Nga: Gëzim Ajgeraj

Kur nga shpella dilte pëllumbi, ishte shenjë se familja do të gëzohej me djalë

“Pas lufte kjo shpellë për fat të keq është keqpërdorur”, thotë Xhavit Osmani

“Kur burrat në Vërri shkonin në zonën e Opojës për tregti, nëse u binte rruga nga shpella e madhe afër Zgatarit, porositeshin të hidhnin ndonjë gurë brenda saj, sidomos kur në familje kishin ndonjë grua shtatzënë, për ta trazuar ndonjë shpend që gjendej brenda shpellës”, rrëfen shkrimtari Gëzim Ajgeraj, i cili thotë se kjo traditë ishte prezente deri në kohët e vona. Sipas traditës, kur ndodhte të ishte pëllumb, atëherë ishte shenjë se familja do të gëzohej me djalë, e kur dilte ndonjë shpend tjetër, atëherë ishte shenjë e vajzës. Por, kur dilte ndonjë korb apo sorrë, atëherë ishte shenjë se nuk do të kishte lindje.

Në Opojë, krahas përqafimit të feve monoteiste, është trashëguar edhe tradita e besimeve pagane. Sipas shkrimtarit Gëzim Ajgeraj, edhe rasti i shpellës së Zgatarit është një dëshmi për këtë. “Kjo porosi u jepej edhe fëmijëve, nga nënat dhe gratë e familjes, që zakonisht shkonin në shëtitje, te rrafshnalta e Zgatarit, nëpër festa tradicionale, sidomos në festën e verëzave”, rrëfen Ajgeraj.

Tradita e festave pagane

Sipas Ajgerajt, popullata e Opojës, në kohët më të vjetra kanë besuar në fenomenet e natyrës si në: diell, hënë, rrufe, ylber, etj. Për Opojën si njëra nga krahinat malore periferike të Kosovës është shkruar fare pak. Edhe ato pak shkrime janë parciale dhe prekin sipërfaqësisht ndonjërin nga elementët e kompleksit natyror, historik, demografik dhe etnokulturor. 

Huazuar nga: KOSOVA Sot.