28 Shkurt 2026

Protesta e opozitës u përshkallëzua në tensione dhe përplasje me forcat e policisë, të cilat përdorën autobote me ujë me piper për të shpërndarë turmën.

Në shënjestër të ujit me presion të lartë u vunë edhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike, përfshirë kreun e saj Sali Berisha dhe deputetë të tjerë, teksa marshonin drejt Kryeministrisë. Sipas pamjeve të transmetuara nga SYRI TV, mjeti i policisë shënjestroi dhe ndoqi në mënyrë të vazhdueshme grupin e deputetëve të opozitës, duke hedhur ujë me piper mbi ta. Kjo ndërhyrje erdhi pasi policia bllokoi marshimin e protestuesve, duke mos i lejuar të rigrupoheshin para selisë së qeverisë. Si pasojë e përdorimit të ujit me piper në një hapësirë të vogël pranë Kuvendit, një numër i madh protestuesish raportuan probleme shëndetësore.

Në një reagim nga terreni, deputeti demokrat Gazment Bardhi e cilësoi dhunën e policisë si “të paprecedent dhe të paprovokuar” ndaj protestuesve tërësisht paqësorë. Ai deklaroi se opozitës iu pengua ushtrimi i të drejtës kushtetuese për të protestuar, duke përmendur se ishin bllokuar dhe sulmuar me gaz lotsjellës dhe ujë pa asnjë shkak në disa pika, përfshirë para Drejtorisë së Policisë dhe Kuvendit.

“Ka qenë një marshim tërësisht paqësor. Të vetmit të lënduar janë qytetarët protestues, të cilët janë sulmuar në mënyrë të paprecedent nga policia me gaz dhe me ujë,” theksoi Bardhi. I pyetur në lidhje me hedhjen e molotovëve në drejtim të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, Bardhi u përgjigj duke e quajtur atë një “simbol të diktaturës” dhe një vend ku, sipas tij, “Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe ato korruptive”.

Bardhi: 

Për shkak të presionit të ujit nga policia, në këto momente ndodhen në bllok dhe sigurisht do të vazhdojnë marshimin e tyre. Siç e keni parë, edhe sot është përsëritur në mënyrë identike dhuna e paprecedent e paprovokuar e punonjësve të policisë ndaj protestuesve paqësorë të opozitës. Ka qenë një marshim tërësisht paqësor. Jemi penguar në lirinë tonë të lëvizjes dhe të ushtrimit të drejtës së protestës.

E keni parë që në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë na është bllokuar rruga pa asnjë dalje alternative dhe më pas jemi sulmuar pa asnjë shkak me gaz lotsjellës. Më pas e njëjta gjë ka ndodhur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe e njëjta gjë ka ndodhur në kryesinë e Kuvendit, ku ne ishim në një marshim tërësisht paqësor. Folësi 1: Po molotovët në ish-vilën e diktatorit, tashmë shërben si rezidencë për artistët e huaj? Çfarë qëllimi kishte?

Sigurisht së pari ajo shërben si një vilë ku Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret e tij korruptive. Është pa diskutim një simbol i diktaturës dhe sigurisht revolta e qytetarëve, ku shikojnë nuanca të atij regjimi të përsëriten 35 vite pas rënies së atij regjimi, është gjëja më normale që të ketë revoltë. E rëndësishme është që nuk ka asnjë person të lënduar, përveçse protestuesit…

Ajo që unë di është që nuk ka asnjë person të lënduar dhe të vetmit të lënduar janë qytetarët, protestues, të cilët në ushtrim të drejtës së tyre kushtetuese për të protestuar, janë sulmuar në mënyrë të paprecedent nga policia me gaz dhe me ujë.

Derisa Koçiu ishte në Ministrinë e Brendshme, ishte ministrja e adresave dhe zare e Edi Ramës. Tani e ka ulur shumë stekën, është bërë zare e Belinda Ballukut dhe unë i uroj fatin e Belinda Ballukut.