk ka asnjë kryeministër në Ballkan apo më gjerë që të bëjë të njëjtën gjë.

Është një anomali shqiptare. Nuk ka kryeministër në botë të shkojë dhe të bëjë propagandë të vendit të vet diku. Keni parë ju kryeministër të Ballkanit, Gjukanoviç apo të tjerët rreth e rrotull të shkojnë e të thonë shikoni sa mirë është atje.

E para kjo. E dyta, në qoftë se është fjala për të krijuar një njohje të problemit shqiptar nga mediat italiane, praktikat janë që shkojnë të dërguarit dhe bëjnë kronika, intervistojnë njerëz, pyesni opozitën, të pavarur etj. Kurse këtu shkon kryeministri të rregullojë imazhin. E treta, që është e bezdisshme që ne shqiptarët akoma bëjmë politika t’u mbushim mendjen të huajve se kush është i miri apo i keqi. Akoma sillemi si protektorat dhe nuk ndërtojmë politikanë që kanë mbështetjen e vendit të tyre”, tha Lubonja.

Lubonja e konsideroi si skandal emisionin e Bruno Vespës me Ramën, pasi, sipas tij, Vespa kishte marrë 3 persona në studio që mbështesnin Ramën.

I fundit është skandali i gazetarit Bruno Vespa që edhe gazetarët më të këqij në Shqipëri mund të mburren. Mori kryeministrin këtej dhe mori tre njerëz që mbështesin kryeministrin. Nuk bën vaki. Më e shëmtuar ishte edhe qëndrimi i tyre.

Siç ishte Igli Tare që tha se u dogj një gomë edhe u prish imazhi i Shqipërisë. Është një gjë e mjerueshme.Po jemi prapë në kontekstin që fola është i legjimituar se ai është i majtë dhe gjithë imazhin e tij e  ka bërë me propagandë. Nuk po flas për Bruno Vespën se ai është një nga gazetarët më të papëlqyer në Itali. Kjo është pjesë e pragmatizmit tonë. Ne duhet të bëhemi shpëtimtar të vetvetes.”, u shpreh analisti Lubonja.