‘Shqipëria të do me kokën lart’, të rinjtë në Vlorë ndezin qirinj në konsullatën italiane: – I kemi patur gjithmonë në krah

Një grup të rinjsh kanë ndezur qirinj dhe kanë ngjitur pankarta me mbishkrime në derën e konsullatës italiane në Vlorë.

Mars 2020

Italia është shteti që priti me qindra mijë shqiptarë në vitet pas komunizmit, sidomos vlonjat, të cilët udhëtuan përtej Adriatikut me anije për një jetë më të mirë. Ata shpesh kanë hapur dyert për shqiptarët, por edhe zemrën siç ishte në rastin e fundit, pasi Italia ishte shteti që dha një shifër tepër të konsiderueshme për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sigurisht ajo që po kalon momentin më të vështirë tani është Italia, shteti që ka numrin më të madh të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi. Ky fakt padiskutim që ka trishtuar një pjesë të shqiptarëve, të cilët deri diku janë edhe të frikësuar për atë që po ndodh në shtetin fqinj. Në rastin tonë është e vështirë për t’i ardhur në ndihmë italianëve, të cilët në këto momente kanë nevojë më shumë se kurrë në sistemin shëndetësor, por për të treguar se ne jemi me ta kanë menduar një grup të rinjsh nga Vlora.

Ata kanë shkuar mëngjesin e sotëm në konsullatën italiane dhe kanë ndezur qirinj në kujtim të atyre që kanë humbur jetën, kanë vendosur disa fletë me mbishkrime dhe figura domethënse. Dy flutura janë në derë, njëra me krahët me ngjyrë simbol të flamurit të Italisë dhe tjetra të Shqipërisë.

Ka edhe shkrime shoqëruese, ku lexohet: “Kurajo!!! Do ia dalësh dhe kësaj here. Shqipëria dhe Vlora të duan përherë me kokën lart.” Në një tjetër fletë shkruhet: “Jemi dy popuj, një zemër.”

Njëri nga të rinj pas gjestin ka deklaruar: “Solidarizohemi sot me popullin italian, i cili po kalon një moment shumë të vështirë, në këto kohë kaq kritike në të cili n ndodhemi. Ndiejmë një keqardhje dhe një detyrim njerëzor dhe human që ndodhemi këtu pranë konsullatës italiane. Të jemi pranë viktimave dhe pranë popullit italian. Italia mund ta them me plot bindje, që është i vetmi vend që Shqipërisë i ka ndenjur gjithmonë në krahë. I kami patur përkrah në ditët më të vështira dhe e kanë shprehur humanizimin e tyre në çdo lloj momenti, orë dhe sekonde, kur Shqipëria ka patur nevojë.”

Padiskutim që Shqipëria nuk e ka kapacitetin për të ndihmuar një popull që bën pjesë në G7, por zemrat e tyre as që diskutohet se ndiejnë dhimbje për atë që po ndodh në Itali.

Gazeta Shqiptarja.com