Shkodra në qendër të një vizioni të ri kulturor, që përfshin dhe ngritjen e një rrjeti muzesh

16 Janar 2026
Shkodra po ndërton një vizion të ri kulturor, që e vendos trashëgiminë në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit. Pasuria e kulturore e Shkodrës ishte në qendër të takimit që zhvilloi ministri Blendi Gonxhja me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe stafin teknik të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ministri Gonxhja shprehet se në këtë takim u diskutua mbi një vizion të ri kulturor për Shkodrën, ku trashëgimia, turizmi, mobiliteti i qëndrueshëm dhe infrastruktura moderne ndërthuren në një qasje të unifikuar zhvillimi.
“Në thelb të vizionit që po ndërtohet qëndron projekti strategjik “Porta e Alpeve”, një korridor i ri kulturor dhe turistik që synon ta shndërrojë Shkodrën në hyrjen kryesore të Alpeve Shqiptare, duke lidhur transportin e gjelbër, hapësirat publike dhe ofertën kulturore në një strukturë të integruar. Vizioni kulturor për Shkodrën përfshin ngritjen e një rrjeti muzesh në trajtën e Museum Quarter, një pol i ri muzeor dhe kreativ që vendos kulturën në qendrën e zhvillimit urban, itinerare të gjelbra për këmbësorë dhe biçikleta, që lidhin monumentet, muzetë dhe hapësirat historike me njëra-tjetrën, si dhe rijetëzimi i muzeve dhe banesave historike, duke forcuar identitetin kulturor dhe duke krijuar hapësira të reja për publikun”, shprehet ministri Blendi Gonxhja ndër të tjera.
Sipas tij, kjo qasje e re synon të ruajë dhe të valorizojë trashëgiminë e pasur të Shkodrës, duke e shndërruar atë jo vetëm në një destinacion kulturor të nivelit të lartë, por edhe në një qendër të qëndrueshme zhvillimi për gjithë rajonin.
