
Shiu shuan Zjarret ne Bashkine e Fushe Arresit
22 Gusht 2025
Shiu ka rënë për gati tre orë pandërprerë, duke përfshirë jo vetëm Kukësin, por të gjithë zonën veriore të vendit.
Këto reshje intensive kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave aktive të zjarrit, të cilat prej ditësh kishin qenë një shqetësim serioz për banorët dhe strukturat e emergjencës, sidomos në zonën e Fushë Arrëzit.
Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura, janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore, si në rrugët rurale ashtu edhe në ato nacionale që lidhin Kukësin me zonat përreth. Megjithatë, deri në këto momente nuk është raportuar për bllokime të rrugëve apo dëme serioze.
Autoritetet lokale janë në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për largimin e gurëve e dherave nga rruga.
Kukësi është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me erëra të forta, shtrëngata dhe reshje intensive shiu.
Fillimisht, një spektakël i pazakontë ndodhi në qiellin e qytetit dhe zonave përreth, ku reshjet u paraprinë nga shkarkesa të forta elektrike. Rrufe të njëpasnjëshme ndriçuan horizontin, ku banorët u zgjuan nën zhurmën e vetëtimave dhe bubullimave të fuqishme.