1 Mars 2023

Akademia e Shkencave është përfshirë nga debati mes këtij institucioni dhe anëtarit të saj, profesorit Artan Fuga. Pasi pedagogu i njohur shpalli kandidaturën e tij për postin e kryetarit të institucionit më të lartë akademiko-shkencor të Shqipërisë, ku denoncoi se deputetë të partisë në pushtet, PS, po ndryshojnë ligjin për ASH me qëllim rizgjedhjen për herë të dytë radhazi të Skënder Gjinushit si kryetar, dje vetë institucioni në fjalë iu kundërpërgjigj Fugës duke i konsideruar akuzat e tij si fyerje denigrime dhe shpifje lidhur. Vetë akademiku i njohur u kundërpërgjigj se do të publikojë deklaratat e deputetit socialist që është shprehur pro-ndryshimit të këtij ligji. Kujtojmë se ky debat është ndezur në kohën kur kreut aktual Skënder Gjinushi i ka përfunduar mandati.

ASHSH: Deklaratat e Fugës, cënim i autonomisë së institucionit tone

Nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare, Akademia e Shkencave iu përgjigj komenteve të bëra publike nga Artan Fuga 5 ditë më parë. Ajo shtoi se vetë akademikë dhe pedagogu i filozofisë dhe medias ka propozuar vite më parë një ndryshim në ligjin për këtë institucion, që të ndalohej e drejta e votës pë rata anëtarë akademie që janë më shumë se mosha 68 vjeç. Vetë ASHSH vlerësoi se deklarimet e anëtarit të saj janë cenim i autonomisë së këtij institucioni. “Ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.  Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen ‘risi’ kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH”, thuhet fillimisht në deklaratën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më tej, ASHSH kujton se propozimi i Fugës u rrëzua nga Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, madje shtoi se dhe nëse do të miratohej varianti i tij, ai s’do të kishte të drejtë të kandidontë për kryetar të ASHSH dhe as të votonte. “Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues. Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë”, shkruhet në qëndrimin e ASHSH.

Fuga: Do publikoj faktet për lobimin e PS në ASH

Vetë Fuga u përgjigj sulmeve nga ASHSH në profilin e tij në Facebook. Ai e konsideroi qëndrimin e këtij institucioni ku bën pjesë, si shumë konfuz. Fuga premtoi se do të faktojë pretendimet e tij me fjalët e deputetit socialist që ka mbrojtur pr/ligjin e fundit për Akademinë e Shkencave. Gjithashtu, ai shtoi se do të faktojë që nuk ka shkelur ligjin për moshën e kandidimit dhe votimit për kryetar të Akademisë së Shkencave. “Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një tekst akademikësh, ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi. Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Nesër (sot) do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një një që bëjnë dy, jo tre!”, iu përgjigj akademiku dhe pedagogu i njohur Artan Fuga Akademisë së Shkencave.

Çfarë tha Fuga 5 ditë më parë?

5 ditë më parë, akademiku Artan Fuga njoftoi se do të kandidojë për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Në statusin e tij në Facebook, ai sulmoi PS dhe mbështetësit e kryetarit aktual të ASHSH, Skënder Gjinushi se po lobojnë për të ndryshuar ligjin e Akademisë së Shkencave për t’i dhënë një mandat tjetër ish-kryetarit të PSD. Për Fugën, kjo veprimtari është politikisht amorale. “Për të rrezistuar kundër sipërmarrjes të papërgjegjshme dhe politikisht amorale të ndonjë deputeti të përdorur e konsumuar, prej vitesh, që kërkon shtyrë nga lobi të ndryshme të ndryshojë ligjin për akademinë duke i bërë drejtuesit e saj të përjetshëm, pa e kufizuar më me një mandat detyrën e tyre, edhe pas të 75 vjetëve”, shprehej Fuga 5 ditë më parë.

Gazeta Sot