Shpërthen rebelimi në PS, pritet distancimi i 8 deputetëve nga Edi Rama, kërkohet spastrimi i partisë nga banda…

23 Qershor 2026
Partia Socialiste duket se është mbërthyer nga një revoltë e paprecedentë dhe një rebelim i brendshëm që prite të tronditë themelet e mazhorancës. Largimi i papritur i deputetes socialiste, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, nga grupi parlamentar i PS-së për t’iu bashkuar hapur protestave qytetare në Tiranë, është vetëm shkëndija e parë e këtij “zjarri” politik. Para zonjës Koçeku, ka qenë ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ka thyer çdo tabu duke dalë hapur kundër lidershipit të Edi Ramës.
Ish-ministrja Spiropali po udhëheq një rrymë që kërkon me ngulm distancimin emergjent të partisë nga ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet nën rrethin e zjarrtë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për shkak se po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ky nuk është thjesht një qëndrim moral, por një luftë e egër bërrylash për mbijetesë politike përpara se cunami i drejtësisë të marrë përpara kupolën rozë. Megjithatë rebelimi ka hyrë tashmë në fazën e tij më të nxehtë, pasi në ditët në vijim pritet distancimi zyrtar i rreth tetë deputetëve të tjerë socialistë nga kryeministri Edi Rama. Ky grup fraksionistësh po kushtëzon qëndrimin e tyre me spastrimin e menjëhershëm të strukturave nga ajo që po cilësohet si “banda e Belinda Ballukut”.
Paralajmërimi i koduar i kryeministrit
Por intriga merr përmasa edhe më drithëruese nëse analizojmë lëvizjet e fundit të vetë kreut të qeverisë. Duhet theksuar se një dezertim të tillë apo një “hemorragji” të madhe brenda partisë e paralajmëroi me tone të ashpra edhe vetë kryeministri Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së të mbajtur këtë të shtunë që shkoi. “Do kritikohemi do sulmohemi, por kemi detyrim të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, mos zgjedhim të jemi popullor kur duhet të jemi të përgjegjshëm.
Ka kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë. Nuk jemi për të qenë të pëlqyer, por të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona, nuk është një hashtag, nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur, është në një luftë me vetveten dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat atë punë kanë, kemi detyrë të çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht. Mos u çudisni që në këtë rrugë do na dalin shumë të tjerë anash, mbrapa, përballë.
Nuk është punë agjenturash, ne kemi fakte sa të duash, falë algoritmit vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre. Ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre, në kuptimin që të intimidohemi apo kompensohemi. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga ime, e jona e PS”, theksoi kryeministri Rama. Pra kjo tregon se kryeministri Edi Rama e ka pasur të qartë hartën e tradhtisë dhe thikat pas shpine që po përgatiteshin me kujdes brenda llojit.
Ky operacion i hapur kirurgjikal që po i bëhet Partisë Socialiste po e çon mazhorancën drejt një krize të paparashikueshme parlamentare. Sidoqoftë pyetja që ngrihet me të madhe në korridoret e pushtetit është: A do të arrijë kryesocialisti Edi Rama ta ndalë këtë hemorragji, apo ky grup deputetësh rebelë do të jetë fillimi i fundit për qeverisjen e tij?
